Valdeta Dulahi, KRAHNEZË, përmbledhje poetike, botoi Shtëpia botuese SYTH, Tetovë 2021, f.111
Nga Vebi Bexheti
Vet titulli i përmbledhjes poetike, KRAHNEZË, paraqet sfidën e parë për qasje drejt një vështrimi analitik të mjaftueshëm të kësaj tufe poezish për lexuesin, që pa ndonjë vështirësi të theksuar t’i kuptojë vargjet poetike të Valdetes, poetes, së cilës gjatë kohë i mungoi guximi i botimit, me drojën se e meritojnë, apo jo t’i dhurohen lexuesit. Kjo hamendje e autores për t’i nxjerrë në dritë këto poezi, është njëherit edhe përgjegjësi morale ndaj lexuesit dhe artit poetik në përgjithësi, veti kjo, që në ndërgjegjjen krijuese të Valdetes ëdhtë tepër e theksuar.
Ndodh shpesh që titullin e një përmbledhjeje poetike, autori ta zgjedh nga titulli i njërës nga poezitë, që e konsideron më të preferueshmen, dhe të përshtatshme për t’ia huazuar titullin, që do e mbullonte tërë përmbledhjen. Në ndonjë rast, titulli vjen vetvetiu, gjithsesi i kapshëm për autorin dhe i qëlluar për ta arsyetuar atë që e përshfaqin vargjet e një përmbledhjeje poetike. Poetja Valdete Dulahi, e priur për ta mbështetur idenë e përzgjedhjes së leksikut, frazeologjive dhe shprehjeve të rralla truallësore, të vendlindjes, nuk mund të çlitohet aq lehtë nga vetja dhe ambienti ku u lind, u rrit dhe u krijua si intelektuale, pavarësisht se shkollimin e mesëm dhe ate të lartin e mbaroi në qytet.
Fjala “krahnezë”, që është aq e pranishme në të folmen e bashkëvendësve të vet gjatë stinës së dimrit, edhe pse nuk është titull i ndonjërës nga poezitë, për poeten, si duket, është e mjaftueshme dhe meritore për t’u bërë titulli i kësaj përmbëledhjeje lirikash frymëzimesh me tema nga më të ndryshmet. Krahneza me këtë rast më së paku paraqitet si fenomen atmosferik, por si burim frymëzimi gjithsesi se po, mbase përveç bukurisë së kristaltë, që ka mbi degët e pemëve, e që i ngjan lulëzimit pranveror të tyre, bëhet edhe metaforë e acarit të ftohtë, që dallon nga bora, meqë ato kristale formohen vetvetiu nga i ftohti dhe nuk bien nga lart si shiu e bora. Kjo dukuri, nga një fenomen natyror kalon në metaforë jete, që sipas vargjeve të Valdetës është herë- herë e ngarkuar me vuajtje e hidhërime, e herë-herë me gëzime, e Lumturi, për ta pritur sërish krahnezën, që vret me bukurinë e saj.
E gjithë kjo laramani ngjyrimesh jetësore e motivesh të ndryshme, përfshirë në poezitë e sapo të botuara të Valdetës, metaforizohet me pranverën, lulet e qershisë dhe aromën e tyre, me vjeshtën, dimrin dhe sërish beharin. Po të lexohen me kujdes vargjet e këtyre poezive, pavarësisht ciklit, që i takojnë dhe temës që trajtojnë, do vërehen pikat dominante referenciale për frymëzim, e që autorja i gjen në ambientin mes malesh e bjeshkësh, nën qiellin e kaltër me plot dallëndyshe, e në përjetimet e fëmijërisë pranë lokes, që ishte plakur nën peshën e rëndë të jetës në këto hapësira. Vuajtjet e personazhit lirik e momentet e gëzimit për dashurinë, jetëshkurtër sa aroma e lules së qërshisë dhe drama tjera jetësore që luhen në skenën e teatrit mes malesh, sikur këtë varg e bëjnë të veçantë.
Një risi që rrallë haset në poezinë e sotme shqipe, e kësaj përmbledhjeje poetike, është fenomeni i vënies së miktotoponimeve në shërbim të poezisë, një argument më tepër se vargjet poetike të Valdetës rrënjët i kanë pikërisht këtu, në katundin e lindjes, Veshallë, pavarësisht se për çfarë cikli poezish bëhet fjalë.
Jorastësisht, vula e identitetit poetik, që ndërtohet krahas formimit të saj si poete, mbetet cikli ME MOTIVET TONA, emërtim ky që në shikim të parë tingëllon pak sa me karakter lokal, por që realisht nuk është ashtu. Një mjedis malor i vendlindjes së poetes Valdeta Dulahi, bashkë me jetën dhe sakrificat për mbijetesë të banorëve të saj, që nga lashtësia, e deri në ditët tona, identifikohej me emërtime malesh, gurësh, lumejsh, bjeshkësh e krojesh, të vetmit dëshmitarë të vuajtjes, sakrificës e në momente të caktuara edhe të gëzimit të këtyre banorëve. E tërë kjo egërsirë e acartë që sundonte në këto anë, nuk e mposhti e as që e përkuli ndonjëherë krenarinë e sharrjanit: “Sharrjani është furtuna, stuhija, / është vetë acari.” Edhe këtë temë me rrënjë nga historia e tradita me tërë vlerat etnokulturore të bashkëkombasve te vet, Valdeta e shndërroi në këngë, ashtu si rapsodi lahutar, por me butësinë e ndjeshmërinë, me artikulimin poetik të shpirtit krijues të një poeteje, që edhe pjesë të historinë, gjeografinë e toponimisē i shndërron në poezi, duke i kënduar me varg modern.
Ajo nuk jetoi në kohërat e odave, ” me mangallin në mes votrës”, e as me shprehjet frazeologjikrë të pleqve të urtë të kohës, por me filozofinë e tyre, të trashëguar nga e kaluara, e të bartura nga lokja, kjo personazhe lirike, që peshon rëndë në mbamendjen e autores, e që shërben si urë lidhëse nga e kaluara, në të sotmen. Këto kujtime, përveç nostalgjisë individuale, para lexuesit sjallin edhe mal dhembjesh, siç do shprehej Valdeta në titullin e një poezie të këtij cikli. E tërë kjo imagjinatë poetike e autores, ndërtohet mbi bazën e shumë figurave poetike, si: malësori,kulla, shkëmbi, acari, hëna, dielli , Shëngjergji dhe shumë vendemërtimesh, që i zgjedh sipas shijes dhe individualitetit krijues. Përmes këtyre figurave poetike dhe festave pagane, karakteristike për këtë malësi, që këtij vargu i japin shije artistike, ajo e pasqyron ambijentin ku jetoi me tërë barrën e rëndë, pa i lënë anash edhe momentet, që sillnin vlera etnokulturore, e që deri vonë kultivoheshin me xhelozi, madje praktikoheshin deri në ditët kur Valdeta largohet nga katundi. E tërë kjo vlerë artistike e vargut lirik të këtij cikli, megjithate nuk nënkupton vetëm një rreth të ngushtë hapësinor, siç është Veshalla dhe rajoni perreth, por shumë më tepër, sepse vargu i kësaj poezie herë- herë del nga ambijenti ku krijohet dhe merr kuptime të reja edhe në përmasë universale.
Kulla si figurë poetike,që simbolizon qëndresën dhe mbrojtjen e pragut të shtëpisë, në këtë rast shtrihet në tërë hapësirat shqiptare, edhe pse poetja për momentin është e motivuar nga miktotoponimet lokale, që lidhen me këto figura, siç janë: “Te kulla”, Lugji Kullës”, dhe Kulla e Tushës”. Me kohë disa nga këto kulla u shembën, për t’u zëvendësuar me objekte të reja, që për loken rrënimi i tyre ishtë edhe mbarimi i saj: “Vetëm në kullë ajo shkund sexhadet./ Ka një mot që pret Shëngjergjin./ Lulet i futi mes pajës./ Kurorën e vari nën mollë.” Përmes këtyre figurave dhe strukturave gjuhësore, që i përgjigjen vargut të poezisë moderne, autorja mendimin e vet e zgjeron në shtresa të reja kuptimore. Metafora e kurorës së luleve me freskinë e dikurshme dhe tharja e tyre, si duket, është edhe vet jeta dhe shuarja e lokes. Siç kuptohet, nga këto vargje, Dita e Luleve, bshkë me Shëngjergjin, përveç si festë e të rinjve, me theksin te vajzat të cilat në momente festive, gëzimi e hareja i emocionon pa masë, :”Dita e Lukeve i ka trazuar cucat,/ kurorë n’krye, kurorë n’bel, / N’vallen e luleve të gjitha zbukuruar”, sikur u dedikohet edhe më të vjetrave, me tërë adetet tradicionale të kësaj feste me rrënjë pagane, që në këtë rast i përfaqëson lokja.
Si gjetje tjera poetike, që shprehin gjerësi mendimi për të vazhduar edhe me poezi tjera me këto motive, aurorja i shfrytëzon mikrotoponimet përreth vendlindjes, karakteristike për gjuhën shqipe dhe sfiduese për shumë hulumtues shkencorë, që merren me studimin e fushave të ndryshme sociolinguistike. Edhe në rastin kur në poezi, figurat poetike autorja i merr nga fusha e toponimisë, si: Gjuri Dinak, Vardisha, Gjuri Shipes, Gjuri Kataunit Lugji Kullës, etj, ato i gërsheton me motive nga festa të ndryshme pagane, si: Dita e Verës, karakteristike për veroret (pejt e thonës), Dita e Luleve (një ditë para Shëngjergjit, ) dhe Dita e ShëngjergjitI. I tërë ky kombinim figurash poetike me nuanca nga më të ndryshmet, që e karakterizojnë vargun poetik të Valdetes, që aq shumë është i lidhur me vendlindjen, e pasurojnë edhe më tepër natyrën e subjekteve lirike, madje edhe në momente kur dashuria mes tyre shkon drejt fundit. Kjo klimë pesimizmi, nëse dashuria do mbijetojë apo jo, është pranishme edhe brenda vargjeve, kushtuar festave më të dashura për te dhe për gjithë të rinjtë. Dashnorja si personazh lirik, e lënduar nga largimi i të dashurit, do ishte e kënaqur së paku të jetë e pranishme në kujtesen e tij, prandaj e lut ate ta kujtojë në çdo moment, edhe atëherë kur hëna me “lëmë” shëndrit mbi “Gjurin Dinak”(Kur rreth hënës krijohej një një dritë në formë lëme, nga veshallasit besohej së të nesërmen do ndryshojë moti), edhe kur të fërfëllojē acari i marsit duke i dhënë lamtumirën ushtimës së Vardishës, edhe atëherë kur ai kurorën e luleve do e hudhë nga Gjuri Shipes si shenjë e humbjes së një dashurie, por edhe atëherë kur në vend të pejve (veroreve) bardh e kuq, Ditën e Verës, ai të varë në degën e thënës një pe të zi: “Ditën e verës kur thanat do të mbushen me penj,/ kujtohu për mua me një pe të zi”.(Më kujto)
Përmes këtyre vendemërtimeve dhe shumë të tjerave, ku autorja e gjen frymëzimin për ta ngritur vargun e saj lirik me motive mbi fatin e personal dhe fatet e kësaj popullate, ajo depërton edhe në thellësi të kohës, në kapërcyll të ndryshimeve të mëdha kur ndodhi konvertimi fetar nga krishterizmi në islamizëm, që gjithsesi ishte proces që i duhej më tepër kohë.
Edhe për këtë fenomen, ajo në mënyrë poetike e shfrytëzoi mikrotoponimin”Kodra e Ali Xhinit (Gjinit)”, si dëshmi të gjallë të këtij konvertimi fetar, me vetë faktin se djali i Gjinit emërtohet Ali. Ky vendemërtim e vulos këtë realitet historik, të ngjashëm edhe me shumë raste tjera të hapësirave shqiptare, madje kur në shumë territore, shqiptarët ortodoksë u asimiluan në sllavë.
Edhe në këtë rast, kur poetja i këndon një periudhe të caktuar të fatit historike të kombit, vargu poetik i saj mbetet me vlera e cilësi estetike, pa u lënduar artistikisht: “E njeh atë dhimbje Aliu/ është dhimbje qëndrese,/ mospranim
i tjetërsimit” (Përsëdytet).
Po me të njëjtat figura poetike, apo të ngjashme, në lirikat e dashurisë, të periudhës së mëvonshme krijuese, kur katundi ishte zbrazur në masë të madhe me ikjen e fëmijëve, djemve dhe vajzave bashkë me prindërit e tyre, poetja Valdeta Dulahi, vargun e ndërton mes nekrologut dhe kujtimeve nga e kaluara për “Gurin e Beqarëve”( Poetja kështu e quan Gjurin e Caucave), vend i adhuruar dhe vizituar ekskluzivisht nga beqarët). Edhe kur i këndon dashurisë, apo kujtimit për te, meqë katundi u zbraz, ikën të gjithë, nuk ka më Ditë Vere, Shëngjergj e as vajza me kurorë lulesh, Valdeta nuk heq dorë nga shprehjet metaforike, që më së miri e përshkruajnë shuarjen e ngadalshme të vendbanimit ku edhe u lind e u rrit ajo: “Vera iku,/ pas saj edhe dallëndyshet. / Dhe yjet u mbuluan nga mjegulla e vjeshtës./ Hënza nuk duket gjithashtu./ Dimri ka më shumë pushtet/ se fëmijët sokakeve nuk duken më”(Kohë e ikur).
Frymëzimi me motive të vendlindjes i poetes, që sjell poezi me formë, përmbajtje dhe tema nga më të ndryshmet, ku në shumë sosh nuk mungojnë ato erotike, sikur në vargun poetik do vinte më i zbehtë pa kēto emërtime vendesh, që shpesh hasen edhe në poezi tjera të kësaj përmbledhje.
Në shumë poezi dashurie të këtij cikli, përveç emocioneve të dy personazhëve lirikë, vuajtjes së tyre, sidomos e vajzës se mund ta humb ate, autorja sjell edhe prurje tjera, që në mënyrë paralele trajtojnë fenomenin e largimit të popullatës së kësaj ane, bashkë me fundin e vlerave etnokulturore. Pritjen e të dashurit dhe bindjen se ai patjetër do vijë një ditë, edhe pse do jetë shumë vonë, e dashura e mat me kohën kur asgjë nuk do mbetet në këto anë, kur “Vathët e Lekës”( edhe te ky miktotoponim është i pranishëm elementi i krishterë) do jenë mbushur me therra, kur nuk do ekzistojë lëma në Vardishë, kur Kroi i Ftohët nuk do e ketë shijen e dikurshme, mullari do jetë kalbur, ndërsa vasha do jetë plakur:”Ti do të vish./ Sigurisht që do të vish./ Po vasha do të jëtë plakur,/ e mullari kalbur” (Do të vish).
Vetmia, pritja, pranvera vjeshta , dimri e acari, sërish bëhen pjesë e pandashme e vargut lirik të dashurisë. Të gjitha këto figura poetike, që në mënyrë metaforike e pasqyrojnë natyrën e subjekteve të litikës së dashurisë, u përgjigjen momenteve të një dashurie me plot dilema, me dyshime e drojë nëse “ai” i qëndron fjalës së dhënë, apo ka ndërruar mendje: “Kujtoi fjalët që i pate thënënë dikur:/ T’kam perëndi,/ Të dua sa mali karshi”. Shprehja frazeologjike shumë e përdorëshme e asaj ane “Sa mali karshoj”, është me kuptim urimi, psh: “Zoti t’dhashtë sa mali karshoj”. Masivin e madh malor, me drunj të shpeshtë ahu, që gjindet përballë katundit dhe frazeologjinë lidhur me te, Valdeta e shfrytëzoi, edhe si figurë stilistike edhe si vlerë me peshë etnolinguistike.(Pritje).
Këtë dilemë për një dashuri të brishtë, dhe pengesën mes dy personazhëve lirik, autorja në një poezi tjetër e ngren në mal: “Përtej malit, aty ku më le/ mes vetmisë dhe asgjësë”(Përtej Malit), duke mos e fshehur të vëtetën se ai (idashuri), tanimë ka dikë tjetër.
Autorja e kësaj tufe poezish, që u krijuan në katund, sikur është e vetëdishme se ky frymëzim poetik nuk mund krijohej në qytet, edhe pse në disa sosh e përmend edhe ate por pa atë lirizëm, që shpërthen vetvetiu, sepse një vendbanim si qyteti, megjithate i vjen i vogël poezisë me motivet që i dëshironte poetja. Këtë realitet ajo e vërteton edhe përmes personazhit lirik, të cilit, sipas autores i rri i vogël qyteti, prandaj, kënaqësinë shpirtërore do e gjejë atje, pranë”Gjurit të Kuç”, “Hurdhave” dhe “Gjurzive të Malë Çajanëve”(Mala i Çajanëve me familje ishte shpërngulur nga katundi Çajë i Lumës dhe bashkë me bagëtinë verën e kaloi në stanin e ngritur pranë gurëve, në kufi të “Kushejncës” dhe “Sheliçes”, prej nga, në vjeshtë u vendosën në katundin Bozovcë) (Evokuim).
Brenda ciklit APOTEOZË, autorja ka përfshirë disa poezi, temash të ndryshme, përfshirë edhe ato të natyrës filozofike, që kanë të bëjnë me jetën, njeriun, mëkatin, fatin, raportet e tij me profetërit dhe Perëndinë: ” Me Perëndinë mëkatova./ E ajo?!/ Lavdinë ua ndau Profetërve./ Bukurinë ua ndau Hyjnive./ Mua më ngarkoi mëkatin. (Apoteozë). Në disa nga këto poezi, sërish ngjyrime të jetës së katundit dhe rajonit përreth, karakteristikë për mikrotoponimet e përmendura në poezitë e ciklit ME MOTIVET TONA, dëshmi kjo se Valdeta e ka vështirë të shkëputet tërësisht nga frymëzimi, që i vjen nga vendlindja, pavarësisht se ku i shkruan ato vargje. Edhe në poezitë, që reflektojnë pesimizëm, vetmi dhe zymtësi në jetën e personazhit lirik, që asgjë nuk kërkon nën zotërim, veç harrimit se ka ekzistuar, sërish “Hëna me lëmë mbi “Gjurin Dinak” dhe aroma e lules jetëshkurtër e qërshisë: “Pastaj lutuni që lulet e qershisë të rrojnë më gjatë”. Në ndonjë rast, edhe vargjet poetike, brenda një atmosfere vetmie: “Bregdetit endesha për t’i bërë vetmisë shoqëri”, përmes përshkrimit të mrekullueshëm të një nate mes detit, hënës, që i lante sytë në te dhe miljona yjeve spektatorë, reflektojnë atmosferë të ngrohtë e relaksues: “Deti nën abazhurin e hënës përkundte veten./ Miliona yje spektatorë në këtë monolog”.
Në mesin e këtij blloku poezish të autores së vetmuar të mëngjesit të zymtë të dimrit shterp të këtij cikli, sikur monotoninë e prish ndonjë poezi që del jashta korrnizave të temave ku mbisundon vetmia, e keqja dhe pesimizmi, për t’iu kthyer sërish historisë siç është edhe ajo kushtuar Lyhnidasve (Ohridasve të sotëm) dhe tokës së tyre të bekuar, që s’e gëzuan, bashkë me Kryqin e Shën Naumit, që e ka marrë malli për meshë shqip: “Hije-hije kalojnë ohrianët e vjetër./ Janë të panjohur për banorët e rinj (Lyhnidasve). Edhe në këtë cikël haset ndonjë poezi, që trajton çështje të përgjithshme jetësore, apo këshilla drejtuar njeriut, gjithsesi të frymëzuara nga filozofia popullore, me theks në ambicjet e njeriut, që mund të bëjë çdo gjë për interesa personale: “Toka u bë për t’u shkelur nga njeriu./ Perëndia nuk u dha flatra njerëzve,/ ambicja e tij s’ka fund/ shkel,/ thyen,/ shtyp,/ robëron./…Zbrit në tokë o njeri! (Për P-në). Ide të këtilla me këshilla përmes sentencave, me kuptime nga urtësia popullore, hasen edhe në ndonjë poezi tjetër, si psh: “Mësohu t’shikosh n’sy/ e të tregosh se tashmë i ke mësuar të gjitha” (Mësohu).
Në poezitë e ciklit SHENJIM, që kryesisht janë me motive dashurie, nuk vërehet ndonjë specifikë e theksuar nga njëra-tjetra, mbase në këto vargje sikur vlimet shpirtërore të subjekteve poetike paraqiten të njëtrajtshme. Në këtë rast e dashura është personazhi në kërkim të dashurisë, me drojën nëse ajo ka humbur përgjithmonë. Me gjithë mallin e me pak shpresë se mund t’i kthehet kjo dashuri, ajo edhe pse e vetëdishme se çdo gjë i takon së kaluarës, qëndron krenare në vetminë e vet, e vetëdishme se edhe kujtimet një ditë do i shkund era, vjeshta do e ndryshk dashurinë, ndërsa motet do mësohen pa te. Këtë dashuri, që qëndron larg e më lark, autorja përmes metaforës së dallëndysheve, që nuk do kthehehen, mungesës së hënës së plotë, dhe ngrirjes së çdo gjëje nga acari, këtë dashuri e shndërron në pritje, ndërsa veten në Penelopën e vetmuar: “Veç unë Penelopë/ e pangrirë do të pres”(Klepsidër e ngrirë). Herë-herë kjo dashnore e vetmuar del tërësisht e zbehur, madje edhe pa forcën e vetme, dashurinë: “Unë s’kam forcën tënde të burrërisë./ Forca ime, dashuria”(Mëkat). Edhe në shumë poezi tjera të këtij cikli, personazhi i dashnores, që herë-herë paraqitet viktimë e një dashurie të pafat, në disa raste e nërkëmb edhe dinjitetin e vet të qëndresës për të vazhduar të mbetet e vetmuar, ashtu e pamposhtur, siç deklarohej në disa poezi tjera: “Mos u largo,/…Nuk do të shkruaj më poezi./ Do ta lë pijen./ Do mbyll facebook-un”(Mos u largo). Edhe pse këto vargje përshkohen nga një frymë me tone pak sa të acaruara, e që përfundojnë në kërkim mëshire, në ndonjë varg tjetër, autorja përzgjedh figura të reja poetike, përmes të cilave ajo sikur e vulos ikjen, është shumë e sigurtë se një ditë do ndodh ky largim, që njëherit do i jap fund asaj pak shprese: “Ngutshëm, ngutshëm…/ Do ikësh një ditë./ E di/ Si dita, si lumi…”( E di).
Edhe në poezitë në vazhdim, sërish mallë e stuhi njëkohësisht, për dashrinë e humbur, qē shpesh shprehin edhe një dozë urrejtjeje e qortimi: “Mos u duk/ Se edhe pritja ka një fund”. (Mos u duk).
Zhgënjimin për një dashuri dhe lamtumirën përfundimtare, që ajo do e mbajë mend si ditë të shenjuar të kalendarit, autorja e shfrytëzoi edhe si emëtimin e këtij cikli. Personazhi lirik në këtë rast, paraqitet si Danja, e cila, sipas autores datën e shenjuar duhet ta konsiderojë vetëm si një numër e asgjë më tepër, duhet përmbysur ate:” dashuro/ festo/ po në atë datë”(Shenjim). Ndodh shpesh, që vargjet me preokupim vetminë, vetveten dashurinë e humbur, dëshirën për kthimin e saj, apo ate në kërkim, të shtrihen në kohë, hapësirë, e në përmasë universale. Personazhi lirik femër i këtij vargu, bashkë me vuajtjet për ate që ka humbur, nga vetvetja dhe koha që e jeton, kthehet në mëkatet e Evës, në Helenën e Trojës që dergjet, dhe te Andromaka e Butrintit shqiptar: “Ç’mëkate femrash,/ Fli të dashurisë”(Femër). Këtë cikël Valdeta e vazhdon me vargje, që më tepër merren me fenomene teorike mbi dashurinë se sa me përjetimet shqetësuese që e ngacmojë vazhdimisht: “Të dashurosh është/ të duash të jesh gjithçka në asgjë”, ndërsa e mbyll me vargje që ia rikthejnë dashurinë, madje më të fuqishme se sa e kishte menduar e dashura sepse “ai”, tanimë për te është ajri në frymëmarrje, zjarri në lëkurë, nuri në sy, është gjithçkaja, është dielli brenda saj, behari i saj i çdo stine, është i gjithë universi.
Përmbledhjen poetike “Krahnezë”, autorja e përmbyll me katër poezitë e ciklit TOKA E DALLËNDYSHEVE. Figura poetike e dallëndyshes, e këtij simboli, që aq shumë e preferon Valdeta, meqë e ka edhe frymëzim, të lirikës poetike, është lajmëtari i pranverës, që e then monotoninë e vetmisë së familjeve kur mes tyre e ndërton çerdhen. Ky shpend shtegtar në këtë rast merr përmasë më të gjerë poetike, duke kapërcyer kufijt e një karakteri të veçantë, të një shpendi, që dëshiron ta ndërtonë çerdhen afër njerëzve, ku edhe do i lë pasardhësit. Poetja eksperimenton me këtë figurë poetike, kur do të krahasohet me te, por tanimë jo si dallëndyshe reale, që e do jetën pranë njerëzve, por si një dallëndyshe, që do të jetojë e vetmuar majë plepi, qoftë vetëm një stinë, ashtu si lule qershie, aroma e së cilës çdo beharë do t’i bënte të tjerët ta kujtojnë ate. Dalëndyshja si figurë poetike, në këto vargje reflekton edhe shtresime të reja kuptimore, ajo tanimë bëhet edhe simbol lirie, kur “si spiranca varen qiellit/ për t’u ngulitur në sytë e njerëzve/ e tua mësojnë lirinë”(Spiranca).
Poetja, Valdeta Dulahi, me përmbledhjen e saj të parë, “Krahnezë”, dëshmoi se ardhje e saj në jetën krijuese letrare, edhe pse e heshtur, e pa zhurmë, bëri jehonë te lexuesit, disa nga të cilët vargun poetik të saj ka kohë që e presin.
E tërë vepra përshkohet nga dritë-hijet, që i sjellë jeta, nga dashuria e humbja e saj, nga vetmia, malli, vuajtja e mëkati, nga pranvera e behari, nga lulet e qershisë, vjeshta, dimri e Krahneza me shumë ngjyra jete nën te.
ObserverKult
Lexo edhe: