Pas mërzisë së madhe që solli ndër shqiptarë, regjistrimi si trashëgimi botërore këndimi me guslë i Serbisë, si një lloj “vjedhjeje” a padrejtësie e fqinjëve, të cilët, kishin përvetësuar një traditë autoktone të viseve shqiptare që u këndojnë bëmave të kreshnikëve të maleve me lahutë e pas ngërçit mëse dhjetëvjeçar mes Kosovës dhe Shqipërisë, për të kandiduar me një dosje të përbashkët për njohjen e Këngëve të Kreshnikëve në Unesco, ministrja Margariti, pak ditë më parë do të bënte me dije, se kishte nisur puna për përgatitjen e dosjes, shkruan SI.
Kjo do të niste pas një memorandumit që Ministria e Kulturës nënshkroi me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, për klasifikimin e katër dukurive kulturore si pasuri jomateriale në Unesco, ndër ta: “k’cimi me tupan i Tropojës, rituali i shtegtimit të bagëtive, xhubleta dhe Eposi i Kreshnikëve”.
Të mbledhura nga priftërinjtë françeskanë për rreth dyzet vjet, mes të cilëve spikatën At’ Shtjefën Gjeçovi, At’ Vinçens Prenushi, At’ Bernardin Palaj e Donat Kurti, janë të paktë ata rapsodë a lahutarë që e mbajnë gjallë traditën e të kënduarit të bëmave të çetës së Gjeto Basho Mujit dhe tridhjetë kreshnikëve, ku ngjarjet historike – ato të dyndjeve të popujve sllavë në trojet ilirike apo pushtimi otoman – përzihen me krijesat mitologjike si Zanat dhe Orët e maleve dhe fuqinë e mbinatyrshme të Mujit dhe Halilit. Një Iliadë e fiseve ilire, që luftojnë për të mos e lënë “Trojën” e tyre, Jutbinën, në duart e armiqve.
“Sido qi të jèt puna, e vërteta âsht, qi, si thàm në fillim, prrallat, legjendat, rapsodijat, kanë nji rândsì të madhe në zhvillimin e historisë e të kulturës s’popujve, e se prandej ato duhen mbledhë e ruejtë me kujdes të madh, si njâni ndër mâ të çmueshmet visare kombtare”, shkruhet në parathënien e vëllimit të dytë të librit “Visaret e Kombit”, ku Bernardin Palaj e Donat Kurti, patën mbledhur e redaktuar më 1937-ën, Këngët e Kreshnikëve dhe legjendat.
Plot 342 këngë, apo më shumë se tetëmijë vargje u mblodhën nga françeskanët, me fillesat e At Shtjefën Gjeçovit dhe punën në vijim të P.Bernardin Palajt, i cili, i mblodhi duke udhëtuar vetë nëpër male.
“Në vjetin 1924 me botimet në Hylli i Dritës u bâni me dijtë shqiptarvet e të huejvet, se kângët e kreshnikvet jo veç e s’ishin për t’u përbuzë, por përkundrazi do të çmoheshin si visare literatyre, si monumenta të gjallë fisnikije shpirtnore e si përfytyrimet e pastërta të karakteristikave kombtare”.
Populli këndonte, duke ruajtur gojë më gojë gjatë shekujve, eposin me protagonist Gjeto Basho Mujin e bashkë me tiparet e tij të fuqishme, të pathyeshme e të pavdekshme, ishin ruajtur shprehitë e gjuhës dhe fizionomia e kombit.
Ata që i mblodhën këngët e moçme të kreshnikëve, nuk i gjetën gjithkund. Ato ishin ruajtur e këndoheshin në raste të veçanta në Malësinë e Madhe, në Dukagjin, në Kosovë, në Pukë, në Dibër, në Ljare e në Shestan.
“Mbas njìi shqyrtimi të kujdesshëm vëhet re, se ndër kto kangë mshehet ndiesija për pamvarsi, pse gjithkund del në shesh lufta e fisevet shqiptarë të blokut Mal e Zi – Shqipni kundra sllavit, qi tue kapërcyem Danubin, msyn qendrën e ktyne fiseve: Jutbinën”, shkruajnë Bernardin Palaj dhe Donat Kurti, në “Visare të Kombit”.
Përftimi i këngëve të Kreshnikëve i vinte dy priftërinjtë përpara një pikëpyetjeje. “Ktu sigurisht nuk këndohet myslimanizmi si në luftë me kristhjanizëm; por, këndohet fuqija e njij rrace rreth njeriu, qika punë me zana shqiptare, kundra fiseve slave qi duen me i dërmue trojet e tija; kështu qi mbas shpirtit t’edave shqiptar, asht përsonifikimi i luftës ndërmjet rracash.
Shka veç se këto kangë këndohen edhe në Bosnje e në Hercegovinë për rreth të njajtës qendër, për rreth Jutbinës”.
Jutbina apo “Troja” e shqiptarisë gjendet sot në jug të Kroacisë, e njohur me toponimin sllav si Udbina, e mbajtur si kryeqendra e shqiptarëve apo arbanëve, që kaluan nga fiset ilire në identitetin arbëror, si pasojë e përballjeve me popujt sllavë.
Ky konflikt, që filloi gjatë dyndjeve të para të fiseve sllave në Ballkan në shek. VI-VII, i përsëritur pastaj edhe më vonë, sidomos në shek. X-XIV në kohën e shtrirjes së shteteve sllave drejt Jugut e Perëndimit të Ballkanit, e ruajti të gjallë tensionin e armiqësisë në zonën e qarkullimit të eposit kreshnik, sidomos në krahinat veriore.
Siç shprehej studiuesi Alfred Uçi, figurat e simbolet mitologjike-përrallore, që bart eposi ynë legjendar, dëshmojnë qartë për funksionet etnike të tij qysh në kohën e formimit të tij të lashtë. Në këngët më të vjetra përfshihet tabloja e një lufte të pandërprerë për të mbrojtur trojet e veta, kullotat, bjeshkët, vërritë, zakonet dhe interesat e kolektivit të vet nga vërshimet e bajlozëve, të arapëve, harambashëve e krajlëve të huaj.
“Vetëdija etnike forcohet dhe fiton trajta më të kristalizuara në kushtet kur fillojnë proceset, që kurorëzohen me krijimin e një bashkësie më të zhvilluar, siç është kombësia. Edhe vetëdijen etnike të kësaj shkalle të zhvillimit të bashkësisë sonë e shpreh eposi ynë legjendar, kur pasqyron sidomos konfliktin etnik shqiptaro-sllav”,– mendonte akademiku Uçi, i cili, ishte i bindur se eposi i kreshnikëve e kishte vendin e tij në arealin e epikës botërore dhe meritonte vëmendjen e folkloristikës së përgjithshme.
“A mos kemi punë me nji qerthull kangësh për rreth ndoi Trojë së rrënueme gjatë inondatavet serbe, qì edhe mbas metamorfozës së fiseve ilirjane në slavizëm kanë ruejtë sikurse ndër sa e sa doke, kujtimet e asaj kohe kreshnike?”, – shkruante At Bernardin Palaj.
Për studiuesin dhe historianin Injac Zamputti, ardhja e sllavëve në trojet ilire është fakt historik, i zhvilluar në një hark të gjatë kohor. “Ngulitjet kanë ndeshur në kundërshtimin e banorëve autoktonë siç e dëshmojnë vetë Këngët e Kreshnikëve. S’ka mundësi që këto këngë të jenë krijuar jashtë realitetit”, – shkruante Zamputti.
Rëndësia e këngëve epike në zonat mes Malit të Zi, Bosnjës, Shqipërisë dhe Serbisë u theksua nga kërkimi thelbësor i Milman Parry dhe Albert Lord në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kërkimi dhe studimi i këtyre repertorëve, në marrëdhënie me të shkruarin e eposit homerik, i lejoi dy studiuesit të fokusoheshin në koncepte të rëndësisë thelbësore në studime e traditave gojore dhe atyre të shkruara të eposit. Këta dy personazhe, shkrimtari Ismail Kadare, do t’i përfshinte në romanin e tij “Dosja H”.
“Fakti se “Kângët e Kreshnikvet”, këndohen vetëm ndër boshnjakë e hercegovinas, ndër malazez që janë shqiptarët e djeshëm e ndër shqiptarë të veriut, asht mjat symtpomatik; por nuk do ngutë në përfundim. Mbas mendimit tonë kësaj çâshtjeje ka me mujtë me i përgjegjë, si të studjohet mirë ethnografia e këtyne fiseve,sigurisht ma të mbramet m’u slavizue”.
Emrat myslimanë në këngët e kreshnikëve, nuk donin të thoshin se luftërat ndodhnin në emër të feve, por ishin me karakter etnik. Sipas dy studiuesve françeskanë, Bernardin Palaj dhe Donat Kurti, emrat ndryshonin sipas vendit ku këndoheshin apo edhe sipas rapsodit që i këndon. “Sa mâ afër nesh, aq mâ emna të rij parashallarësh e agësh, e pra argumenti âsht i njinjishëm me kângët mâ të hershmet”.
Gjeto Basho Muji, Zuku, Basho Jona, Balozi, Behuri, Hasapi, Budi i Talit, Ajkuna, Rushja, Tanusha, Paji, Frashi i Marjanit, Gavrri, Kreshti, Afer Isvanoi, Kotuzi Gaani, Patusha. Kotorri, Lugjet e Verdha, Kunora e Bjeshkës, Tuna, Jutbina, Krahina, Budina, Zahara, Bjeshka e Thatë, etj.
“Këta po na bajnë me mendue për njì kohë ilirjane në luftë me inondata slave. Shpirti i rapsodive asht fjesht shqiptar, psparaqet kjartë të gjitha kkrakteristikat e shqiptarit e vetë të shqiptarit: besa e zanavet, e orvet e kreshnikvet, burrnija e trimnija e tyne edhe me anmiq: me slavë, besntytnit e popullit t’onë, doket, miku, dashtnija e ndera e familjes, trimnija e ndera e gravet, etj: shprehen ndër kangë në mënyrë të gjallë e gjanat e ndryshme, me të cilat rapsodët e maleve t’ona paraqesin fytyrat e heronjve në kët duel”, – shpjegohet në parathënien e librit “Visare të Kombit” .
Studiuesja Andromaqi Gjergji e shihte si nevojë e popullit shqiptar, në rrethanat e një qëndrese shumëshekullore, t’i thurte lavde e të himnizonte heronjtë që i bënin rezistencë pushtuesit.
“Në epikën tonë legjendare një nga konfliktet kryesore është konflikti etnik. Mund të përmendim gjithashtu se në dyluftimet (mejdanet) që përshkruhen në epikën legjendare heronjtë zakonisht e veçojnë veten mirë etnikisht nga kundërshtari dhe jo, p.sh., në pikëpamje fetare, si ndodh në epikën e popujve të tjerë. Të gjitha këto dëshmojnë se rapsodi popullor, që i ka përcjellë këto këngë nga një brez në tjetrin, ka qenë i vetëdijshëm për përkatësinë e vet etnike”, – shkruante Andromaqi Gjergji.
Edhe Enver Mehmeti, e mendon se mitizimi i heroi kreshnik, vinte si formë për t’u përballur me kundërshtarin.
“Me anë të mitizimit të heroit kreshnik në pikëpamje të fuqisë fizike përmbushen nevoja të karakterit social, psikologjik, estetik të malësorëve, të cilët shpeshherë në pamundësi që t’u përballojnë realisht forcave destruktive me prejardhje historiko-shoqërore, kanë krijuar imagjinativisht heronj të tillë të pajisur me fuqi kolosale mitike…”
Shkrimtari Ismail Kadare e sheh kohën si të ndalur në vend, në Eposin e Kreshnikëve, ndërsa hapësira është e ndryshueshme. “Është tamam ajo që tregon një lashtësi, një origjinalitet dhe autoktonitet tepër të madh të ciklit. Koha këtu ka një kuptim metafizik, nuk lëviz. Veprimi vazhdon qindra vjet, përsëritet e njëjta gjë. Pse përsëritet? Sepse drama që përshkruan ky epos është e pazgjidhur, drama është e vazhdueshme, vazhdon një mijë vjet, një mijë e dyqind vjet, dhe vazhdon deri në kohën tonë”, – shkruan Kadare, duke shtuar se, ndryshe nga poemat homerike apo Kënga e Rolandit, ku hapësira është e përcaktuar, te Cikli i Kreshnikëve ajo lëviz.
“Ky është motivi kryesor i luftës dhe ky është shkaku që skena lëviz vazhdimisht nëpër kufijtë e lëvizshëm ku bëhet lufta. Historia është një dyndje, vazhdon qindra vjet dhe dëshmia e saj bëhet në qindra skena”.
Rapsoditë më të bukura për ata që i mblodhën nëpër Malësi, si për nga poetika ashtu edhe argumenti, këndoheshin në Curraj të Epërm, në Mërtur e në Dukagjin.
Të shoqëruara nga e pandashmja lahutë, që në Malësi thirret lahutë apo edhe sharki. “Në vend të kordhavet ka një toje qymesh kaloi, qì rregullohet nëpër njì çile të vetme, i përngjet lahutës etjope, e cila ndryshon veç në trajtë katrandshe. i bihet me një hark a një thupër të vogël”, – shkruajnë Bernardin Palaj dhe Donat Kurti.
Në veprën e parë shqipe, “Çeta e Profetëve”, Pjetër Bogdani shkruan për lahutën
‘..ata që kënduekshin ndë mjedis të vashzavet e rasa të laudeve….’
Rapsodët, që kanë luajtur rol të rëndësishëm në bartjen e traditës së eposit, nuk janë profesionistë, nuk e ushtrojnë mjeshtërinë e tyre nën stimule materiale, por këndojnë kur t’u jepet rasti në familje a ndër miq, në fis të tyre a ndër fise të tjera, ku shkojnë për festa të ndryshme familjare e popullore.
Po edhe gratë, sipas studiuesve Zihni Sako dhe Qemal Haxhihasani, edhe pse s’kanë pasur zakon të dalin përpara popullit me lahutë, me përjashtim të virgjënave, të vajzave që s’martoheshin dhe visheshin si burra, dinë përmendsh me qindra dhe mijëra vargje nga këto këngë, madje ka asosh që i bien edhe lahutës.
Meloditë e këngëve të kreshnikëve janë të thjeshta, me një shtrirje vokale të kufizuar, që nuk kalon zakonisht kuintin. Kjo vijë melodike me të cilën shoqërohen këto këngë, duke mos pasur zbukurime të ndieshme, ka më tepër karakter recitativo-melodik, me të cilin rapsoditë të kujtojnë aedët e vjetërsisë, të cilët kalonin prej një vendi në tjetrin, duke lartësuar gjestet e trimave. Këngëtarët i interpretojnë këngët e kreshnikëve me një zë të fortë gjoksi dhe me një ton burrëror, që shkon në harmoni me vijën epike të ngjarjeve.
“Rapsodi ka një teknikë të vetën, e cila duke u përpunuar nëpër shekuj, ka përftuar formën kristaline të saj. Një teknikë e tillë u ep mundësi rapsodëve që të mbajnë mend, me dhjetëra mijë vargje, të veprojnë mbi to në mënyrë aktive, – për pasurimin e këngëve, për krehjen e tyre, për një ekzekutim origjinal, duke shtuar kështu variante, elementet artistike, format e tregimit.”, shkruan Zymer Neziri në antologjinë “Këngë të Kreshnikëve”, botuar në Prishtinë, më 2009-ën. Neziri madje, përgatiti dosjen për Ciklin e Kreshnikëve për në Unesco, që ia dorëzoi asokohe ministrit të Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi.
Mes këngëve epike të kënduara me lahutë protagonistet janë Zanat e Malit dhe Orët. Janë ato që kur shohin se sllavët duan të kapërcejnë Danubin, kërkon dikë që t’i prijë çetës e t’u bëjë ballë.
Në këtë kohë Muji, një çoban prej Klladushe, që del të kërkojë çetave lopët, ndesh dy djepe dhe i vë foshnjat në gjumë Me t’u kthyer, zanat i japin si shpërblim fuqi të madhe dhe zotësinë me mujtë, nga ku rrjedh emri Muji. Krijesat mitologjike dhe ndërveprimi i tyre me vdekatarët u ngjan atyre të poemave homerike.
Por ndryshe nga to, që janë thellësisht fetare siç thotë studiuesja Mina Skafte Jensen, “në këngët epike shqiptare perëndia përmendet në vargjet e hyrjes dhe ndonjëherë në ndonjë mallkim që përdor heroi. Por, në bazën e tyre ato nuk lidhen me fenë zyrtare”.
Lum për tý, o i lumi Zot!
Fort po shndritë njaj diell e pak po xe’!
Ç’p’e merr frima rrapin e Jutbinës!
Borë e madhe, qi ká rá,
Rândojnë ahat për me u thye;
Ki’n çetinat vetëm kreshtat:
Ushtojnë lugjet prej ortiqesh,
Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa.
Janë rá vashat me gjâ n’lumë,
Kan gjetë lumën tânë ngri akull;
Kan nisë vashat me lypë krojet,
Kan gjetë krojet tânë ngri hej,
Ça kan qitun e kan thânë?
Janë këto vargje nga Kënga “Martesa e Halilit”. Pas takimit me zanat Muji bëhet luftëtar kundër sllavëve dhe rëndësi të madhe në çetën e tij ka i vëllai, Halili, i biri Omeri, Dastar Osman aga, i nipi, Arnaut Osmani, Zuku Bajraktar, Ali Bajraktari, Budi i Talit dhe Basho Jona.
Luftimet ndërmjet kreshnikevet të Jutbinës e kralave sllavë zhvillohen nëpër qytetet të Kotorrit, të Kotorreve të reja të Budinës e Zaharës, si edhe nëpër Bjeshkë të Nalta. Ndër të ndeshuna hyn edhe baloza deti e toke, t’ardhun pre dhenash të largta për bejleg.
Sipas Zamputti-t, Zona malore e quajtur Berda, që sot është pjesë plotësuese e Malit të Zi dhe ku sot gjendet kryeqyteti i tij, deri në njëzetvjetorin e parë të shekullit XVIII, nuk ka bërë pjesë në formacionin politik të Malit të Zi, por qe zonë politikisht më vete e përfshirë në bashkimin malor të Maleve Shqiptare dhe, në raste të veçanta, qe aleate e Malit të Zi, me të drejtat e veta të veçuara. Kjo provohet me dokumentet e kohës.
Ashtu si edhe tek “Iliada” e Homerit, shkak i luftrave, në të shumtën e herëve është rrëmbimi i grave, si ai i Tanushës. Po ashtu, bie në sy tradhtia e grave të rrëmbyera sllave, si edhe depërtimi i sllavizmit mes fiseve ilire.
Jutbina, Troja e Mujit, kurrë nuk pushtohet me luftë, “vetëm ndoi herë i del ndo shkjaut me depërtue tradhtrisht në qytet e me ia djegë kullën Mujit”. Ky dyluftim ndërmjet dy fiseve zhvillohet me vite e vite, pa u mbyllur përfundimisht.
“Pa u përmendë asnji herë të marrunit e Jutbinës, rapsodija shqiptare e le pezull luftën t’asaj kohe ndërmjet dy rracave; slave e shqipgtare tue e larguem Mujin prej skene luftarake me nji legjendë të përjetshme…”, – shkruan At’ Bernardin Palaj dhe At’ Donat Kurti.
Muji dhe Halili mbyllen në shpellë. “Ky heroi, mbas legjende, asht ende gjallë ndër shpella të Bjeshkve të Kelmendit a, mbas disa tjerve, në Qafë të Diellit”.
Siç thotë shkrimtari Kadare, natyra e dramës së pazgjidhur që zgjat në kohë, sjell edhe mitin e Mujit në shpellë. “Prandaj kemi ata heronj që flenë 100 vjet dhe zgjohen dhe vazhdojnë të venë prapë atje ku janë nisur. Prandaj kemi Mujin që thotë se ai 700 vjet do ta ndjekë nëpër bjeshkë gjersa ta zhdukë armikun e tij në 7 breza”.
Duket se, në mënyrë figurative, Muji do të zgjohet e do të dalë nga shpella për betejën e fundme – edhe kësaj here, me krajla e shkje, që e regjistruan më herët, si pasuri jomateriale, këndimin epik me gusla mbi bëmat e heronjve të tyre. E megjithatë, njëra gjë nuk e përjashton tjetrën, për sa kohë eposi i shqiptarëve është ndër ata të lashtë të Europës, që ende bën jetë të gjallë në duart e lahutarëve dhe zërin e rapsodëve.