Jeta pa Vangjush Furxhin, bashkëshortja e tij tregon mungesën e madhe

Ajo është një grua e përkushtuar për familjen dhe profesionin e saj. Gjithë jetën është munduar të përpjesëtojë në gjysmë, jetën si grua dhe jetën profesionale. Ende praktikon këtë metodikë edhe sot, por më e obliguar, sepse tashmë është edhe gjyshe. Kjo është aktorja Marilda Furxhi, bashkëshortja e të ndjerit, artistit të madh, Vangjush Furxhiut.

Prej më shumë se 35 vjetësh ajo aktron para fëmijëve në Teatrin e Kukullave, një karrierë të cilën e filluar bashkë me bashkëshortin e saj vite më parë.

Për gazetën “Shekulli” ajo kohë më parë rrëfeu se jeta bashkëshortore nuk ka qenë shumë e lehtë për shkak të angazhimeve dhe karrierës së tyre artistike. “Çdo ditë Vangjushi kishte shumë angazhime dhe unë u detyrova të përballoja të gjitha vështirësitë ditore të familjes”, shprehet ajo.

Pas vdekjes së aktorit Furxhi ajo u bë një grua që mori përsipër të përballojë jetën në mungesë të “njërit krah”, të rrisë fëmijët, t’i arsimojë dhe të jetojë për ta.

“Kur vdiq Vangjushi, nuk mendova vetëm fatkeqësinë, por isha e zhytur në hallet dhe problemet që mund të më dilnin përpara. Vajzën e kishim në gjimnaz dhe djalin më të vogël. Jeta vazhdon me të mirat dhe të këqijat e saj. Tani kam dy mbesa të vogla dhe një nip, që më mbushin shpirtin tim”, thotë Marilda.

Në këtë intervistë ajo na rrëfeu momente të jetës me Vangjushin dhe vështirësitë ekonomike që ajo ka kaluar.

Si ka qenë Vangjushi si bashkëshort?

Vangjushi ka qenë një njeri, familjar, bashkëshort shumë i dashur. Si çdo artist ka pasur natyrë shumë të ndjeshme dhe për të familja ishte shumë e rëndësishme. Ne jemi martuar të dy shumë rinj dhe me jetën tonë artistike kemi qenë shumë ngarkuar.

Ai ishte një artist në karrierë dhe jeta jonë në çift ka qenë e vështirë. Pothuajse gjithë ditën Vangjushi kishte shumë angazhime dhe nuk ishte në shtëpi. Unë jam detyruar të përballoja të gjitha vështirësitë ditore të familjes. Jetonim bashkë me prindërit e Vangjushit dhe unë u përkushtova shumë familjes, por me pak vështirësi, sepse nuk lashë pas artin.

Si ia dolët të bënit jetë artistike dhe familjare njëkohësisht?

Natyrisht unë gjithmonë kam toleruar duke qëndruar më shumë në shtëpi duke iu përkushtuar më shumë familjes, në krahasim me Vangjushin. Kam punuar gjithmonë në Teatrin e Kukullave, në një skenë të vogël dhe më të thjeshtë se puna e Vangjushit dhe e bëja me shumë dashuri. Jam përpjekur që të jem një nënë që përmbush detyrat e saj.

Jam tërhequr paksa nga karriera. Vangjushi, duke qenë se ishte më i talentuar me aftësitë e tij dhe dhuntitë e tij iu përkushtua më shumë jetës artistike. Me pak sakrifica dhe ndihmë nga familjarët mundëm të ecnim para. Ne donim artin dhe përkushtoheshim, por edhe familja ishte shumë e rëndësishme për ne.

Çfarë mban mend nga jeta bashkëshortore me Vangjushin?

Kam jetuar rreth 24 vite me të, një martesë me shumë dashuri dhe sinqeritet. Bëmë dy fëmijë dhe kam plot nipër dhe mbesa. Kanë qenë vite të mbushura plot me punë, aktivitete, jetë aristike, suksese, por edhe shumë të lodhshme. Ende sot mbaj mend shumë momente, të cilat nuk harrohen dhe do ngelen gjithmonë, rolet e tij që i luante me aq shumë dashuri dhe përkushtim.

Edhe sot emocionohem shumë kur shikoj filmat që ka luajtur Vangjushi, kthehem pas në vite dhe përjetoj gjithçka. Këto nuk vdesin kurrë. Kujtoj të gjitha rolet dhe profesionalizmin e Vangjushit dhe secili, në planin e vet, është i arrirë. Kujtoj dhe krenohem përtej sakrificave që kemi kaluar.

Si ka vazhduar jeta juaj pa Vangjushin?

Kam qenë vetëm 43 vjeçe kur Vangjushi është larguar nga jeta. Kam rritur fëmijët e vetme. Më është dashur të sakrifikoj me forcën time fizike dhe psikologjike. Unë kam bërë edhe punë të tjera si dublime, punë dytësore, jo punë me shumë vlera, thjesht për të marrë të ardhura për të mbajtur familjen time. Jam marrë edhe me shoqata grash, me projekte të ndryshme, duke lëvizur nga një rreth në një tjetër. Nuk është se kisha një dëshirë shumë të madhe, por ishin të vetmet mundësi për të përballuar jetën.

Jeta më ka detyruar që të bëj shumë punë, sepse kisha dy fëmijë për të rritur, të cilët ishin në një moshë delikate dhe kishin nevojë për mbështetjen time. Vajza dhe djali ishin në moshën e adoleshencës kur Vangjushi u nda nga jeta. Kishin nevojë për mua, jo vetëm morale dhe shpirtërore, por edhe ekonomike.

———————————————–

LEXO EDHE: HISTORIA E DHIMBSHME E KEANU REEVES- I VDIQ FËMIJA, MOTRA EDHE ISH-E DASHURA…