Me stilin e tij impresionist kishte paraqitur mjeshtërisht vetëm motive lirike nga krahinat e Korçës dhe Pogradecit. Korçari Vangjush Mio (1891-1957), artisti që veproi në periudhën e Pavarësisë dhe pas viteve ’40, është i pari mjeshtër impresionist që e ngriti peizazhin shqiptar në art dhe në nivel profesional.
Gjashtë dekada pas vdekjes, atij i është ndarë dekorata “Nderi i Kombit” me motivacionin “si një ndër piktorët e parë profesionistë në Shqipëri”.
Në ceremoninë solemne të mbajtur të enjten në mjediset e Presidencës e Shqipërisë, kreu i shtetit Ilir Meta ka vlerësuar dy piktorët e shquar, Vangjush Mio dhe Abdurrahim Buza, transmeton ‘Koha’.
Për të parin u tha se “me metodën e impresionizmit ka pikturuar me dashuri peizazhin shqiptar, me dritë dhe gjuhë artistike të nivelit më të lartë. Ai mbetet ‘Poet i natyrës’ dhe pararendësi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm”.
“Krijimtaria e vyer e artistit Vangjush Mio, në fushën e peizazhit dhe portretit realist, u bë shkollë e madhe për të gjithë artistët shqiptarë, për t’u cilësuar me të drejtë si ‘Poet i natyrës’, shembulli i shkëlqyer i piktorit që me veprën e Tij ndikoi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm në Shqipëri”, ka thënë presidenti Meta.
Me dekoratën “Nderi i Kombit”, kreu i shtetit ka nderuar edhe piktorin e shquar Abdurrahim Buza (1905-1985) me motivacionin “si një ndër piktorët e parë që hodhi bazat profesionale të arteve figurative në Shqipëri”.