Unë të kam dashtë marrëzisht, si i çmendun dhe me gjithë shpirt

Unë të kam dashtë marrëzisht, nga: Mustafa Greblleshi

Letra e Memlit:

“Pëllumbesha ime,
Vallë, kaq mëkatar i madh qenkam sa të mos të shifemi as për të fundit herë?

Nejse…
Që unë të kam dashtë marrëzisht, si i trenuem dhe me gjithë shpirt, e dëshmojnë vuajtjet e mija të gdhenduna në këtë radhor, të cilin do ta la ty për kujtim. Në tè, do ta njofish imtësisht shpirtin tim të pastër dhe dashuninë e pamatun, sepse zemra ime, që u ba preja jote nuk vjedhë kurrë prej ndonji femne. Ta dhurova ty zemrën, vetëm sepse ti mund të m’i hapshe dyert e lumnìs që s’u çelën asnji herë për mue. Vetëm sepse ti ishe grueja që unë kërkojsha!
Por…

Por për fat të keq, kundërshtarët tonë të fortë: fanatizma dhe yt atë triumfuen dhe na shtypën. Megjithate, ti e njef mirë karakterin tim të pamposhtshëm. Unë kam vendosë nji ditë se a do të gjej lumnìn ose do ta përqafoj tokën e ftofët!
Dhe ora fatale po tingëllon…

Jeta pa ty s’ka fare vlere, më duket pa shije e hije, më ngjanë e ftofët, e errët si Ferri i neveritun. Pra, përse të dergjem, të rënkoj e të gjëmoj akoma nën mëshirën e jetës, e cila po më përbuzë keqas? Mue, vetëm vorri më dhuron prehje, heshtje e qetësi.
Dikur kemi qenë betue mbi dashunìn tonë ideale, të kujtohet? Në qoftë se do të kesh pak dhimbë për mue, shlyeje atë betim, bindiu dëshirës së babës tand, përqafoje atë burrë, në krahët e të cilit të përplasi yt atë, me që je e rè, tepër e rè dhe jeta asht e gjatë!
Ma premton?
Humbja ime, nuk duhet të të dëshpëroj sepse unë në këtë mënyrë, po i jap me kuptue haptas fanatikëve se sa thellë i zhynë duert me gjak të pafajshëm. Ti duhet të jesh krenare që nji i rì, vetëvritet për hir të përsosmënìs sate, apo jo?
Tash edhe pak çaste jam në jetë. Po përgatitem për nji udhëtim të gjatë, të largët, prej të cilit nuk u kthye askush… Ndoshta atje ku do të shkoj, do të mundem me e përqafue rishtas edhe nanën e shkretë. Po vdes Margot, tue e pasë në gojë emrin tand të dashun deri në frymën e fundit.

Atje në shkrepat e katundit tim, do të më vajtoj edhe nji vashë tjetër: Nezi, ime motër. Prandaj kur të lutesh për qetësìn e shpirtit tim, kujtoje edhe Nezin, atë gocë të padjallzueme, e cila – me humbjen e pazavendësueshme të të vëllait – po mbetet fare e vetme në këtë botë. Ajo do të detyroj të më kujtosh mue, dhe ti do t’i ftekish asaj të vëllanë.

Të rilutem, të veprosh pikërisht mbas këshillave e udhëzimeve të mija, Ditarin tim, rueje si sytë e ballit sepse vetëm ai ta përmend Memlin!”

*Shkëputur nga romani “GREMINA E DASHUNIS”, Rilindja, Prishtinë 1976

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

Ç’ASHT DASHUNIJA… SA HERË IA KAM BA VEHTES KËTË PYETJE

Nga: Mustafa Greblleshi

8 shkurt 193…

Ç’asht dashunija?
Kushdi sa herë ia kam ba vehtes këtë pyetje që na paraqitet tepër modeste në sipërfaqe, por asnjiherë nuk munda me ia mbërri përfundimit të dëshiruem: due me thanë, nuk hasa kurrkund në zgjidhje. Dhe pikëpyetja orvatet gjene në pasqyrën e truvet të mija, ndonse po e bluej gjithnji në mend mënyrën e gjetjes së zhvillimit.Por…më kot.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult