Unë dhe ish-et e mia ishim shumë të ngjashëm, fragment nga “Nënshtrimi” i Hollebekut

Unë dhe ish-et

Vazhdoja, vit pas viti, të shkoja me studentet e mia- dhe fakti që isha profesor i tyre, nuk ndryshonte ndonjë gjë të madhe. Ndryshimi në moshë sidoqoftë ishte i papërfillshëm, vetëm me kalimin e vieteve filloi të bëhej pengesë, me përmirësimin e statusit tim universitar dhe me plakjen time reale apo të dukshme.
Përfitoja plotësisht nga pabarazia themelore, sipas së cilës, plakja ia zbeh gradualisht potencialin erotik burrit, ndërsa te gruaja rënia vjen me një vrazhdësi tronditëse, për pak vjet, shpesh për pak muaj.

I vetmi ndryshim krahasuar me kohën kur kisha qenë student, ishte se në përgjithësi tani i jepja fund vetë lidhjes në fillim të vitit akademik. Nuk e bëja aspak për donzhuanizëm, as nga dëshira për kurvëri të shfrenuar.

Ndryshe nga kolegu ime Stivi, me të cilin jepnim lëndën e letërsisë së shekullit XIX tek vitet e para dhe të dyta, nuk sulesha me lakmi që ditën e parë të shkollës, për të parë ‘prurjet e reja’ të studenteve të vitit të parë (me bluzë sportive, atlete lecke dhe stilin paksa kalifornian, ai më kujtonte Tierri Lermitin tek filmi Lez Bronzes, kur dilte nga kasollja për të parë ardhjen e pushuesve të javës). I ndërprisja marrëdhëniet me vajzat më shumë nga mërzia, lodhja; në të vërtetë, nuk ndihesha i aftë të mbaja një lidhje dashurore dhe doja shumë që të shmangja çdo zhgënjim, çdo dështim. Më prishej mendja gjatë vitit shkollor, nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, fare të papërfillshëm-zakonisht për ndonjë minfund.

Më vonë edhe kjo mori fund. Isha ndarë me Mirjamin, në fund të shtatorit, ishim tashmë në mes të prillit, po afronte fundi i vitit akademik dhe s’e kisha zëvendësuar ende. Kisha marrë titullin profesor, karriera ime akademike kishte arritur një farë kulmi, por nuk shihja ndonjë lidhje midis të dyjave.


Pak kohë pas ndarjes sime me Mirjamin, njoha Amelinë, pastaj Sandrën, por ishin lidhje turbulluese, të shëmtuara, të sikletshme. Por e kuptova pasi vrava mendjen më vonë: unë dhe ish-et e mia, ishim shumë më të ngjashëm se sa e mendonim, marrëdhëniet seksuale rastësore, të kryera jashtë një lidhjeje të qëndrueshme, na kishin mbushur me një ndjenjë zhgënjimi të tillë. Ndryshe nga ato, unë nuk mund të hapesha me askënd, sepse bisedat për jetën intime nuk bëjnë pjesë mes temave të pranueshme në shoqërinë e meshkujve; ata flasin për politikë, letërsi, tregje financiare, sport, në përputhje me natyrën e tyre; për jetën dashurore, heshtin, madje deri në frymën e fundit.

*Shkëputur nga romani “Nënshtrimi” i Michel Houllebecq, përktheyr nga Edit Dibra, botoi Skanderbeg Books, Tiranë, 2015

ObserverKult

—————————-

Lexo edhe:

INTERKULT: MYSAFIRE, POETJA RITA PETRO (VIDEO)

Kliko edhe:

NDRE MJEDA: KÛ KÉ NANEN ME DERDHË LOT?

Edhè shtâza po gazmohet,
Edhè bari mungullon ;
N’ shênd natyra gjith po çohet,
Veç ti, i mjeri, po gjimon.

Kâng’ e valle tui bashkue
Shênd prei gojet gjithkush qet ;
Veç i vorfni tui dertue
Porsi i huej â n’ gjiní t’ vet.

Tui ankue per t’ zeza t’ veta
Per gjith derë tui lyp’ kerset ;
Per ‘tê t’ dhimtun kerkund s gjeta:
Porsi i huej â n’ katund t’ vet.

Lodh’ e ûnshem, kúr vjen nata,
N’ prêhen t’ nanës me shkue kujton ;
Edhè nana i diq e ngrata,
E kush t’ vorfnin se ngushllon.

Bab’, oh! babë! sa herë ndo ‘j trimit
Do me i thanë tui derdhun lot ;
Po per têne â fjalë trishtimit,
 nji fjalë qi permêndë kot.

Per dhé t’vet tui dalë n’ushtrí
Rrebtë qindroj i jati e diq ;
Sot i vorfni askund nji shpí,
Nji copë buk s e gjên nder miq.

Ah! ti njome, o njome e mjera,
Dit’ e natë qi po vajton ;
Kund nder miq nuk t’ çilet dera,
Kerkush vajin s ta pajton.

Dit’ e natë pá buk e shpí
Shkote i vorfni andej e këndej,
E prei t’ pasunish zotní
Nji fjalë t’mirë kerkush s ja kthej.

Kû ké baben me t’ ndimue ?
Kû ké nanen me derdhë lot?
Tý gjith robi t’ ká harrue,
Kerkush s’do me t’ dalun zot.

Tui rá bórë, tui frye murlani,
Mjet dý vorreve si ‘j lis,
Afer gropës qi vet’ e bâni,
Djali i vorfen u molis.

poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult