Së fundmi kam lexuar një artikull të quajtur “Politika si teatër”, një kritikë lidhur me të gjitha ato që jam munduar t’i bëj në politikë. Artikulli argumentonte se në politikë nuk ka vend për diçka aq të panevojshme sa teatri. Sigurisht, në muajt e hershëm të presidencës sime, disa prej ideve të mia demonstronin më shumë veçori teatrale sesa largpamësi politike. Por autori ka gabuar në një çështje rrënjësore: ai e ka keqkuptuar edhe kuptimin e teatrit, edhe dimensionin e rëndësishëm të politikës.
Aristoteli dikur ka shkruar se çdo dramë apo tragjedi kërkon një fillim, një mes dhe një fund, me paraardhësin që pason pasardhësin. Bota me përvojë, si mjedis i strukturuar, përfshin dimensionin e pandarë dramatik të Aristotelit, dhe teatri është një shprehje e dëshirës sonë për një mënyrë koncize të kuptimit të këtij elementi qenësor. Një shfaqje jo më shumë se dy orë e gjatë gjithmonë përfaqëson, apo mëton të përfaqësojë, një pamje të botës dhe një përpjekje për të thënë diçka për të.
Një definicion i politikës thotë se ajo është drejtim, çështje, dhe organizim i punëve publike. Qartësisht, çështja e punëve publike është çështje e njerëzimit dhe e botës, që kërkon një njohje të vetëdijësimit të njerëzimit në botë. Unë nuk shoh se si një politikan mund të arrijë këtë pa njohur dramën si një aspekt të pandarë të botës së qenieve njerëzore, dhe rrjedhimisht si një mjet rrënjësor të komunikimit njerëzor.
Politika pa një fillim, një mes dhe një fund, pa interpretim dhe dëlirësi, pa klasifikim dhe rëndësi, pa transcendencën që zhvillon një dramë të vërtetë, me njerëz të vërtetë, në një formulim për botën, është, për mendimin tim, politikë asnjanëse, e njëanshme dhe e paefektshme.
Unë nuk jam gjithmonë i suksesshëm në praktikumin e asaj që predikoj, por unë punoj për një politikë që e di se ka rëndësi çka vjen e para dhe çka pas, një politikë që pranon se të gjitha gjërat kanë një sekuencë dhe rend të mirëfilltë.
Mbi të gjitha, është një politikë e vetëdijshme se qytetarët, pa teorizuar, siç po bëj tani, e dinë fare mirë nëse veprimet politike kanë drejtim, strukturë, logjikë në kohë dhe hapësirë, apo nëse atyre u mungojnë këto cilësi dhe janë thjesht reagime kuturu ndaj rrethanave.
Në një periudhë të kufizuar, brenda një kohe të kufizuar, dhe me figura e objekte të kufizuara, teatri thotë diçka për botën, për historinë, për ekzistencën njerëzore. Ajo eksploron botën për të ndikuar në të.
Teatri gjithmonë është edhe simbol, edhe shkurtesë. Në teatër, pasuria dhe kompleksiteti i qenies përmblidhen në një kod të thjeshtëzuar që përpiqet të nxjerrë atë që është më esenciale nga substanca e universit dhe t’ia paraqesë këtë audiencës së tij. Kjo, në të vërtetë, është ajo që bëjnë çdo ditë krijesat me aftësi për të menduar.
Teatri është thjesht një prej shumë mënyrave të shprehjes së aftësisë njerëzore për të përgjithësuar dhe kuptuar rendin e padukshëm të gjërave.
Teatri, gjithashtu, ka një aftësi të veçantë për të sugjeruar dhe për të paraqitur kuptime të shumta. Veprat e shfaqura në skenë gjithmonë përçojnë një porosi më të gjerë, pa u shprehur domosdoshmërish me fjalë.
Ai është fragment i jetës, i organizuar në një mënyrë të menduar për të thënë diçka për jetën si tërësi. Natyra kolektive e një përvoje teatrore nuk është më e parëndësishme: teatri gjithmonë pandeh prezencën e një komuniteti – aktorëve dhe audiencës – që e përjeton atë bashkërisht.
Të gjitha këto cilësi kanë homologet e tyre në politikë. Një mik imi njëherë ka thënë se politika është “shuma e të gjitha gjërave të përmbledhura”. Përfshin drejtësinë, ekonominë, filozofinë dhe psikologjinë.
Pashmangshmërisht, edhe politika është teatër – teatër si sistem i simboleve që na adreson si tërësi, si individë, dhe si anëtarë të një komuniteti, dhe që na sprovon nëpërmjet ngjarjeve specifike në të cilat është i materializuar ndaj ndodhive të mëdha të jetës dhe botës, duke na rritur imagjinatën dhe ndjeshmërinë. Unë nuk mund të imagjinoj një politikë të suksesshme pa njohuri për këto gjëra.
Simbolet që politika përdor janë teatrore për nga natyra. Himnet kombëtare, flamujt, dekorimet, festat nuk kanë shumë rëndësi vetë, por domethëniet që ato përmbajnë janë instrumente të vetëdijesimit të një shoqërie, mjete për krijim të njohurive për identitetin social dhe për vazhdimësi.
Politika gjithashtu përdor simbole në aspekte të tjera, më pak të dukshme. Kur presidenti i Gjermanisë erdhi në Pragë, pak pas “Revolucionit të kadifenjtë” tek ne, më 15 mars 1990 (përvjetori i 51-të i okupimit nazist të tokave çeke), ai nuk pati për të thënë shumë, sepse vetë vizita e tij në një ditë të tillë foli shumë. Ngjashëm ishte edhe kur presidenti francez dhe kryeministri britanik arritën në përvjetorin e Marrëveshjes së Munihut.
Aktet simbolike politike i ngjajnë teatrit. Ato, gjithashtu, përfshijnë aluzione, shumësi të kuptimeve, dhe domethënie. Ato, gjithashtu, paraqesin një realitet të shkurtuar, duke bërë një ndërlidhje esenciale pa qenë eksplicite. Dhe ato, gjithashtu, kanë një strukturë përgjithësisht të pranuar që i bën ballë testit të kohës.
As dyshuesit nuk mund të mohojnë një aspekt të teatralitetit në politikë: varësia e politikës nga mediat. Shumë politikanë do të ishin të paaftë pa trajnerët që u mësojnë teknikat e paraqitjes para një kamere. Të gjithë politikanët, përfshirë ata që e thumbojnë teatrin si të panevojshëm, si diçka që nuk ka vend në politikë, pa dashur bëhen aktorë, dramaturgë, regjisorë apo zbavitës.
Roli i rëndësishëm që luan një ndjeshmëri teatrore në politikë është dytehësh. Ata që e posedojnë mund ta ngrenë nivelin e shoqërisë dhe të ushqejnë kulturën demokratike, guximin qytetar dhe një ndjejnë të përgjegjësisë.
Njerëzit e tillë gjithashtu mund të mobilizojnë instinktet dhe pasionet më të këqija, mund t’i bëjnë masat fanatike, dhe mund t’i çojnë shoqëritë në dreq. Kujtoni kongreset gjigante naziste, fjalimet nxitëse të Hitlerit dhe Goebbelsit, dhe kultin e mitologjisë gjermane. Zor se mund të gjendet një abuzim më monstruoz i aspektit teatror të politikës.
Dhe sot – edhe në Evropë – udhëheqësit përdorin mjete teatrore për të ngjallur atë lloj të nacionalizmit të verbër që çon në lufta, spastrime etnike, kampe përqendrimi dhe gjenocid.
Pra, ku është kufiri ndërmjet respektit legjitim për identitetin dhe simbolet kombëtare, dhe muzikës djallëzore të daullexhinjve, magjistarëve të zinj, dhe hipnotizuesve? Ku mbarojnë fjalimet e pasionuara dhe ku fillon demagogjia? Si mund të njohim pikën përtej të cilës shprehja e nevojës për përvojë kolektive dhe rituale integruese bëhet manipulim djallëzor dhe shkelje e lirisë njerëzore?
Këtu shohim dallimin e madh ndërmjet teatrit si art dhe dimensionet teatror të politikës. Një performancë e çmendur teatrore nga një grup i fanatikëve është pjesë e pluralizmit kulturor, dhe, si e tillë, ndihmon të zgjerojë fushën e lirisë pa paraqitur kërcënim për askënd. Një performancë e çmendur nga një politikan fanatik mund të çojë miliona njerëz drejt fatkeqësive të pafundme.
Prandaj, drama e politikës kërkon jo një audiencë, por një botë të lojtarëve. Në teatër preket ndërgjegjja jonë, por përgjegjësia përfundon atëherë kur bie perdja. Teatri i politikës kërkon përherë prej të gjithë neve, si dramaturgë, aktorë dhe si audiencë – kërkon nga ne mendim praktik, gjakftohtësi, përgjegjësi, shije të mirë dhe ndërgjegje./(konica.al)