Pasi e kaloi Covid-19, rrëfehet Bujar Qamili: Në 21 ditët e mia në komë e shihja vetëm këtë gjë…

Pas 4 muajsh larg vendlindjes, duke u trajtuar në një prej spitaleve të Milanos në Itali, ai është rikthyer në Shkodrën e tij të dashur.

Gjithçka ndodhi pas një koncerti në kryeqytet, atje ku Bujar Qamili dyshon se u infektua dhe e kuptoi një ditë pasi mbërriti në Itali pranë familjes, ku ju shfaqen simptomat e para. Gjendja u përkeqësua deri në pikën ku për disa javë ai kaloi në gjendje kome, në sfidën mes jetës dhe vdekjes, nga virusi Sars Cov 2.

Sapo ka ardhur në Shkoder, nuk ka humbur kohë dhe të parën dhuratë e ka për Vllazninë, për të cilën po finalizon këngën që do të jetë gati për finalen e kupës së Shqipërisë.

Në rrëfimin për RTV Ora, mjeshtri i këngës premton se do të ketë surpriza për artëdashësit e tij, ndërsa si çdo artist shpreh pengun që jeta artistike vijon të jetë më e goditura nga pandemia, ndërsa çdo gjë tjetër vijon larg respektimit të masave.

Në karrieren e gjatë artistike, Bujar Qamili është vlerësuar me qindra çmime brenda dhe jashtë vendit, ndërsa mban titujt e lartë “Naim Frashëri i artë” dhe “Mjeshtër i Madh”, si dhe Mirënjohja e qytetit.

– Pas një periudhe jo shumë të mirë që kaluat pas atij armiku që ka pushtuar botën, por deshi edhe Zoti që ju të riktheheshit sërish mes nesh të na dhuroni të tjera emocione me zërin tuaj.

Bujar Qamili: Sa herë që përmendet ky virusi me thënë të drejtën kam një rrënqethje në trup, kam një emocion të jashtëzakonshëm që se kam kalu ndonjëherë në jetën time.

Ishte diçka e tmerrshme, njerëzit mund të mos e besojnë ashtu siç nuk e kam besuar dhe unë, ashtu siç kam thënë edhe unë se nuk na bën gjë, por e kanë shumë gabim.

Ky të merr jetën, ky është me të vërtetë një armik i krejt i pabesë, ku nuk e di se ku të kap, vetëm kur ta marrësh vesh.

Unë kam kaluar shumë keq, kam kaluar jashtëzakonisht shumë keq, por dua të bëj një falenderim shumë të madh për djalin tim Altionin, i cili më ka qëndruar gjatë gjithë kohës te koka për çdo gjë.

Shansi edhe fati i madh i joni që ai edhe dinte italisht sepse është shumë problem të flasësh me mjekët edhe falenderoj shumë mjekët italianë, që më kanë qëndruar gati. Ai ka qenë shans i madh i imi.

– Ku jeni infektuar? E mbani mend se me kë keni patur kontakte, në Shqipëri apo jashtë Shqipërie?

Bujar Qamili: Unë kam patur kontakte me shumë njerëz, s’mund të ia lë fajin askujt, por di këtë që është 100% e sigurt që unë isha shumë mirë, në Itali isha shumë mirë edhe erdha në Shqipëri për një koncert.

Gjatë kohës së koncertit që qëndrova, unë nuk kam qëndruar më shumë se dy ditë, kam patur takime me miq, me këngëtarë, me kompozitorë edhe kam marr edhe në makinë këngëtarë, shokë miqtë tonë. Të nesërmen që kam shkuar në Itali, se direkt fill kam shkuar në Itali, filloi një tempëraturë fillimisht e lehtë, por prapë nuk më shkonte në mendje, gjithmonë mendjen siç thonë gjithmonë, nuk më bënë gjë mua.

Filloi temperature edhe pastaj filloi të rritet deri në 39 gradë dhe u shqetësuam faktikisht, familja u shqetësua.

Ika direkt në spital.

Pas katër ditëve, pastaj, as nuk kam ditur gjë në botë se çfarë ndodh, se çfarë bëhet, vetëm di se mëpas më ka thënë djali: Eh mor bab shumë tha fjete, shumë pushove. Pse mor bab qëkur kam fjet thash, këtë di që e kam pyetur.

Ke tha 21 ditë në gjendje koma. 21 ditë në koma! A mban mend ndonjë gjë më tha, jo thash unë shihja vetëm një dritë të zbehtë, më shkonte nëpër sy më vinte nëpër sy, nuk di gjë absolutisht, s’mbaj mend gjë. Pastaj kam bërë gati një muaj e gjysmë-dy muaj për t’u rehabilituar por siç ta thashë dhe mëparë shans i madh i imi me qenë në dorën e specialistëve të mirë, me qenë në ato spitale që s’din njeriu ku hyn, a hyn në spital apo në parajsë. Tani e kalova, e kalova me vështirësi të madhe, e kalova e u ktheva edhe njëherë në Shkodër.

I je futur menjëherë punës. Kam parë që sapo ke mbërritur në Shkodër ke nisur menjëherë xhirimet për këngën e Vllaznisë. Bujari dhe kënga janë të pandarë, nuk ka asgjë që i ndalon. Menjëherë tek një dashuri e dytë siç është Vllaznia.

Bujar Qamili: Është e vërtetë unë nuk shkëputem nga Vllaznia edhe sikur ajo të shkojë në kategorinë e tretë. Vllazninë do ta ndjek sepse e kam ndjekur gjithë jetën sepse më pëlqen futbolli në përgjithësi por sidomos emri Vllazni.

Siç thotë edhe aty tek kënga që e kam në refren, “Vllazni, Vllazni sa i madh ky emër, Vllazni, Vllazni ty të kena në zemër”.

Dje kam punuar gati gjithë ditën, do të punoj prapë sot, nesër dhe them se deri para finales së Kupës së Republikës me Korçën, do të dali. Do të dali në një mënyrë të përkryer, për këtë jam i sigurt, të jeni të sigurt sepse jam munduar të gjej gjërat më me efikasitet, gjërat më të bukura. Them se do të dali e bukur, megjithatë publiku është ai që do të vlerësoj në do të jetë e bukur apo jo.

Çfarë i ka munguar më shumë Bujarit në gjithë këto muaj? Janë jo pak por 4 muaj larg Shkodrës, larg rutinës së përditshmë të një artisti, por cilat janë ato gjërat kryesore që vërtetë të kanë munguar?

Bujar Qamili: Ndoshta dikujt i duket pak e ekzagjëruar, ndoshta dikujt i duket një fije marri (pak çmenduri), nëse unë do t’i përgjigjem pyetjes se mua më kishtë marr malli për Shkodrën, për shokët dhe miqtë e mi, për rrugët, për të bërë një xhiro me makinë për të shkuar deri në Shirokë apo me dal në piace në pedonale.

Jam i sigurt që dikush do të thotë çfarë t’u desht të vije, rrije atje. Unë e kam shumë të vështirë, e kam shumë të vështirë sepse unë jam rritur në këtë vend, kam marrë duartrokitjet e para nga ky publik i mrekullueshëm, është ky publik që më ka dhënë jetë, ky publik që më ka dhënë kënaqësi, ky publik që më ka dhënë respektin më të madh, ky publik të cilit s’kam për t’ia harruar.

Dua ta falenderoj nëpërmjet valëve të televizionit tuaj në mënyrën më të sinqertë dhe në mënyrën më të përzemërt për të gjitha ato urime e për të gjitha ato mesazhe që më kanë ardh me dhjetra e qindra mesazhe në telefon duke më urur për shëndetin tim. Kështuqë e kam fjalën e kam shumë të vështirë të iki, e kam shumë të vështirë të largohem prej Shkodrës.

Çfarë po përgatit Bujari tjetër përveç këngës Vllaznisë? Besoj vera është impeniative si për çdo artist, do t’i riktheheni jetës impeniative artistike?

Bujar Qamili: Të them të drejtën nuk është në dorën tonë, kjo është në dorën e shtetit, në dorën e qeverisë nëqoftëse do të na lejojë të fillojnë dasmat, fejesat, gëzimet familjarë, etj, por patjetër që ne do të jemi në plan të parë, as që diskutohet ajo punë. Nëqoftëse do të vazhdojmë pasi u bë një vit e gjysmë, ne po harrojmë të këndojmë. Megjithatë mua aktivitetet më fillojnë që këtë javë.

– Paralelisht për artistët janë edhe xhirimet e klipeve, përvec Vllaznisë do të kemi diçka të re nga Bujari në këtë stinë?

Bujar Qamili: Patjetër, patjetër. Është një këngë që është e mbaruar, ka mbaru edhe miksimi edhe po përgatitemi për një klip të bukur, por jemi duke menduar vendet se ku mund të shkojmë dhe mund të shohim.

Është një këngë me Shkëlzen Jetishin, një duet shumë shumë interesant, shumë i bukur. Bën fjalë, ne të dy, unë dhe Xeni, kemi merak për një vajzë, si njëri si tjetri. Unë them që më pëlqen mua, Xeni thotë jo more e ka me mua, unë i them po më shikon mua, ai thotë po më dëgjon mua. Edhe në fund farë vjen një djalë i ri si puna jote dhe e merr e ik dhe mbetemi duke shikuar njëri-tjetrin. Me tekst të shokut tonë, mikut tonë Ramazan Çekës./Bepin KolvataOra News

LEXO EDHE: Bujar Qamili në gjendje të rëndë nga COVID-19