Kur Bardhyl Londo fliste për Havzi Nelën: Nuk e njohim akoma ashtu siç duhet ta njohim

Bardhyl Londo itaka
Bardhyl Londo

Nga Bardhyl Londo

Mirëdita, përshëndetje të gjithëve!
Në fakt nuk isha përgatitur fare për të folur.
E vërteta është kjo, që sot është një datë për të cilën sa krenohemi aq edhe duhet të mendohemi, aq duhet t’i vëmë dhe gishtin kokës, aq duhet të ndiejmë dhe dhimbje të thellë në shpirt.
I ngjan pak 27 janarit që është edhe ditë e Holokaustit dhe ditëlindja e Moxartit. Dhe meqë Preç Zogaj e filloi me polakët, disidentët polakë unë po përmend Sakajevskin dhe ai thotë pikërisht për 27 janarin: Nuk dimë ç’të bëjmë thotë, të gëzohemi apo të hidhërohemi se janë dy data krejt të ndryshme.
Megjithatë unë mendoj që ajo që lënë Havzi Nela, ajo që ka shkruar, ajo që tregoi me jetën, me vargjet e tij, është aq e madhe sa e mbyt gjithçka tjetër. Është diçka e përjetshme, aq tragjike, por edhe historinë e re nuk e kemi më pak të dhimbshme.
Havziu është një shembull që na mëson që t’i besojmë gjithnjë virtytit dhe të mos përkulemi para asgjëje.
Mund të thuhen shumë fjalë për Havziun, por unë mendoj që deri tani pothuajse nuk është thënë asnjë gjë.
Edhe ne që mblidhemi kështu bëjmë mirë, por gjithësesi ne nuk e njohim akoma Havzi Nelën ashtu siç duhet ta njohim.
Unë duhet të falënderoj dhe përshëndes për punën që ka bërë Petrit Palushi nëpërmjet të cilit jemi njohur me portretin deri diku të plotë të Haxziut, por mendoj se është shumë shumë e pakët gjithçka që është bërë deri tani.
Por duhet të theksoj dhe gjënë tjetër që Havziu u vra njëherë, po me ato që bëjmë jo ne, po ndoshta të tjerët, akoma vazhdojnë ta vasin atë dhe martirët e tjerë.
Sepse duke mos treguar të vërtetën e tij duke përhapur lloj lloj gjërash që nuk kanë fare lidhje me Havziun apo me martirët e tjerë, neve po mundohemi ti vrasim për së dyti ata.
Nuk është e rastit që të hapim debat, siç u hap për atë burgun, kampin e famshëm të Tepelenës se arritën ta quajnë gati si kamp pushimi.
Çfarë është kjo?
Është t’i vrasësh prapë ata martirët, ata vuajtës atë që kanë hequr aty në kampin e Tepelenës.
Ose edhe për Havziun e si vëllezërit e tij martirë, mundohen të përhapin lloj lloj gjërash, që ta zvogëlojnë sa më shumë figurën e tij madhore.
Por një gjë duhet ta dinë mirë që këta do të jenë gjithmonë këtu, të tjerët do të ikin e do të vijnë, të tjerët do të harrohen shumë shpejt, Havziu dhe martirët e tjerë nuk kanë për t’u harruar kurrë. Sepse ata na mësojnë gjithmonë siç na kanë mësuar dhe do të vazhdojnë të na mësojnë.
Ju faleminderit!

*Fjalimi u shkëput nga libri Shkrimtarët për Havzi Nelën me titull “SHPIRTI I LIRË I LUMËS”, Klubi i Poezisë, Tiranë 2018.

ObserverKult

Lexo edhe:

HAVZI NELA: KURRË S’U ULËM NË NJI SOFËR, KURRË, O NANA IME…