Vallet tona, aty ku ‘strehohet’ lufta, dashuria, dhimbja dhe dëshira për të jetuar

vallet tona

Ismail Kadare, i magjepsur prej hijeshisë, karakterit, patosit, harmonisë dhe forcës shpirtërore të lëvizjeve, do t’u kushtonte këto vargje valleve tona …

Valle shqiptare, shenja n’erë
Ylbere tirqesh tej-tëhu
Kush ju kërceu ju njëherë
Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju?

Askund më shumë sesa në vallet tradicionale shqiptare, nuk vërehet dëshira e njeriut për të fluturuar, për t’u shkëputur nga toka, për të ngelur pezull mes qiellit e tokës, sikur shqiponja e malit.

Askund më shumë sesa në vallet tona, nuk gjenden brenda, lufta, dashuria, dhimbja dhe dëshira për të jetuar.

Në to gjendet lufta e shpatave të mbretit Pirro, dashuria e Mujos e Halilit për trojet e tyre, mërzia e Ajkunës për Omerin, mallkimi i lotit të nënës për vdekjen e djalit, sa herë dora godet tokën.

Në to shprehet dëshira për të jetuar e gëzuar të lumtur jetën, në një botë ku shqiptari, kurre nuk u bë e keqja e askujt, gjithmonë u detyruam të luftojmë për t’u mbrojtur, po kurrë nuk sulmuam.

Në vallet tona tradicionale folklorike, gjendet brumi me të cilin, Zoti krijoi t’birin e Shqiponjës.

Në vazhdim ua sjellim poezinë e Kadaresë Vallja Shqiptare:

Tri herë opinga rrahu dheun
Sikur kërkoi leje prej tij;
Pastaj shamia palët ndehu
Me qetësi dhe madhështi.

Kështu mes qiellit dhe tokës
Vallja u lind, vallja u shpall;
Këmba sinjale i çon tokës
Dhe dora qiellit i jep lajm.

Dhe vallja rrokulliset tutje
Mbi kohra hedhur si hobe;
Prilli përsipër i hedh lule,
Dhjetori borën shkund atje.

Valle shqiptare, shënja në erë
Ylbere tirqesh tej-e-tehu;
Kush ju kërceu ju njëherë
Dhe këmbët rob s’i mbenë tek ju?

Kush ra midis vorbullës suaj
Dhe s’u përzhit dhe s’u përflak,
Ju bubullima me opinga
Që nëpër shekuj brodhët varg?

ObserverKult

—————–

LEXO EDHE:

Vallja e Skënderbeut ende i pushton katundet arbëreshe