Keqardhje e thellë për vendimin e autoriteteve turke, të marrë pa diskutime paraprake, për të ndryshuar statusin e Shën Sofisë nga muze në xhami, pas një vendimi të gjykatës turke të publikuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, thuhet në një njoftim nga UNESCO.
“Shën Sofia është një kryevepër arkitekturore dhe një dëshmi unike e ndërveprimeve midis Europës dhe Azisë ndër shekuj. Statusi si muze pasqyron natyrën universale të trashëgimisë dhe e bën atë një simbol të fuqishëm për dialog” – tha drejtori i përgjithshëm pranë UNESCO, Audrey Azoulay, transmeton ‘konica.al.
Gjykata turke anuloi dje një vendim të 24 nëntorit të vitit 1934, sipas të cilit xhamia e Shën Sofisë shndërrohej në muze.
Ndërkohë, zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin deklaroi se Shën Sofia do të vazhdojë të jetë pjesë e trashëgimisë botërore dhe e hapur për vizitorët.
”Hapja e Shën Sofisë për adhurim, nuk i heq statusin e trashëgiminë botërore”- deklaroi Kalin.