Ura e Mesit mbi lumin Kir dhe legjenda e saj interesante

Ura e Mesit, ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768, nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.

Si një monument me vlera të mëdha arkitektonike dhe teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë nga mbarë bota. Me gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe me 13 harqe josimetrike. Për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerave të rralla kulturore të kësaj ure u shtohen dhe terreni piktoresk me shkëmbinj dhe uji i pastër.

Prej teknikave të ndërtimit mund të vihet re se Ura e Mesit është ndërtuar në dy faza. Faza e parë me ndërtimin e harkut qendror dhe 3 të tjerëve pranë. Dy në të majtë e një në të djathtë. Në fazën e dytë të ndërtimit, urën e mbuloi lumi Kir dhe si pasojë u ndërtuan harqet e vogla si ndihmesë në skaje.

Sot ura ka 13 harqe. Më i madhi në qendër, ka një pasqyrë prej 21.5 m, i mbajtur nga brinjë dyfishe me gjërësi 1,08 m. Ura e mesit me një gjatësi prej 108 metrash. Është ura më e gjatë e ndërtuar nga osmanët në Shqipëri, transmeton ‘konica.al’.

Për gati 20 vite fshatarët e priten tregtarin për të ndërtuar urën

Sipas gojëdhënave për ndërtimin e urës, një tregtar turk në ndihmë të disa banorëve të zonës hapi disa gropa për të shuar gëlqeren. Për gati 20 vite fshatarët e priten tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët dhe filloi ndërtimin e urës.

Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vite në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gur dhe gëlqere të shuar. Pa çimento dhe hekur.

Ura e Mesit, monument kulture dhe simbol i qytetërimit të lashtë. Pra është kthyer në një pikë tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj. Turistët e huaj që zgjedhin të vizitojnë Shkodrën, është e pamundur të mos kalojnë dhe të vizitojnë Urën e Mesit.

ObserverKult

————————-

LEXO EDHE:

Ura e Vashës në Mat, vijon puna për restaurimin e saj