Bashkia e Klosit fton qytetarët, turistë vendas dhe të huaj të vizitojnë një nga qendrat urbane që ofron bukuri natyrore si Ura e Halilajve.
Për këdo që viziton Klosin, nuk duhet humbur peizazhi që shfaqet te “Ura e Halilajve”.
“Ura e Halilajve” gjendet në fshatin Dars. Kjo urë është ngritur në një vend shkëmbor mbi dy brigje të lartë e formuar me hark. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m, gjerësia midis dy këmbëve të saj është 11 m, kurse lartësia nga pasqyra e ujit arrin 9 m. Traseja e rrugës ka një gjerësi 2. 6 m dhe është e shtruar me gurë e pllaka gurësh lumi.
“Ura e Halilajve” thuhet se është ndërtuar nga një pjesëtar i fisit Halili. Kjo urë është ndër urat më të vjetra që gjenden sot të padëmtuara në Mat e që është shpallur monument kulture.
Po ashtu në Klos gjendet dhe “Ura e Allamani” dhe “Ura e Vashës” që është një kryevepër e inxhinierisë dhe nga më të rrallat në vend dhe i përket shekullit XVIII.
“Ura e Vashës”, ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë që shoqërohet nga një shpat malor dhe ndodhet pranë Rrugës së Arbrit, kjo urë bart vlera të mëdha historike në një peizazh të mrekullueshëm natyror.
Por nuk janë vetëm urat që ofron Klosi. I shtrirë buzë lumit Mat, zona ka bukuri të jashtëzakonshme ku mund të bësh plazh dhe pushosh në ujërat e kthjellta të lumit Mat, apo mund të bësh alpinizëm duke ngjitur shpate malorë në të dy anët e Klosit.