Vaçja mban ende rekordin e trofeve të këngës!

Teksa po i bëhet jehonë festivalit të radhës, për muzikën e lehtë, festivali tradicional ka shënuar epokat e emrave të mëdhenj të skenës. Muzika e lehtë shqiptare, ka ardhur ndër vite, përmes këngëtarëve brilantë dhe po kaq popullorë. E motiveve që ende i këndojnë brezat, me mjeshtërinë dhe zërin unik të secilit prej atyre që bënë historinë e muzikës së pastër shqiptare.

Është një emër i përveçëm, i këngës së lehtë dhe asaj moderne – një shpirt që u deh në lirinë e skenës dhe i fali Shqipërisë, motivet e rrënjosura në kujtesë. Është Vaçja!

Ndërsa Festivali i Këngës, shënon këtë vit, edicionin e 58-të, Vaçe Zela ka rrëmbyer trofeun e festivalit, plot 11 herë. (Ndërsa, zemrat e popullit… përherë.) Ky është rekordi që Vaçe Zela, e mban në këtë festival të njohur.

Në vitin e parë të festivalit, në vitin 1962, Vaçja fiton festivalin me këngën “Fëmija i parë”.

Dy vite më pas, ajo fiton me dy këngë. Bashkëpunimet e saj me Nikolin Gjergjin dhe Klotilda Shantojën, i sjellin fitoren e dyfishtë, duke u bërë këngëtarja e vetme që ka fituar festivalin, me dy këngë së bashku.

Në vitin 1966, ajo triumfon sërish, gjithmonë e ndjekur me interes të madh.

Me këngën “Shqiponja e lirë”, Vaçe Zela shënon fitoren e katërt.

Më pas, në vitin 1967 dhe 1968, Vaçe Zela shpërthen e nuk ka të ndalur. Në vitin 1967, ajo e fiton festivalin me bashkëpunimin me Gaqo Çakon, ndërsa një vit më vonë, me Ramiz Kovaçin.

Në vitin 1970, me këngën “Mesnatë”, Vaçe Zela fitoi përsëri, kësaj here bashkë me këngëtaren Liljana Kondakçi.

Do të bënte një pauzë trivjeçare, që fitoren ta merrte dikush tjetër, por festivalit Vaçja i rikthehet në vitin 1973, kur fiton prapë, me “Gjurmët e arta”.

Në vitin 1976, fitoren e nëntë me radhë në festival, Vaçe Zela e rrëmben me këngën “Nënë moj, do pres gërshetin”. Një vit më vonë, fiton me këngën “Gonxhe në pemën e lirisë”.

Fitoren e fundit në festival, të njëmbëdhjetën, Vaçe Zela e arrin në vitin 1980, me këngën “Shoqet tona ilegale”, në bashkpëunim me këngëtaren Myfarete Laze.

Festivalin e Këmgës, ndër vite e kanë fituar shumë emra të tjerë, por asnjë kaq i suksesshëm sa Vaçe Zela. Kujtojmë gjithashtu, se Tonin Tërshana e ka fituar festivalin katër herë, rekordi tjetër ky, pas Vaçes.

Vaçe Zela sfidoi edhe epokën e komunizmit, duke marrë titullin e lartë, “Artist i Merituar”, në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit”, në vitin 1977. Vaçe Zela është shkëputur përfundimisht nga skena, në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku, ata kanë vajzën, Irma. Që nga viti 2002, Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë, mban emrin e saj.

Kjo javë i hap rrugë edicionit të radhës të Festivalit të Këmgës, i njohur ndryshe, si “Festivali i fundvitit”, apo “Festivali i dhjetorit”. Ndërsa nata finale, më 22 dhjetor, do të presë në garë, 20 këngët konkurruese./konica