Nga Silvana Kola-Loka
Dhe këtu bie perdja. Çfarë mund të thuash për dikë që mendon se nuk është mjaftueshëm i mirë për ty? Si mund t’ia bësh tjetrit të qartë se, për ty, ai është i mirë mjaftueshëm?
Njeriu është një qenie kaq komplekse!
Poshtë lëkurës, mbart kaq shumë gjëra për veten, të cilat herë i shikon e shumë herë të tjera jo; herë është i ndërgjegjshëm që i zotëron e shumë herë të tjera jo.
Dhe, sigurisht, një ndër mënyrat më të drejtpërdrejta për të njohur veten është përmes tjetrit. Dhe mes shumë marrëdhënieve me tjetrin, dashurimi është marrëdhënia e cila e përshkon njeriun më tejpërtej se çdo marrëdhënie tjetër.
Çfarë bën tjetri ndërsa dashurohet me ne? Kur dikush vjen drejt nesh, ai vjen me gjithçka tijën; atë që duket dhe atë që nuk duket, atë që ai e di se e zotëron dhe atë për ekzistencën e të cilës ai është në errësirë të plotë. Dhe, ndërsa dashurohet me ne, ai e lëshon veten me (thuajse) gjithçka është. Si arrin ta bëjë këtë?
Nëse është dashuri nga ato të vërtetat, dashuria jonë e bën të ndjehet kaq i sigurt se nuk do të lëndohet sa priret të përshqafet plotësisht, me të dukshmet dhe të nëndheshmet e tij, pa frikë.
Mirëpo, gjatë këtij procesi, ndodh që vetëm ne që e dashurojmë, të pranojmë gjithçka që zbulojmë tek ai, pavarësisht gjithçkaje. Për ne, zbulimi i tij si njeri dhe dashurimi pas tij ndodhin njëkohësisht, ndaj edhe ne nuk prodhojmë shumë rezistencë për ta pranuar.
Tjetri? Për fat të keq, të gjendur në mënyrë të paparashikuar (dhe ndoshta të padëshiruar) ‘lakuriq’ përballë nesh, tjetri nuk e pëlqen atë që është; nuk dëshiron ta pranojë atë që është. (Mbase pikërisht për këtë arsye ai, në mënyrë të pandërgjegjshme, ishte siguruar që ato pjesë tijat t’i groposte aq thellë!)
Dhe kësisoj ai vjen dhe na thotë: “… unë nuk jam i mirë mjaftueshëm për ty…!”
Si i bëhet në të tilla raste, do më pyesni ju?
Përveçse ta sugjeroni tjetrin t’i drejtohet psikologut, ajo që më bëhet të them në këtë rast është se, ndoshta, është e udhës të bëjmë paqe me një fakt: sado ta duam dhe ta pranojmë tjetrin për atë që ai është në sytë tanë, ne nuk do të mundemi dot asnjëherë ta bindim tjetrin të dojë dhe pranojë veten për atë që ai është.
Tek e fundit, ai e shikon veten me sytë e vet dhe, ndoshta, me të vërtetë, bukuria është në sytë e atij që e shikon…
ObserverKult
Lexo edhe:
SILVANA KOLA-LOKA: KËTO JANË KOHË TË VËSHTIRA PËR DASHURINË!