
Nga Afrim Demiri
Së fundi në Muzen e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit , në organizim të Shoqatës Molla e kuqe, një lexim skenik i ka bë bashkë dy shkrimtarë shqiptarë. Mbase ata nuk janë njohur ndër veti, por kanë pasë një fat të njejtë; që të dy si miturakë kanë vuajtur nëpër burgje të komunizmit! Dine Dine, nga Maqellara e Dibrës, vuajti në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës, kurse Teki Dërvishi nga Gjakova, vuajti në Goli Otokun e Titos!
Aktori Afrim Muçaj, e hapi mbrëmjen e takimit me shkrimtarin Dine Dine duke lexuar fragmente nga romani i tij “Mbi varkën e Karontit”. Derisa Muçaj sillte atmosferën e hetuesisë ndaj Dines, shkrimtari Dine i ulur përballë tij emocionohej.
” – Hë pse nuk përgjigjesh, përse hesht? S’po kuptoj asgjë, – i thash. – Sepse pikë së pari, ju që më keni thirrur këtu dhe po bëni hetuesin tim, duhet të keni mësuar se qysh prej moshës pesë vjeç e kam filluar karvanin e vuajtjeve dhe vazhdoj ta vuaj në këto çaste që po më pyesni ju. Jam 36 vjeç dhe nga ajo moshë e deri më sot, kurrë s`kam qenë as ta shoh dhe as ta njoh vendlindjen time… ndërsa ti me pyet se kë njoh në Bllatë, kur unë për fat të keq as e di nga i bie kjo Bllata”, deklamonte Muçaj tekstin e Dines.
Dine Dine është bërë i njohur, në letrat shqipe me veprat e tij autobiografike, pikërisht me rrëfimet e tij nga burgu.
“Mbi varkën e Karontit” është romani memuaristik që shpalosë mbijetesën e autorit dhe rrugën e kalvarit të gjatë çnjerëzor, gjatë pesë dekadat të diktaturës komuniste. Kalvari i autorit Dine nis në moshën 6 vjeçare me internimin familjar në burgun famëkeq të Kështjellës së Ali Pashës në Porto Palermo, për të vazhduar më pas me sprovën e kampit të vdekjes në Tepelenë. Më vonë, ai përballet me një varg kampesh internimi, deri me arrestimin dhe gjyqin që e dënoi 10 vjet me privim lirie, që e vuan në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Ky libër autobiografik përfshin proceset e montuara të dënimeve politike në Shqipëri, arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin e autorit.
I ftuar enkas për këtë mbrëme 𝐃𝐢𝐧𝐞 𝐃𝐢𝐧𝐞 iu drejtua të pranishmëve me pak fjalë. ” Jam i prekur me nderin që ma bëtë, unë shkruaj thjeshtë atë që kam përjetuar, po më vjen mirë që lexuesit po e pëlqejnë artin tim, nuk kam filluar të shkruaj që të bëhem shkrimtar, por që të ruhet kujtesa për rrugën që kemi kaluar”, u shpreh ai.
Varka e Karontit rikthehej në burg, por tash Dine ishte i mbijetuari që sfidonte vdekjen. Përpos këtij romani Dine ka shkruar edhe veprat “Alida”, “Gjykimi i Shopenhauerit” si dhe “Kujtime nga Spaçi”.
Asgjë më mirë se teksti nga romani “Palimpsest për Dush Kusarin” nuk do ta plotësonte atmosferën e mbrëmjes ku arti sfidonte totalitarizmin e kuq.
Lexim skenik dhe performanca muzikore me 𝐀𝐫𝐛𝐞𝐧 𝐁𝐚𝐣𝐫𝐚𝐤𝐭𝐚𝐫𝐚𝐣 dhe 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐚 𝐑𝐮𝐤𝐚𝐣 sollën refuzimin estetik të Dervishit, mosdëgjueshmërinë e tij ndaj diktatit, reagimin e tij ndaj cenzurës.
“Biruca pa dritare, ditë e natë, drita e verdhë e diskut, ditë nuk ka, natë nuk ka, orë nuk ka, kohë nuk ka. Për çka nuk ke kohë ? Ç’sy qenkan ata që shohin vetëm dritë dielli, dritë elektrike, dritë pishe? Cila dritë i hap shteg udhës time?”, kumbonte hapësira e shëtitores së Burgut nga deklamimet e Bajraktarit dhe timbri i zërit të Rukajt. Ky projekt është i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me qëllim të funksionalizimit të Burgut idealit.
ObserverKult



Lexo edhe:






