UNESCO shpreh interesim për lumin Vjosa, bën apel që të mbrohet

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, gjatë vizitës së parë zyrtare në Shqipëri diskutoi me autoritetet shqiptare të mjedisit planet për përfshirjen e lumit Vjosa në listën e pasurive botërore.

Gjatë deklarimeve për gazetarët në Gjirokastër zonja Azule tha se misoni i UNESCO-s merret edhe me mbrojtjen trashëgimisë natyrore.

Është një dimension shumë i rëndësishëm i vizitës sime dhe misionit të UNESCO-s, jo vetëm për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, por gjithashtu edhe trashëgiminë natyrore, pasi të dyja janë të lidhura. Jam e lumtur për shpalljen e projektit nga qeveria shqiptare për të mbrojtur Vjon, këtë lumë të egër të Evropës si Park Kombëtar. Mendoj që kjo është tepër e rëndësishme dhe është pikërisht drejtimi të cilin duhet të ndjekim për zhvillimin e qëndrueshëm të Basenit të Vjosës”, tha zonja Azoulay.

Ndërsa Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, foli konkretisht për nisjen e procesit me drejtuesit e UNESCO-s.

“UNESCO gjithnjë e më shumë po i kushton vëmendje pasurive natyrore që janë të lidhura ngushtë me trashëgiminë kulturore. UNESCO ka paraqitur interes dhe kemi filluar dikutimet me Drejtoreshën e Përgjithshme dhe kjo është arsyeja e vizitës së saj në Shqipëri, për të nisur një proces të regjistrimit të Vjosës si Biosferë, si një Biosferë ndërkombëtare së bashku me zonën në Greqi të cilën përshkon një pjesë e Vjosës”.

Zonja Kumbaro përmendi hapat që po hidhen në nivel kombëtar për të rritur statusin e mbrojtjes së Vjosës nga një Park Natyror në një Park Kombëtar ndërkohë që ka nisur edhe një bashkëpunim ndërkufitar me Greqinë, pasi rreth 70 kilometra të gjatësisë së këtij lumi shtrihet në territorin grek.

Ndërsa autoritetet shqiptare po bëjnë përpjekje për të përfshirë në listën e UNESCO-s si një pasuri të re natyrore është rritur shqetësimi për zonën e Liqenit të Ohrit.

Liqeni i Ohrit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore që mbrohet nga UNESCO për pjesën shqiptare katër vite më parë, ndërsa për pjesën maqedonase më herët.

Në raportet e misionit të monitorimit të UNESCO-s është vlerësuar se si anën shqiptare, ashtu dhe atë maqedonase po shfaqen ndikime negative në Liqenin e Ohrit nga derdhja e ujërave të zeza, mbetjeve të minierave, mbetjeve urbane, ndërhyrjet e papërshtatshme të njerëzve dhe rritja e urbanizimit përgjatë bregut të liqenit në të dy vendet.

Si autoritetet shqiptare dhe ato maqedonase janë përballur me kritika për masat e pakta për mbrojtjen e zonës./gazetatema


Lexo edhe:

LEONARDO DICAPRIO REAGON SËRISH PËR MBROJTJEN E LUMIT VJOSA

ObserverKult