Nga Muhamet Hamiti
Kishte nisur ta shkruante në Trieste (Itali) më 1914, e kreu në Paris në vitin 1921, ndërsa vendosi ta botonte aty, në tirazh prej 1000 kopjesh të numëruara, më 2 shkurt 1922, ditën kur Xhejms Xhojsi (James Joyce, 1882-1941), shkrimtari irlandez, do të mbushte 40 vjet. (U botua në Francë nga “Shakespeare & Company” e amerikanes Sylvia Beach, një sponsorizuese e tij, për t’u ikur ligjeve që sanksiononin lapërdhinë – angl. obscenity laws.). Njëfarë buje e diskutimi polemik romani kishte shkaktuar që më parë, kur, gjatë viteve 1918-1920, botohej në vazhdime te “The Little Review”, një revistë avangarde amerikane. Për shkak të një skene ku protagonisti, Leopold Bloom, masturbon mbasi sheh prej së largu një vajzë, Gerty MacDowell, në shkëmb, në pozë në dukje ngashënjyese, redaktorët e revistës u paditën, ndërsa “Uliksi” u ndalua në SHBA. Seksi intutitohet, si kujtesë ose dëshirim; nuk ndodh te “Uliksi”. Botuesit britanikë s’donin të kishin punë me librin në zë për të keq. Ndalesa në SHBA u hoq mbas një procesi gjyqësor në vitin 1933. Në Britani të Madhe libri u botua në vitin 1936, ndërsa në Irlandën e shkrimtarit libri nuk qarkulloi hapur para viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Irlandezëve, që, nën drejtimin e Michael Collins-it, heroit të luftës për pavarësi, kishin marrë qeverimin e Irlandës prej britanikëve nja dy-tri javë para se kryevepra e Xhojsit të shihte dritën e botimit, iu deshën dekada para se të mund ta përqafonin birin e shkrimtarin e vet që, në të vërtetë, ndonëse i vetëmërguar, s’kishte shkruar për gjë tjetër pos për Irlandën.
Në një shkrim të muajit të kaluar, botuar te gazeta “The Financial Times”, shkrimtari irlandez Colm Tóibín njofton se kryeministri irlandez Eamon de Valera s’e kishte pranuar ftesën që i kishte bërë Xhejms Xhojsi për darkë nga mesi i viteve tridhjetë në Zvicër, kur kryeministri gjendej aty për vizitë në një klinikë të syve ku shkonte edhe shkrimtari. Po ashtu, se një diplomat britanik kishte marrë pjesë në funeralin e Xhojsit në Zvicër në vitin 1941, por jo ndonjë diplomat irlandez. (Mua, ambasadorit të Republikës së Kosovës, tek dorëzoja letrat kredenciale te Presidenti irlandez Michael D. Higgins në dhjetor të vitit 2011 në Dublin, më tha me humor dashamirës ai: A thua çka do të thoshte Xhojsi për një studiues të tij që do të bëhej ambasador? Ia ktheva me të njëjtin ton: Pyetje të tillë do të mund të bënte për ju – si është e mundur që një shkrimtar të bëhej President i Irlandës? Michael D. Higgins është shkrimtar. Ende në detyrë, në mandatin e dytë si President i Irlandës).
“Uliksi”, një nga veprat ilustrative të modernizmit letrar, ka për protagonist një hebre irlandez, Leopold Bloom, 38 vjeçar, që është Uliksi (Odiseu) joepik, sepse romani në 18 episode ndërtohet mbi paralelizma me “Odisenë” e Homerit. Ndodhjet janë në Dublin, një ditë të vetme, më 16 qershor 1904, natyrisht me përthyerje e rrezatime kohore, letrare, gjuhësore, historike, shoqërore, politike, fetare, e të tjera, prej antikitetit deri në bashkëkohësi. Dy protagonistë të tjerë me peshë qendrore janë e shoqja e Bloom-it, Molly 33-vjeçare, Penelopa joepike, nga pozita e së cilës (si monolog i brendshëm) rrëfehet episodi i mbramë, i gjatë, që përfshin edhe takimin e saj seksual me Boylan-in, dashnorin e saj, dhe Stephen Dedalus, i riu me pretendime poetike/artistike, personazh që e njohim nga vepra paraprake e Xhojsit, “Portreti i artistit në rini”.
Dublini dhe Irlanda e fillimit të shekullit XX janë në njëfarë paralize shoqërore e morale, me pak shenja trazimi të asaj që do të vinte një dekadë më vonë, me kryengritjen e vitit 1916, dhe pavarësimin e pjesës së madhe të ishullit, të asaj që sot e 100 vjet njihet si Republika e Irlandës.
“Uliksi” i Xhejms Xhojsit rroket në perspektivë të dyfishtë, restrospektive dhe proleptike, që diktohet si e tillë gjatë leximit. Është roman që i reziston kuptimit të mbyllur. Prandaj, 17 qershori i vitit 1904 mbetet enigmë përgjthmonë.
Xhejms Xhojsi e kishte thënë si me shpoti se do të bëhej i përjetshëm mbasi profesorët “me shekuj do të përlahen me fjalë rreth asaj se çka kishte dashur të thoshte ai” (“busy for centuries arguing over what [he] meant”).
Në këtë 100-vjetor të romanit, le të kujtohet se “Uliksi” në shqip është botuar më 2003 në Tiranë, në përkthim të Idlir Azizit. “Porteti i artistit në rini” i tij ishte botuar në Prishtinë në vitin 1976, në kohën kur kjo ishte e pamundur në Tiranë për shkak të mbizotërimit të dogmës së realizmit socialist në Shqipëri, protagonistët e të cilit me detyrë të Partisë damkosnin letërsinë ‘dekadente’ të Perëndimit. Edhe vepra të tjera të Xhojsit, duke përfshirë përmbledhjen e tij të tregimeve, “Dublinasit” janë botuar në shqip në ndërkohë.
Pjesa e madhe e librit tim “Proza moderne: Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi”, botuar në Prishtinë në vitin 2016, merret me prozën e Xhejms Xhojsit, me theks te strategjitë narrative dhe kuptimi i saj. Për shkurt shkruaj edhe për fjalët/shprehjet shqipe te vepra e mbramë e Xhojsit, “Zgjimi i Fineganit” (1939), për ç’gjë kishte shkruar i pari kritiku e teoricieni letrar Ibrahim Rugova në Prishtinë, në vitin 1985.
Ka vjet që në programin master për letërsi në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze në Prishtinë mbaj kursin “Modernizmi i lartë: James Joyce dhe T. S. Eliot”.
Poeti dhe kritiku amerikano-britanik, T. S. Eliot (1888-1965) botoi në vitin 1922 kryeveprën e vet, poemën “Toka e shkretë” (The Waste Land”), që, bashkë me “Uliksin” e Xhojsit, mbërrin kulmet e atij që e shoh unë si modernizmi i lartë letrar.
Duke shkruar për “Uliksin” (te shkrimi i tij “Uliksi, rendi dhe miti”), Elioti thotë se ky është më shumë se roman dhe lavdëron përdorimin paralel të “Odisesë” dhe të mitit nga Xhojsi në këtë vepër, që ka rëndësinë e “një zbulimi shkencor” (sic).
Kjo festë e 100-vjetorit të romanit “Uliksi” le të jetë ftesë për lexim e rilexim të Xhojsit, edhe në shqip.
ObserverKult
______________________
Lexo edhe: