Unë jam ajo grueja që mësoi me dashtë vedin…

Jam grueja që e kishe dashtë edhe ti por Zoti nuk t’i jep tana.

Nga Arjola Zadrima

Në moshën që kam nuk më intereson mendimi i të tjerëve.
Kam arritë një ekuilibër mendor dhe shpirtnor.
Kur arrihet kjo, si lumtunia, dashnia e shumë gjendje të tjera jetohen disi ma ndryshe. Perceptohen ndryshe.

Gjithashtu karakteri i fortë më shtyn gjithmonë drejt zgjidhjes dhe zgjedhjes. Kur kalon stuhi mbas stuhie, uragani të duket një dukuri sa zbavitëse aq shkatërruese e të kalumes.

Njerëzit nuk arrijnë me të lëndu dhe kjo asht një çmim që çdo gru e meriton.
Nuk ka lidhje me ndjeshmërinë por me besimin tek vetja, me vendosmërinë dhe vlerësimin ndaj unit.

Nuk pres prej askujt me më thanë që jam një gru e jashtëzakonshme.
E di mirë që jam dhe kur ma thonë nganjëherë pyes vedin, a thu kaq vonë e kanë kuptue?

Gjatë kohëve të fundit kam mësu se shumëkush pretendon me të ba keq, me të kritiku, me të fy etj.
Dersa vjen një çast dhe kur kthej kryt kuptoj se shpesh njerëzit fillojnë me i ngja asaj çka kanë përbuzë.

Dhe ky reagim sinqerisht më sjell një humor të hollë, mandej jam unë ajo që krijoj role të ndryshme sidomos kur më pëlqen imitimi.
Unë e kam arritë paqen e brendshme.
Mendoj në qetësi, flas lehtë dhe mbi tana kam një imagjinatë me u pasë zili. Ah po he pra ça kam unë që më pëlqeni kaq shumë?
Në fakt nuk po du me ditë përgjigje prej askujt, unë jam ajo grueja që mësoi me dashtë vedin.
Grueja që kalon kryenaltë dhe ndjek veç andrrën e saj.
Jam grueja që e kishe dashtë edhe ti por Zoti nuk t’i jep tana.
Jam grueja që duhet me u pasë frikë kur të përbuzë me shikim.
Jam grueja e lirë krejt e kundërta e asaj çka po blueni me mend. Jam gjithçka dhe mbi të gjitha GRUEJA!!!

ObserverKult

Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: JAM GRUEJA E DASHNIVE TË MARRA