“Kalemxhinjtë shovinistë dhe agjencitë e imperializmit, reaksionarët që fshiheshin dhe vepronin në petkun fetar”; “Intelektualë të lekut dhe njëqind flamurëve”. Me këto epitete i damkosi Pushteti Popullor disa nga emrat më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, e bashkë me ta edhe veprat e tyre, që u ndaluan për një periudhë gati gjysmëshekullore.
Udha e censurimit nisi me vendimin e Gjykatores Popullore të Tiranës, publikuar në gazetën “Bashkimi”, më datë 27 mars të vitit 1948, përmes së cilës vendosej heqja nga qarkullimi i librave dhe i të përkohshmeve “të dëmshme për shoqërinë”, me të cilën fillon zyrtarisht logjika e censurës, që do të bëhet një ndër tiparet dalluese të regjimit, duke ndaluar autorë të tillë si: Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Kristo Floqi, Hamit Gjylbegaj, Pjetër Gjini, Mehdi Frashëri, Terenc Toci, Ernest Koliqi, Gjon Shllaku, Mitrush Kuteli, Justin Rrota, Tajar Zavalani, Kristo Dako e shumë të tjerë.
Kjo censurë do të vijojë në vitet pasuese me urdhëresa të ndryshme të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, duke hequr nga qarkullimi veprat të autorëve, redaktorëve ose përkthyesve dhe duke udhëzuar Bibliotekën Kombëtare t’i ruajë ato në Fondet Rezervë, çka solli shënjimin e tyre dhe të skedave me siglat R (Rezervat), Sh. R. (Shumë të rezervuar), Ra (Autor i rezervuar) të botimeve të fondit shqip dhe atij të huaj.
Më poshtë po sjellim pikërisht atë faqe gazete, atë faqe të errët të historisë së letërsisë shqiptare, që u mohoi shqiptarëve të lexonin disa prej autorëve të vet më të mëdhenj. Kjo faqe gazete është publikuar nga Biblioteka Kombëtare, që këtë vit përkujton 100-vjetorin e themelimit të saj.
BASHKIMI
E shtunë, 27 mars 1948
Gjykatorja Popullore e Tiranës vendos daljen nga qarkullimi të librave e të përkohshmeve të dëmshme për shoqërinë. Gjykatorja Popullore e Tiranës vendosi të hiqen nga qarkullimi një sasi librash e të përkohshmesh të dëmshme për shoqërinë. Ky vendim aplikohet në gjithë Shqipërinë. Librat e të përkohshmet në fjalë janë:
At Gjergj Fishta, “Amerika” (Botim i veçantë për Ballkanin); “Administrata ose e drejta sundimore” (Kristo Floqi); At Fulvio “Cordignano në gjyq” (D. Zadeja); Bajram Curri- “Vjershë” (Piro Floqi) “Hylli i Dritës”; Aventurat e Miksit, “Aveniri i Shqipërisë” (Mehdi Frashëri), “Antologji dashurije” (Skënder Guri); “Agimet e filozofisë” (Hamit Gjylbegaj); “Bojskautizma” (S. Paparisto); “Besniku” (Pjetër Gjini); “Çudi me Zotin”, “Çupat e Vançit” (Bendo Shaperdani); “Cikrime filozofije” (Hamit Gjylbegaj).
“Cila ka qenë Sadije Zogu”, “Çeta e Tigërve (Buffallo-Bill)”, “Ç’duhet të dijë çdo i ri” (Vasik Xhaçka); “Çështja agrare shqiptare” (prof Lorenzini); “Çudija e ligjëratës” (Mark Çuni); “Doktrina fashiste e shpjeguar popullit”; Don Gjon Vata prift me kobure (Luigj Thaçi), “Djelmëria shpresë e së ardhmes”. “Drejt një politike shoqërore ekonomike” (Kristo Floqi), “Drita e së vërtetës”(Hamit Gjylbegu).
“Djali i Myftisë”(Alen Bernard)… “Fjalimi i Patër Anton Arapit”, “Fjalimi i Kontit Çian”, Gramatika italisht (Terenc Toçi), “Gijom Telli” (Lumo Skëndo); “Gjurmat e Stinëve” (Ernest Koliqi); “Hylli i Dritës”, “Historija let kështu” (P.Gjon Shllaku); “Heronjtë e mendimit” (Vill Durant); “Havadan më Havadan” (Mitrush Kuteli).
“Hyrja në Historinë e Shqipërisë” (Dr. Kristo Dako); “Jeta dhe vepra e Zogut” (Kr. Dako); “Java” (revistë); “Kosova, djepi i shqiptarizmës” (Hamit Kokalari); “Këshilla nga Nëna Mbretëreshë”, “Kush janë jezuitët” (Fulvio Cordignano); “Koka e Ali Pashës” (Mehdi Frashëri)… “Kalendari enciklopedik” (Vasil Xhaçka).
“Kënga e gjakut” (Nexhat Hakiu); “Kushtrimi i Skënderbeut”,(Ernest Koliqi); “Lahuta e malcisë”, (Gjergj Fishta).. “Mbi një udhëtim në Zvicër”, (L.Skëndo); “Neoshqiptarizma” (V. Koça, N. Çika etj.); Nat Pinkerton, “Njeriu i padukshëm” (Cliford Balch); “Një mijë e një net”, (Dh. Fallo); “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”,(Miss Durham, S. Toto).
Ugo Foscolo-vjersha të zgjedhura (E. Koliqi); një polemikë mbi kulturën greke (M. Frashëri); “Pesë Maj” (E. Koliqi). Tri probleme në lidhje me Bankën Kombëtare (Dh. Pasku), “Vjersha të zgjedhura” (E.Koliqi); “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” (M.Kruja); “Vallja e parizit”, (At Gjergj Fishta) dhe të gjitha veprat e At Gj. Fishtës si “Anzat e parnasit”, “Gomari i Babatasit” etj.
Ky vendim për heqjen nga qarkullimi i këtyre librave i përgjigjet plotësisht dëshirës së masave punonjëse; të të rinjve dhe intelektualëve profesionistë të vendit tonë: këto libra, revista, gazeta, këto përkthime plot ideologji fashiste janë të huaja për vendin tonë: ato jo vetëm që nuk ndihmojnë në edukimin dhe civilizimin e popullit, por, përkundrazi, janë pengesë në këtë drejtim dhe u shërbejnë vetëm armiqve tanë: vepra të tilla nuk përputhen me frymën e re të demokracisë; me traditën e luftës Nacional Çlirimtare, mbi të cilat ecën populli ynë; janë kundër punës dhe vullnetit ndërtonjës të masave; kundër vëllazërimit me popujt përparimtarë dhe në radhë të parë me demokracitë e reja.
Kalemxhinjtë shovinistë dhe agjencitë e imperializmit, reaksionarët që fshiheshin dhe vepronin në petkun fetar si Gjergj Fishta, P. Gjon Shllaku, Cordignano, Zadeja, Andon harapi etj. dhe të përkohshmet e tyre si “Hylli i Dritës”, janë dënuar me kohë nga populli ynë.
Ata si agjentë të huaj e kanë shtrembëruar realitetin historik të vëllazërimit dhe bashkëpunimit që ekzistonte mes popullit tonë dhe popujve të tjerë të Ballkanit; Gjergj Fishta në radhë të parë punoi tërë jetën për krijimin e një hendeku artificial në mes popullit tonë dhe popujve sllavë. Po historia e vërtetë e popullit e hodhi poshtë me turp sepse ajo vërteton se populli donte vëllazërimin dhe bashkimin me fqinjët e tij. Këtë provoi akoma më mirë, e provoi në mënyrë të padiskutueshme Lufta Nacional-Çlirimtare, bashkëpunimi dhe vëllazërimi në luftën kundra fashizmit.
Populli ynë i njeh mirë edhe agjentët intelektualë të kalbur në shërbim të të huajve: njerëzit e lekut dhe të njëqind flamurëve si: Ernest Koliqi, Tajar Zavalani, Terenc Toçi, Vasil Alarupi, Selaudin Toto, Nebil Çika, Fiqiri Llagami etj. Shkrimet e tyre u kanë shërbyer gjithnjë armiqve të popullit tonë, i kanë shërbyer në radhë të parë fashizmit italo-gjerman, nga i cili edhe financoheshin. Ata janë përpjekur të përhapin ideologjinë fashiste e reaksionare, si në veprat origjinale, si në përkthimet e të përkohshme etj.
Këta libra i kujtojnë popullit një kohë të zezë plot vuajtje, mjerime ashtu si i kujtojnë librat e demagogëve dhe tradhtarëve si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja etj. Shoqërija jonë e re i urren fjalët e këtyre përfaqësonjësve të feudalizmit, këtyre prototipeve të shovinizmit të poshtër.
Gjithashtu për popullin tonë që po ndërton me përpjekje dhe me besim një jetë të re, romanet e verdhë… janë vetëm faktorë negativë, janë të dëmshëm për shoqërinë. Këto mund t’u pëlqejnë gangsterëve të Amerikës, borgjezëve, fashistëve, por jo brezit tonë të ri që edukohej me idenë e besimit në forcat e veta.
Kjo masë e Drejtësisë Popullore është një grusht i fortë që u jepet armiqve në kampin e kulturës. Populli ynë dhe rinija në radhë të parë do të mobilizohen në ndihmë të organeve të policisë për zbatimin e plotë të kësaj mase.
Ideologjia fashiste e borgjezo-reaksionare, në bazë të së cilës janë bërë këto vepra, janë në kundërshtim të hapët me kulturën e re dhe prandaj dënohen ashti siç janë dënuar njerëzit që i kanë bërë. Këta i ka dënuar lufta dhe i dënon përsëri puna jonë./panorama.com.al
Lexo edhe:
PRIMO SHLLAKU: VERIGAT KULTURORE MË MBAJNË KËTU KU JAM…
ObserverKult