Umberto Eco: Si mund të përkthehet Joyce

Nga Umberto Eco

Sipas meje, nuk mund të përkthehet Joyce nëse nuk lë të ndihet në njëfarë mënyre stili i mendimit irlandez, humori dublinas, edhe sikur ky të ketë një çmim, le të themi duke lënë në tekst disa terma në anglisht ose me një numër të madh shënimesh në fund të faqes.

E pra, pikërisht Joyce na sjell një shembull parimor të përkthimit kryekëput target-oriented:
përkthimin e një episodi të quajtur “Anna Livia Plurabelle” nga libri Finnegans Wake.  Ky përkthim megjithëse fillimisht ka dalë me emrin e Nino Frank dhe Ettore Settani, që sigurisht kanë bashkëpunuar, mund të konsiderohet në të vërtetë si një përkthim i vetë Joyce-it.
Po kështu edhe përkthimi në frëngjisht i Anna Livias, për të cilën kanë bashkëpunuar shumë shkrimtarë si Beckett, Soupault dhe të tjerë, konsiderohet tashmë në pjesën më të madhe si vepër e vetë Joyce.
Bëhet fjalë për një rast shumë të veçantë të rishkrimit rrënjësor, sepse Joyce, për të zbatuar parimin themelor që zotëron në librin e tij Finnegans Wake, e kemi fjalën për parimin pun*, ose mot-va-lise, nuk ka ngurruar ta rishkruajë dhe ta rikonceptojë kryekëput tekstin e vet.
Ky tekst i ri nuk ka më asnjë lloj gjurme të tingëllimit tipik të tekstit anglisht dhe asnjë pikë takimi me universin e tij gjuhësor. Ai merr tashmë një ton “toskanas”.
E pra, është sugjeruar të lexohet ky përkthim, për të kuptuar më mirë origjinalin dhe, në fakt, pikërisht mundimi për të realizuar parimin e aglutinimit leksikor në një gjuhë të ndryshme nga anglishtja, zbulon edhe strukturën zotëruese të Finnengans Wake.
Finnengans Wake nuk është shkruar në anglisht, por në “finenganian”.
Ky lloj ligjërimi është quajtur prej shumëkujt si një gjuhë e sajuar. Në të vërtetë, nuk është një gjuhë e sajuar siç është ligjërimi transmental i Chlebnikov-it, ose gjuhët poetike të Morgenstern-it dhe të Hugo Ball-it, të cilat nuk mund të përkthehen, sepse efekti fonosimbolik bazohet pikërisht në mungesën  e çdo niveli semantik.
Përkundrazi, Finengans Wake është më tepër një tekst shumëgjuhësh. Si rrjedhim, do të ishte tejet e padobishme ta përktheje, sepse në fakt është i përkthyer.
Ta përkthesh atë, duke pasur parasysh një pun, në të cilën do të ishte T radikale e anglishtes dhe një I radikale e italishtes, do të thoshte në fund të fundit, të transformoje sintagmën TI në një sintagmë IT.
Këtë kanë synuar të bëjnë shumë përkthyes, por me rezultate të dyshimta.
Megjithkëtë, Finnengans Wake nuk është tamam-tamam, as edhe një tekst shumëgjuhësh: ose është, le të themi, por nga pikëpamja e gjuhës anlgeze. Ai është një tekst shumëgjuhësh, siç mund ta mendonte një anglofon.
Sa për mua, zgjedhja e Joyce si përkthyes i vetvetes, është bërë duke menduar tekstin e destinacionit (frëngjisht ose italisht) si një tekst shumë gjuhësh, siç do ta mendonte atë një frankofon ose një italofon.
Nëse –ashtu siç sugjeronte Humboldt-i-të përkthesh do të thotë jo vetëm të bësh lexuesin të kuptojë gjuhën dhe kulturën e origjinës, por edhe të pasurosh gjuhën tënde, atëherë, atëherë nuk ka dyshim që çdo përkthim i Finnengans Wake, derisa e bën gjuhën e vet të shprehë diçka që ajo më parë nuk dinte ta bënte (ashtu siç kishte bërë Joyce me anglishten), e kultivon atë.
Kësisoj gjuha e hedh një hap përpara. Mundet që ky hap të jetë i tepërt, që gjuha të mos e durojë eksperimentin , por sidoqoftë, ndërkaq, diçka ka ndodhur.
Joyce nis të kthejë një gjuhë kaq të epshme ndaj pun-it ndaj neologjizmave dhe konservimit të fjalëve si anglishtja, në një gjuhë si italishtja, e cila është e qendrueshme ndaj neologjizmave të aglutinuara.
Përballë shprehjeve gjermanisht si Kunstwissenschaft ose Frauproffesor italishtja dorëzohet . Po kështu dorëzohet edhe përpara një splash-down. Ajo struket në fjalën shumë poetike ammarare  (që tregon uljen e butë të hidorvolantit, por jo përplasjen e fortë të anijes kozmike me detin).
Nga ana tjetër, çdo gjuhë ka gjetjet e veta: për t’u ulur në Hënë anglishtja përdor në mënyrë të papërshtatshme foljen e vjetër to land, ndërsa italishtja ka sajuar një fjalë të re,allunare. Deri këtu në rregull.
Por në qoftë se do të vinte puna të përktheje një tekst ku përshkruhet në mënyrë lakonike landing-u i një anije kozmike, land, do të ishte një fjalë njërrokëshe , ndësa alluna është trerrokëshe.
Kjo mund të krijonte probleme në ritmin e fjalisë.
Le të shohim tani një shembull, në të cilin Joyce, duke dashur të përkthejë një ritëm karakteristik të anglishtes, e riformulon tekstin, për t’ia përshtatur në fillim frëngjishtes dhe pastaj italishtes.

Tell me all, tell me now. You’ll die when you hear. Well you know, when the old cheb went futt and did what you know. Yes, I know, go on.

Këtu kemi tridhjetë fjalë njërrokëshe. Varianti francez përpiqet të riprodhojë të njëjtën strukturë njërrokëshe, të paktën nga pikëpamja orale.

Dis-moi tout, dis-moi vite. C’est á en crever. Alors, tu sais, quand le vieux gaillarda fit krack et fit ce que tu sais. Oui je sais, et après, après?

Njëzet e pesë fjalë njërrokëshe. Jo keq. Çfarë mbeten, janë vetëm dy ose e shumta trerrokëshe. Po çfarë ndodh me italishten, një gjuhë që ka pak fjalë
njërrokëshe (të paktën në krahasim me anglishten)?

Dimmi tutto, e presto presto. Roba da chiodi! Beh, sai quando il messercalzone  andó in rovina a fe’ ció che fe’? Si, lo so, e po’ appreso?

Gjashtëmbëdhjetë fjalë njërrokëshe, por të paktën gjysma e tyre janë lidhëza, nyja dhe parafjalë, pjesëza proklitike që nuk kanë theks tonik, por që lidhen me fjalën në vijim dhe nganjëherë nga pikëpamja e efektit dëgjimor, e zgjasin shqiptimin.
Të gjitha fjalët e tjera janë dy-tre dhe madje katër pesërrokëshe. Kështu që ritmi i fragmentit nuk është aspak njërrokësh. Nëse për tekstin anglisht do të thoshim se ka një ritëm xhazi, teksti italisht do të kishte një andamento operistik.
Kjo është zgjedhja që ka bërë Joyce. Duke shqyrtuar hapat e tjerë të variantit të tij në italisht do të përballesh me fjalë shumë të gjata, si për shembull, scassavillani, lucciolanterna dhe pappapanforte, freddolesimpellettate, inapprodabile, vezzerggiativini, të gjata edhe për leksikun e italishtes, aq e vërtetë është kjo, saqë Joyce-t i është dashur t’i sajojë.
Sigurisht, te Finnengans Wake përdoren edhe fjalë të përbëra shumë të gjata, por zakonisht luhet me shkrirjen e dy fjalëve të shkurtra. Meqenëse italishtja nuk e kishte të zakonshme këtë zgjedhje, Joyce ka bërë zgjedhjen e kundërt: ka kërkuar një ritëm shumërrokësh.
Për të arritur këtë rezultat  shumë shpesh ai nuk është shqetësuar edhe nëse teksti italisht thoshte gjëra të ndryshme nga ai i anglishtes.
Le të sjellim një shembull shumë domethënës. Nga fundi i fragmentit të dytë të përkthyer ne gjejmë:

Latin me that, my trinity scholard, out of eure sanscreed into oure eryan!

Nuk është se duam të thellohemi në kërkim të aluzioneve, por ja që disa prej tyre nuk mund t’i shpërfillësh. Në këtë fjali ka dy referime gjuhësore, ndaj latinishtes dhe sanskritishtes, për të cilat ripohohet origjina ariane.
Këtu përmendet Trianiteti, por pa ndonjë frymë fetare (le të kemi parasysh që në dogmën trinitare kishte gjurma të një herezie ariane), dallohen në sfond Erin dhe Trinity College.
Për më tepër, por vetëm për një filolog maniak, ka një referim ndaj lumenjve Ure, Our dhe Eure (dhe do të shohim më pas se cili është roli që kanë këta lumenj në Finnegans Wake).
Varianti frëngjisht vendos që t’i mbetet besnik bërthamës qendrore asociative (megjithëse humbet shumë) dhe përkthen:

Latine-moi ça mon prieux escholier, de vostres sanscroi en notre erryen.

Le të pranojmë se në këtë zinxhir asociacionesh prieur pieux-prière gjejmë një jehonë të Trinitetit, në fjalën sanscroi një referim qoftë ndaj sanskritishtes, qoftë ndaj sans croix a sans foi, dhe në erryen dhe ndonjë lloj aluzioni ndaj gabimit ose gjendjes së pashtjelluar.
Dhe tani le të kalojmë në variantin italisht.
Me sa duket, autori ka vendosur që këtu referimet gjuhësore duhet të kalonin nga glotologjia në glotta ose nga languagetongue (gjuhë), e kuptuar si organ fizik; dhe çdo lloj pasigurie e mundshme teologjike duhej të bëhej një pasiguri seksuale:

Latinami ciò, laureata di Cuneo, da lingua aveta in gargarigliano.

Cilido përkthyes që nuk do të ishte vetë Joyce, do të akuzohej për një liri të shfrenuar. Në fakt, liri ka, madje të tepruar, por sidoqoftë mban firmën e autorit.
I vetmi referim ndaj shtresave e gjuhëve arkaike gjendet në shprehjen aveta-avita-që, në varësi të atij që do ta lexojë, mund të sjellë ndër mend edhe një shprehje si avis-avuta.
Për më tej, vajza e diplomuar në Cuneo është penetruar nga ndonjë banor i Cuneos, sepse duke shqiptuar me shpejtësi sintagmën Cuneo-da-lingua përvijohen konturet e shprehjes cunninlingus, e forcuar nga aluzioni ndaj të bërit gargarë, që përfundon, pa e autorizuar origjinali, me një referim të lumit të tetëqindenjëtë midis tetëqind lumenjve që në këtë kapitull citohen: Garilianos.
Në këtë rast triniteti zhduket dher Joyce ndërmerr qetësisht apostazinë e vet të fundit. Ajo që i intereson ishte të tregonte se çfarë mund të arrihej me italishten, jo me Filioque.
Tema shërbente vetëm për pretekst.
Ky fragment është marrë në konsideratë nga përshtatësit xhoisianë, edhe sepse, për të dhënë kuptimin e rrjedhjes së lumit Liffey, ai përmban nganjëherë, edhe të maskuara, rreth tetëqind emra lumenjsh.
Një tour de force, do ta quanim ndryshme që shpesh nuk sjell në fragment asnjë lloj pasurimi fonosimbolik, por e bazon gjithçka në elementin semantik ose enciklopedik. Ai që arrin të kapë referimet ndaj lumenjve të ndryshëm, e kupton më mirë edhe domethënien e rrjedhjes së Liffey-t.
Por meqenëse jo të gjtihë mund të kapin referimet për lumenjtë Chebb, Futt, Bann, Duck, Sabrainn, Till, Wagg, Bomu, Boyana, Chu, Batha, Skollis, Sharri etj. gjithçka i lihet, le të themi, lojës thuajse statistikore të përngjashmimeve: në qoftë se ti kap emrin e ndonjë lumi që është për ty i njohur, do të vësh re edhe rrjedhshmërinë, ndryshueshmërinë e tij, kur nuk e kap, durim.
Mbetet një sfidë personale e autorit dhe një subjekt për një tezë diplome.
Kaq e vërtetë është kjo, saqë në varinatet e para kishte shumë pak lumenj. Emrat e tyre shtohen në variantet e mëtejshme dhe duket që Joyce në këtë pikë ka përfituar nga bashkëpunimi i dikujt për të gjetur sa më shumë-mjaftonte të punoje me enciklopedi dhe harta gjeografike-dhe pastaj të sajoje një pun, nuk ishte kushedi sa e vështirë.
Le të themi pra, që fakti që në këtë kapitull janë përmendur tetëqind apo dyqind lumenj është i parëndësishëm-ose të paktën është kaq i papërfillshëm sa dhe fakti që një piktor i Rilindjes ka pikturuar midis fytyrave të një turme edhe ato të miqve të vet: aq më mirë për karrierën akademike të atij që i dallon të gjithë, por, për ta shijuar pikturën ose afreskun, kjo ka rëndësi deri në njëfarë pike.
Joyce merr një vendim të trefishtë për italishten. Para së gjithash, duhet kuptuar që ky kapitull është i bollshëm jo vetëm nga pikëpamja sintaksore, por edhe leksikore, dhe bazohet mbi referime të shumta lumenjsh. 
Por ata nuk duhet të gjenden medeomos në të njëjtat pika si në origjinal. Për shembull, në tesktin anglisht, pas fjalës Wasserbourne (që në italisht zëvëndësohet nga një Wassermanschift), shfaqet një Havemmarea (avemaria-marea), që do të kish qenë shumë e lehtë të kthehej në italisht, aq më tepër që Havel është një lumë gjerman, degë e Elbës.
Por Joyce e kishte çikur shkarazi Ave Maria-n disa rreshta më sipër, duke futur (aty ku në anglisht nuk është ) një Piavemarea! Për kompensim, një fjali më poshtë thuhet që ka poca schelda (scelta-Schelda) dhe Schelda risillet këtu nga një faqe anglisht, që nuk bën pjesë në fragmentet e përkthyera.
Aty ku në tekstin anglisht del emri i lumenjve Rio Negro dhe La Plata, Joyce i ruan por kur ia lyp puna, iu shton edhe një mosa. Dhe kështu varion ai, sipas shijes dhe frymëzimit të autorit që përkthehet.
Vendimi i dytë: me emra si Sui, Tom, Chef, Syr Darya ose Ladder Burn mund të sajohen lojëra të bukura fjalësh në anglisht, por në italisht vështirë se arrihen.
Joyce i lë mënjanë ato që nuk mund t’i përdorë dhe fut emra lumenjsh italianë, që janë më të njohur për lexuesit e rinj dhe më të përshtatshëm për të sajuar fjalë shumërrokëshe të stërholluara. Dhe pas këtij operacioni shfaqen fjalët Serio, Po, Serchio, Piave, Conca, Aniene, Ombrone, Lambro, Taro, Toce, Belbo, Sillaro, Tagliamento, Lamone, Brembo, Trebbio, Mincio, Tidone, Panaro dhe ndoshta Orba (si orva) (që nuk gjenden në anglisht) dhe lexuesi i vullnetshëm le të shkojë t’i kërkojë nën maskimet e tyre të ndryshme.
Por lumenjtë italianë nuk mjaftojnë. Atëherë, lloj-lloj emra vendesh merren dhe përdoren në fjalë të përbëra të italianizuara dhe kështu Joyce, me një çlirëti të skajshme, fshin shumë e shumë lumenj që dilnin në origjinal.
Pra, është një fakt që në rastin e tekstit anglez të përkthyer qoftë në frëngjisht, qoftë në italisht, janë dyqind e shtatëdhjetë e shtatë emra lumenjsh, duke llogaritur këtu edhe një aluzion të bukur ndaj dy brigjeve të Senës (Reeve, Gootch dhe Reeve Drughad dhe një ndaj Kattegat).
Për italishten, zgjidhja e Joyce është kjo: ai kalon nga dyqind e shtatëdhjetë e shtatë në shtatëdhjetë e katër emra lumenjsh (po ia falim përkthyesit një emër të përgjithësuar rio, një fiumana, një comaschia që i vë së bashku, dhe një liqen dhe disa këneta, megjithëse të lidhura me deltën e një lumi dhe, më së fundi, edhe shprehjen maremme Tolkane).
Nuk ka asnjë motiv për të eliminuar kaq shumë lumenj. Motivi i kuptueshmërisë nuk ekziston në këtë rast. Para së gjithash, sepse emra si Honddu ose Zwaerte ose Kowsha duhej të ishin të pakuptueshëm si për lexuesin anglez edhe për atë italian dhe nëse lexuesi anglez mund të durojë dyqind e shtatëdhjetë e shtatë emra lumenjsh, përse të mos i durojë lexuesi italian.
Përveç kësaj, Kur Joyce ruan disa emra lumenjsh, që shfaqen në tekstin anglisht, nuk duket fare se ndjek ndonjë kriter të caktuar. Përse Joyce e përkthen and the dneepers of wet and the gangres of sin me fjalinë com’è gangerenoso di turpida tabe? Bukur fort është emri i lumit Rin tek Gange.
Po përse ta lësh mënjanë Dnjeprin? Përse të lësh mënjanë lumin Merrimack (in Concord on the Merrimake) për ta sjellë atë me fjalinë O in nuova Concordia dell Arciponente , ku ndoshta mund të fitohet një aluzion i mrekullueshëm i të Gjithëfuqishmit, por duke ruajtur një Concord që nuk është më i njohur si lumi Merrimack dhe ndërkaq duke humbur, për aq sa vlente, referimin ndaj vendeve të trashendetalizmit amerikan?
Dhe pastaj e ruan në fjalinë Sabrinettuccia la fringuellina një aluzion me Sabrainn, që është thjesht një detaj i dorës së fundit, për një tezë doktorature.
Përse të ruash referimet (hermetike) ndaj Boyarka, Bua, Boyana dhe Buëch që vetëm një zot e di se ku rrjedhin, dhe të mos përdorësh emra të lumenjve si Sambre, Eufrate, Oder dhe Neisse? Përse nuk ka shkruar, për shembull: non sambra che eufrate Dniepro poneisse la rava a sinistra e a destra, con gran senna, nel suo poder…?
Është e qartë që duke përkthyer në italisht, Joyce mërmëriste, nëse do të shpreheshim kështu, neologjizma të mundshëm italisht në mënyrë melodramatike tingëlluese, dhe linte mënjanë ato që nuk i jehonin nga brenda.
Sa për lumenjtë, nuk i bëhej vonë fare. Ai nuk luante më me idenë e lumenjve (ndoshta kokëfortësia më e rrallë e një libri kaq sedërmadh dhe ekstravagant), por luante me italishten.
Ai kishte humbur të paktën dhjetë vjet duke kërkuar tetëqind lumenj dhe po hidhte tutje thuajse nëntë të dhjetat, mjaft që të thoshte chiacchiericcianti, baleneone, quinciequindi, frusciacque.
Po sjellim një shembull të fundit të rishkrimit, me të vërtetë në kufijtë e një krijimi origjinal.
 
Tell us in franca langua. And call a spate a spate. Did they never sharee you ebro at skol, you antiabecedarian? It’s just the same as if I was to go par examplum now in conservancy’s cause out of telekinesis and proxenete you. For coxyt sake and is that what she is?

Spate të kujton spade dhe to call a spade a spade i korrespodon në gjuhën tonë shprehjes dire pane al pane (t’i thuash gjërat me emrin e vet). Por spate të kujton edhe idenë e lumit (a spate of words përkthehet një lumë fjalësh).
Fjala sharee ngërthen së bashku share dhe lumin Shari, ebro ngërthen hebrew dhe Ebro, skol mbledh së bashku fjalën school dhe lumin Skollis. Duke lënë mënjanë referimet e tjera, for coxyt sake të sjell ndërmend qoftë lumin e ferrit Cocito, qoftë shprehjen for God’s sake (dhe , pra, një thirrmë blasfemike, në këtë kontekst).
Po sjellim tashti dy përkthime të fragmentit, atë frëngjisht dhe përkthimin italisht të kohëve të fundit, të Luigi Schenoni-t.

Joyce-Pousse le en franca lingua. Et appelle une crue une crue. Ne t’at –t-on pas instruit l’ebreu á l’escaule, espèce d’antibabèbibobu? C’est tout pareil comme si par example je te prends subite par telekinesis et te proxènetise. Nom de flieuve, voilá ce qu’elle est?
 
Schenoni-Diccelio in franca  lingua. E dí piena alla piena.
Non ti hanno mai fatto sharivedere un ebro a skola, pezzo di antialfabetica. È proprio come se ora io andassi par exemplum fino alla commissione di controllo del porto e ti prossenetizzassi. Per amor del cogito, di questo si tratta?

Unë nuk jam i zoti të identifikoj të gjitha aluzionet e tekstit frëngjisht dhe po kufizohem të vë në dukje sesi ai përpiqet të shpëtojë disa emra lumenjsh, duke e zgjidhur britmën e fundit me një aluzion blasfemik, sepse shprehja nom de flieuve të kujton non de dieu.
Schenoni, për të përkthyer lojën e fjalëve call a spate a spate, ndjek, siç do të shohim, variantin italisht të Joyce.
Piena ka të bëjë me lumenjtë (pra edhe me spate) dhe ruan pra izotopinë thelbësore. Me këtë zgjedhje, ai rifiton edhe disa lumenj që teksti origjinal i përmend vetëm disa faqe më pas, siç janë Pian Greek, Piana dhe Pienaars.
Schenoni shpëton edhe lumenjtë Shari, Ebro dhe Skol, i shket nëpër duar aluzioni teologjik ndaj herezisë antiabecedarie dhe synon ( në mënyrë mjaft të çuditshme ) conservancy si “a commission authorized to supervise a forest, river or port” dhe mban lumin Cocito, me një referencë të hapur ndaj cogido (mendim) të Cartesio-s 
(Descartes-it M.Y), por duke braktisur çdolloj ngjyrimi blasfemues.

Le të shohim tani se ç’kishte bërë Joyce.

Dillo in lingua franca. E chiama piena piena. T’hanno mai imparato l’ebro all’iscuola, antebecedariana che sei? È proprio siccono circassi io a mal d’esempio da tamigiaturgia di prossenetarti a te. Ostrigotta, ora capesco.

Përballë vështirësisë për të transmetuar aluzionet e origjinalit, përkthyesi autor vendos të rifitojë këtu edhe dy lumenj të tjerë, të cituar diku tjetër, siç është Tamixhi dhe, ashtu siç  do të bëjë edhe Schenoni, e sjell bukur shprehjen to call a spate a spate. Por Joyce-t, si autor-përkthyes, nuk i mjafton kjo.
Ai vë re që kuptimi i thellë i fragmentit, jashtë lojërave të vogla të citimeve dhe referimeve, është pasiguria djallëzore përballë mistereve të një gjuhe franke, që ashtu si dhe gjuhët e tjera të ngjashme me të, buron nga gjuhë të ndryshme dhe nuk i përgjigjet shpirtit të askujt, duke krijuar përshtypjen e një komploti djallëzor kundër gjuhës së vetme të vërtetë dhe të paarritshme që do të ishte, nëse ekziston, gjuha sancta.
Për këtë arsye, çdo herezi kundër ABC-së është edhe kundër trinitetit dhe madje kundër shumë të tjerave. Dhe atëherë vendos të dalë nga kjo gjendje me një goditje në shenjë prej autori-përkthyes gjenial: Ostrigotta, ora capeso (që në tekstin origjinal nuk është).
Kemi këtu një pasthirrmë mosmiratuese dhe shprehjen e turpit, ostregheta (fjalë e zbutur në dialektin venecian e një mallkimi origjinal ), një referim ndaj gjuhëve të pakuptueshme (ostrogoto, dhe që diku tjetër përcaktohet si një ostrogothic kokography) dhe Gott.
Mallkimi i shqiptuar përballë një gjuhe të pakuptueshme. Prandaj vjen më pas fjalia non capisco. Por fjala ostrigota të kujton edhe fjalinë I got it dhe Joyce shkruan ora capesco që përzin capire dhe uscire, duke dalë kësisoj, ndoshta befas ose nga labirinti i Finnegans.
E vërteta është që Joyce-it nuk i bëhej vonë fare për të gjitha problemet tona të përkthimit. Për atë kishe rëndësi vetëm të shpikte një shprehje si Ostrigotta, ora capesco.
Nëse nga përkthimi i Schenoni-t, duke e përkthyer sërish në anglisht do të arrihej diçka shumë pak e ngjashme me origjinalin, për variantin e Joyce kjo nuk mund të thuhet.
Po të përkthehej në anglisht, do të kishim në dorë një tekst krejt të ri.
Joyce italian nuk është sigurisht një shembull i përkthimit “ besnik”. E pra, duke lexuar këtë përkthim të tij, duke e parë tekstin kryekëput të rimenduar në një gjuhë tjetër, mund të kuptosh mekanizmat e thellë, llojin e lojës që ai synon të luajë me leksikun, efektin e një universi të flatus vocis, që vazhdimisht shpërbëhet dhe rilidhet në molekula të reja, shumë larg besnikërisë ndaj këtij apo atij referimi.
Joyce, në njëfarë mënyre, mbetet brenda kufijve të përkthimit të mirfilltë dhe nuk përhapet në kënetën e interpretimeve të çlirëta.
Ai shenjon një kufi të skajshëm, me sa duket e pakuptueshëm: por kufijtë-për të cilat zhvillohen luftëra të egra-nuk  janë bërë vetëm për të përcaktuar  çfarë qëndron jashtë tyre, por edhe për të përcaktuar çfarë mbetet brenda.

*Shkëputur nga libri i Umberto Eco: “Të thuash gati të njëjtën gjë-Përvoja përkthimi”

Përkthyen: Mariana Ymeri &Alketa Ylli

Përgatiti: ObserverKult

—————–

Lexo edhe:

UMBERTO ECO: MA HIQ QAFE ATË CELUAR…