“Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqisit, përkthyer nga Romeo Çollaku e botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, fiton çmimin e përkthimit në Panairin e 25-të të Librit “Tirana 2022”.
Romeo Çollaku, shkrimtar dhe përkthyes nga greqishtja, frëngjishtja dhe polonishtja, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e letrave, është një ndër emrat më me zë të kulturës shqiptare.
Çollaku, gjatë ndarjes së çmimit tha se e falënderon jurinë dhe se gëzohet shumë që çmimi i jepet një libri të botuar në Kosovë, për më tepër një libri grek të botuar në Kosovë.
“Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqisit, sjellë mjeshtërisht në shqip nga Çollaku, është historia e Françeskut të Asizit, shenjtorit të pashoq, që ndryshoi rrugën e të menduarit dhe të afruarit me zotin. Një rrëfim prekës, i thellë, i jashtëzakonshëm që, përmes shembullit të jetës së Françeskut, na fton të kthehemi kah shpirtërorja dhe kah humania.
Ky libër është pjesë e kolanës ANIMA, redaktore përgjegjëse dhe ideatore e së cilës është Orjela Stafasani. Sipas Stafasanit, ky çmim është i rëndësishëm jo vetëm pse vlerësohet një nga përkthyesit më të mirë shqiptarë, me përkthimin i një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XX, por edhe pse i jep shtysë botimit e promovimit të letërsisë së mirëfilltë.
Orjela Stafasani shton se shtëpia botuese “Dukagjini” në vetëm një vit të rikthimit të saj kah botimi i librit artistik ka botuar tetë autorë të rëndësishëm, pjesë e kolanës së sipërpërmendur (L. Tolstoj, J. Donoso, N. Leskov, M. de Unamuno, M. Bullgakov, H. James, M. Eliade, N. Kazanxaqis etj; po ashtu, katër prej serisë prej gjashtëmbëdhjetë librash të nobelistit Hermann Hesse, autorë si T. Capote, T. Williams etj., lektyrat për fëmijë, me autorë si R. Kipling, G. Rodari, H. Andersen etj. dhe plot të tjerë që do të vijnë në vazhdim,
Shtëpia botuese “Dukagjini”, përmes këtyre librave u dëshmon lexuesve se shija letrare mund të kultivohet dhe se letërsia e mirë është përherë në modë.
ObserverKult
Lexo edhe: