Umberto Eco dhe mësimet e jetës së një mjeshtri të jashtëzakonshëm

Umberto Eco

Të flasësh për të dhe tërësinë e tij është e vështirë, ndoshta pothuajse e pamundur. Por ne mund ta kujtojmë atë përmes fjalëve, mendimeve dhe shkrimeve të tij. Nëpërmjet mësimeve të çmuara.

Filozof, shkrimtar, gazetar, semiolog dhe eseist. Opinionist,profesor universiteti dhe bibliofil. Umberto Eco ka bërë aq shumë sa do të ishte e pamundur t’i rendisje të gjitha. Sepse ai profesionalisht ka arritur të përmbushë shumë role, duke mos lejuar asnjëherë që të përkufizohet individualisht prej tyre.
Është e vështirë të rrëfesh njeriun në tërësi, por ne mund ta kujtojmë atë për gjithçka që na mësoi. Për gjithçka që na la. Ishte dhe do të jetë gjithmonë mësues i jetës.

Umberto Eco, biografia e një mjeshtri

Pasionet e tij më të mëdha, ato që e udhëhoqën dhe e lidhën me njohjen e mbarë njerëzimit, janë ndarë me të gjithë përmes kryeveprave dhe aktivitetit kulturor. Ndër to, edhe përmes bestsellerit “Emri i trëndafilit”, botuar në vitin 1980.

I lindur në Alessandria më 5 janar 1932, Umberto Eco zhvilloi një pasion të madh për filozofinë dhe kulturën mesjetare. Atë të cilën ai nuk do ta braktiste më kurrë, gjatë viteve të universitetit në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Torino. Kësaj do t’i shtohet edhe një vëmendje e veçantë ndaj kulturës masive. Ai vetë do të deklaronte, me rastin e një interviste në wikinews.org, se është një “përdorues kompulsiv”, i përkushtuar ndaj botës open source.

Pikërisht gjatë këtyre viteve, studioi Tomas Akuinin, mbi të cilin do të shkruante tezën e tij. Ai do të braktiste përgjithmonë besimin. “Edhe pse jam ende i dashuruar me atë botë, kam pushuar së besuari në Zot gjatë të 20-ave, pas studimeve universitare mbi Thomas Aquinas. Mund të them se ai më shëroi mrekullisht nga besimi im”.

Vitet 1960 shënuan fillimin e karrierës së tij universitare. Filozofi jepte mësim në Torino, Milano, Firence dhe Bolonja. Eco ishte një nga themeluesit e DAMS. Njëkohësisht punoi si eseist dhe gazetar. Bashkëpunoi me gazetat më të rëndësishme italiane. Megjithatë, në vitet 1980, ai iu afrua letërsisë dhe fitoi çmimin Strega me botimin e tij të parë, “Emri i trëndafilit”, përkthyer në 47 gjuhë.

Umberto Eco, mendimet e tij

Një nxënës i filozofit piemontez Luigi Pareyson, Umberto Eco zhvilloi një mendim mbi realitetin bazuar në marrëdhëniet midis subjektit dhe objektit. E vërteta nuk mund të jetë kurrë e njëjtë, sepse ajo ndërtohet sipas një procesi interpretues subjektiv.

Mendimi i Ecos sot jehon në të gjitha mësimet e tij, në librat e tij dhe në atë monografi “Filozofia e Umberto Eco-s”, që është një homazh i vërtetë monumental për vetë ekzistencën e tij.

“Unë kam lindur në Alessandria, në veriperëndim të gadishullit italian. Nga karakteri i bashkëqytetarëve të mi kam mësuar virtytin e skepticizmit që nënkupton një sens humori të vazhdueshëm, për të vënë në pikëpyetje edhe gjërat në të cilat njeriu beson sinqerisht. Ndoshta kjo shpjegon shumë raste me cilat unë jam tallur, apo edhe parodizuar, tekste për të cilat kisha shkruar me bindje të madhe. Të mos e marrësh kurrë veten shumë seriozisht, më është dukur gjithmonë qëndrimi i duhur filozofik”, thoshte ai.

Veprat e tij përmbajnë debate filozofike si ekzistenca e Zotit, natyra, universi dhe boshllëku. Ai përmes romaneve tregonte ngjarje që kanë ndodhur me të vërtetë ose përpiqej të shpjegonte legjendat dhe misteret që rrotullohen rreth figurave dhe situatave emblematike. Flet për Kalorësit Templarë dhe Graalin e Shenjtë tek “Lavjerrësi i Foucault”. “Varrezat e Pragës”, roman monumental dhe cinik, përqendrohet në teoritë e konspiracionit, në lidhje me historinë e popullit hebre.

Umberto Eco u nda nga jeta më 19 shkurt 2016. Por, prania e tij është mbizotëruese në gjithçka që na la. Në gjithçka që na mësoi. Ashtu si shpirti i tij kritik, ironia, qartësia, kuptimi i së tashmes. Dhe mbi të gjitha aftësia për të qenë gjithmonë një hap përpara.

“Është e bukur diçka që, po të ishte e jona do të na bënte të lumtur, por që mbetet e bukur edhe nëse i përket dikujt tjetër”, thoshte Eco.

Umberto Eco, mësimet e jetës

Të tregosh të gjitha mësimet e Umberto Ekos është e pamundur. Sepse e gjithë jeta e tij bazohet në eksplorimin e njohurive dhe transmetimin e tyre. Megjithatë duam të përmbledhim disa prej tyre, ato që përmes fjalëve, shkronjave dhe rubrikave janë shndërruar në një mësim jete.

Si ajo që filozofi i kushtoi nipit të tij, përmes një reflektimi mbi teknologjinë dhe një këshille më aktuale se kurrë, ajo e të qenit vigjilent “nga një sëmundje që ka prekur brezin tuaj dhe madje edhe atë të fëmijëve më të mëdhenj se ti: humbja e kujtesës”. Kështu Umberto Eco, fton të gjithë të rinjtë e sotëm të studiojnë. Ngaqë nëse është e vërtetë që interneti nuk mund të zëvendësojë dijet, kompjuteri nuk mund të marrë rolin e trurit.

Dhe pastaj përsëri ai mësimi mbi historinë, i konsideruar si mësim i jetës, që u zhvillua përmes fjalëve të filozofit, të shqiptuara me rastin e fjalimit në OKB kundër humbjes së kujtesës: “Problemi është se asnjë qytetërim (në kuptimin antropologjik të fjalës, i kuptuar si një sistem idesh shkencore dhe artistike, mitesh, fesh, vlerash dhe zakonesh të përditshme), nuk mund të ekzistojë dhe të mbijetojë pa një kujtesë kolektive”.

Dhe në fund, ai mësim jete që duket thuajse një deklaratë dashurie ndaj njohjes së njerëzimit, fshehur në faqet e kryeveprës së tij, “Pse librat zgjasin jetën”.

“Libri është një sigurim jete, një parapritje e vogël e pavdekësisë. Në retrospektivë (mjerisht), dhe jo në perspektivë”, shkruan filozofi duke vënë theksin tek rëndësia e leximit.

“Kush nuk lexon, në moshën 70-vjeçare do të ketë jetuar vetëm një jetë: të vetën. Lexuesi do të ketë jetuar 5000 vjet: që kur Kaini vrau Abelin, kur Renzo u martua me Lucian, kur Leopardi admironte pafundësinë… sepse leximi është një pavdekësi.”

ObserverKult

____________________________

Lexo edhe:

INTERVISTË ME UMBERTO ECON: KAM BËRË GABIME NË TË GJITHA RRUGËT E JETËS

ObserverKult