
Nga Xhemazije Rizvani
Romani “Unë, Mario” rrëfen historinë e një njeriu që largohet nga jeta e tij e mëparshme dhe përfundon në një realitet të ri, ku për të mbijetuar duhet të pranojë një identitet tjetër. Personazhi kryesor, që në një moment identifikohet si Muhamet, punon në një restorant në një vend të huaj, ku të gjithë e njohin dhe e thërrasin me emrin “Mario”.
Historia zhvillohet kryesisht në ambientin e restorantit një hapësirë ku jeta duket e rregullt dhe e qetë për klientët, por që nga brenda është plot tension, lodhje dhe ritëm të pandërprerë pune. Personazhi hyn në këtë botë përmes derës së pasme, në një kuzhinë të mbushur me zhurmë, avull dhe urdhra të shpejtë, ku ai duhet të mësojë menjëherë rregullat e mbijetesës.
Në fillim ai ndihet i huaj, i vëzhguar dhe i pavendosur, por gradualisht fillon të përshtatet me rolin e kamerierit. Ai mëson të mbajë tabakanë, të lëvizë mes tavolinave dhe të sillet në mënyrë neutrale, sikur të ishte pjesë e vetë ambientit. Në këtë proces, ai kupton se puna kërkon jo vetëm forcë fizike, por edhe një maskë sociale një mënyrë për të fshehur historinë personale dhe për t’u bërë i pranueshëm në një realitet të ri.
Një moment i rëndësishëm në roman është kur disa njerëz që flasin shqip e njohin dhe e thërrasin me emrin e tij të vërtetë. Kjo e vendos personazhin përballë një tensioni të brendshëm: mes identitetit që kishte dhe atij që tani është detyruar të marrë. Ai zgjedh të vazhdojë të sillet si “Mario”, duke mbajtur distancë nga e kaluara dhe duke u përpjekur të mos e zbulojë veten.
Me kalimin e kohës, emri i ri fillon të bëhet pjesë e përditshmërisë së tij. Ai reagon menjëherë kur thirret “Mario”, sikur ky emër të ishte gjithmonë i tij. Ky proces tregon se identiteti mund të ndryshojë gradualisht, jo përmes një vendimi të madh, por përmes përsëritjes së përditshme të një roli.
Megjithatë, romani nuk ndalet vetëm te humbja e identitetit. Në një fazë tjetër të jetës së tij, personazhi arrin të krijojë një hapësirë më të qëndrueshme dhe të qetë, ku ai fillon të rikthejë autoritetin dhe vlerën e vet. Restoranti shndërrohet në një vend të rregullt, me atmosferë të qetë dhe të menduar në çdo detaj, ku njerëzit ndihen mirë dhe qëndrojnë më gjatë se sa kishin planifikuar.
Në thelb, “Mario” është një roman për emigrimin, për kompromiset që njeriu bën për të mbijetuar dhe për mënyrën se si identiteti mund të ndryshojë në një botë të re. Autori ndërton një rrëfim të qetë, por të thellë, ku drama nuk është e zhurmshme, por e brendshme: një betejë mes asaj që njeriu ka qenë dhe asaj që bëhet me kalimin e kohës.
Libër që e rekomandojmë për lexim pasi është i ngritur mbi një mall dhe sfida të shumta të një mërgimtari që heq dorë nga profesioni i gazetarit dhe merr rrugën e mërgimit, për momentin drejton një nga restorantet më të sukseshme në Zvicër me emrin ” Roma” . Ashtu si të gjitha rrugët që të çojnë në Romë, Roma e Mujës ngelet Tetova dhe dashuria e tij e madhe që e ka për këtë qytet. Aq e madhe, sa diç thotë ai, edhe kur është në Zvicër, çdo ditë i bie kah Tetova, për të shuar mallin sadopak.
ObserverKult
Lexo edhe:
Pyetësori i Prustit/ Xhemazije Rizvani: Kujdes çka dëshiron se mund të të plotësohet!






