reklamë

Vargu i vetmisë

lindita ahmeti

In memoriam

U bënë dy vjet nga ikja në amshim e Lindita Ahmetit. Ajo u lind më 26 prill të vitit 1973. Vinte nga një familje shqiptare e Prizrenit. Shkollimin e mesëm e të lartë e kreu në Shkup. Studimet e saj ishin të profilizuara në gjuhët klasike (greqisht e latinisht), dhe po ashtu ishte ligjëruese e letërsisë antike në Universitetin e Tetovës. Që nga vitet ’90 ishte marrë me poezi. Disa nga titujt e botuar të saj mund t’i listojmë: “Mjedra dhe bluz” (1993); “Ishulli Adular” (1996); “Brezi dhe Zonjës” (2000); “Vetë përballë Erosit” (2004); “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim” (2015); “Dhoma pa derën dalëse” (2015); “Mbrojtja e Hekubës” (2020). Ky është një recension për vëllimin “Mbrojtja e Hekubës”, në nderim të poetes dhe të artit të saj.

Nga Granit Sadiku

Poezia e imazhit

Letërsia rreket t’ia sjellë njeriut lirinë. E liria e vërtetë, kur njeriu s’brengoset se çka do të thotë e si do ta thotë, arrihet në vetmi. Prandaj, vetmia është gjendja kryesore e kreacionit dhe inspirimit. Është gjendja në të cilën njeriu mund të futet thellë në vrimat e errëta të shpirtit njerëzor, dhe ta kërkojë “të qenët”. Atë që Hajdegeri e quante Dasein. Të gjeturit e kuptimit të vetmisë, përbën aftësinë e njeriut për ta nxjerrë në pah shpirtin poetik. E ai që e bën këtë, nuk quhet ndryshe veçse poet.

Vargu i poetes nga Shkupi, Lindita Ahmeti, është një varg i tillë, që reflekton thellë në brendësinë e shpirtit njerëzor, e si rrjedhojë të vetmisë njerëzore. Ajo e shtrin motivacionin e saj poetik thellësisht dhe e liron atë tejskajshmërisht, duke mbërritur fizikisht deri te: rrugët e errëta, që e mbajnë atë larg nga toka e Atës, nga djaloshi bjond, e nga kulla; e kohësisht deri te Hekuba, Kadmi, Roma, te marshi i bizantit, Azisë, turkut, serbit të parë e bullgarit të dytë, e kështu me radhë. Veçantia e saj poetike, shihet nga motivet e shumëta referenciale që rrokë ajo, si dhe nga forma e vetë poezive. 

Poezia e Linditës është astrofike, e vargu i saj është i bardhë. Tërë koncentrimi i orientimit motivacional, është te dimensionet kuptimore e referenciale që ajo i mbërrin. Me disa përjashtime, poezia e saj është kryesisht pa rimë e pa ritëm melodik. Nuk është poezi që tingëllon, por poezi që vizualizon. Me veçoritë e peizazheve, tipizimin impresionist të natyrës dhe ambienteve, Lindita krijon poezinë e saj imazhiste. Poezia imazhiste ka sjellë në letërsi një tjetër kahje, duke e shkëputur efektin muzikal e ritmik nga vargu, dhe duke krijuar kështu efektin piktoresk të pamjeve. Në botë, ky tip poezie u njoh e u vlerësua, sidomos duke u shquar me poetin imazhist Ezra Pound.

Imazhi i poezisë

Imazhi është një pamje pa lëvizje, pra një natyrë e vdekur. Si rrjedhojë, edhe përshkrimi i saj ka disponim të zhgënjimit e të mërzisë. Pamja e parë që na krijohet në mendje kur lexojmë poezinë e Lindita Ahmetit, është një shtëpi e braktisur, me ca lule të bukura që rriten përreth saj, e megjithatë pa pasur kush t’ua shohë bukurinë. Objekti lirik në poezi e kujton vazhdimisht fëmijërinë e dikurshme, kur shtëpia e zemra kanë qenë të mbushura. Ajo do ta thërrasë të ëmën e babain, ashtu si dikur, mirëpo është e mbështjellë nga pëlhura e vetmisë.

Kujtesa poetike te poezia “Peizazh nate”, kthehet te një zymtësi e errët, në një natë të cilën po e rrethonte vdekja. Figura dominante që shquhet nga anaforat e shumëta, është ajo e babait. Kjo figurë e përcjell hap pas hapi, e në vazhdimësi poezinë e Lindita Ahmetit. Përmes abstrakimit dhe sinekdotës së shpimit të natës së madhe nga gaca e vogël e cigares, krijohet imazhi i dhembjes, i dhunës e i ushtimave. Babai mundohet përherë ta bëjë më të lehtë për fëmijën e vet afrimin e rrezikut, duke e përshkruar pelerinën e zezë të natës si lojë e fshehjes. E në anën tjetër, çizmet e ushtarëve vetëmse afrohen edhe më shumë.

Nganjëherë imazhi jep sinjale shprese, me figura romantike si “djaloshi bjond”. Imazhi i djaloshit bjond, si figurë, gjendet te tri poezitë e radhitura të këtij libri: “Mëngjes i vetëm”, “Vetmi dhe kulla” dhe “Njeriu i ri në udhëtim”. Rutina e kapërcimit të një djaloshi përpara kullës së vetmisë, ngjall emocione dhe shpresa të këndshme. Mirëpo, në poezi asgjë nuk humbet më shpejt se shpresa. Dhe kësisoj, ai motiv i dashurisë bëhet i largët, i pakapshëm, e i paarritshëm për objektin lirik. Bjondi pritet e s’vjen, dhe kësisoj bëhet mirazh. Nga humbja e shpresës për t’u bashkuar me bjondin, humb edhe shpresa për ta parë atë. Realiteti bëhet i mjegullt e i paqartë, dhe diskursi zhvillohet sikur po përshkruhet një ëndërr e ngatërruar. E në poezinë e tretë, nga vetmia nis të ngatërrohet edhe mendimi për djaloshin bjond. Optika bartet te një pamje e “njeriut të ri”, i cili shet dheun për ta blerë kripën. Ai shfryen me mallkim mbi tokën, e cila pushtohet nga deti – nga anijet ballkanike e italiane që nisin të zbresin në sipërfaqe për ta pushtuar atë. E ajo, e frikësuar dhe e vetmuar në kullë, mendon edhe një herë për djaloshin bjond. Te poezia “Kur më vjen ai me mbrëmjen” motivi i dashurisë bëhet atipik. Tani nuk kemi të bëjmë me një “djalosh bjond”, por kemi të bëjmë vetëm me një fat të kërkuar, e të pagjetur përkundër mundimeve.

Një imazh i fuqishëm poetik, që përshkruan trajektoren e gjatë historike të popullit shqiptar, është poezia “Memoare”. Pamja e pleqve kapuçbardhë, që dalin në rrugicat e vendit të shkelur nga pushtues shekullorë të vazhdueshëm, paraqet fatkeqësinë më të madhe të një populli. Memoaret që derdhen, apo kujtimet e njerëzve, janë vetëm për pushtuesit që i ndërronin emrat dhe metodat, por jo qëllimet. Duke i përmendur me radhë marshet nga: turqit, serbi i parë, bullgari i parë, serbi i dytë, bullgari i dytë, greku, bizanti, azia, dhe evropa e mbyllur në varrin e Skënderbeut. Radha e pushtuesve është e gjatë, e pleqtë vazhdojnë të qëndrojnë ulur në rrugicë përballë shtëpive të vogla, duke i kujtuar vazhdimisht pushtimet që kishin lloj-lloj ngjyrash, por kurrë kuq e zi.

Figura e referenca

Që nga titulli i përmbledhjes së poezisë, mund të merret vesh se poetja Lindita Ahmeti është e njohur dhe e lidhur ngushtë me antikitetin grek dhe atë romak. Figurshmëria poetike që ajo përdor, e bën poezinë e saj të thellë e meditative. Këto poezi mund të komunikojnë lehtë me lexuesin, mirëpo dekodifikimi është diçka tjetër. Burimin e kodifikimit të poezive, Lindita e gjen kryesisht në këto rrafshe referenciale: në mitologjinë e lashtë greke, në traditën popullore shqiptare, si dhe në traditën letrare botërore. Ajo që e ka për detyrë lexuesi, pasi që ta ketë kryer dekodifikimin, është gjetja e kontekstit të duhur të përdorimit të figurës. E vetëm kur të arrihen këto dy nivele të kuptimit, mund të thuhet se është kapur sensi i poezisë. Kështu pra, duhet të thuhet se poezia e Lindita Ahmetit nuk është poezi e cila mund të lexohet thjesht, për argëtim. Ajo është poezi që kërkon angazhim dhe erudicion në radhë të parë, në mënyrë që të bashkëkomunikohet saktë me të.

Disa nga figurat e mitologjisë greke, që motivohen kontekstualisht në këto poezi, janë: 1. Hekuba – që njihet si nëna e Hektorit, Paridit e Polidorit, të cilës kur ia vranë djalin e fundit grekët, iu hakmorr vrasësit duke ia nxjerrë sytë; 2. Nioba – gruaja e cila u njoh veçanërisht nga tragjedia e humbur e Eskilit, të cilës i vdiqën të gjithë fëmijët që kishte dhe mbeti përjetë duke i vajtuar mbi varre; 3. Erida – perëndesha e konfliktit dhe mosmarrëveshjeve, e cila në dasmën e Peleut dhe Thetisit e hodhi mollën e artë (mollën e sherrit), të cilën Paridi ia dha Afërditës në këmbim të vajzës më të bukur në botë, ngjarje që nxiti pastaj luftën e Trojës; 4. Aresi – perëndia i luftës e i etjes për gjak; 5. Prozerpina – gruaja që u mor në botën e Hadit, e pastaj u bë e njohur si perëndesha e pranverës, etj.

Hekuba, përveç se figurë mitologjike, në poezinë e Linditës tipizohet si njeriu i pafajshëm që gjithmonë vuan nga padrejtësitë e luftës. Hekuba është e pambrojtur, çdo pore e qytetit që ajo zotëronte dikur kishte rënë në duart e armiqve. Të gjitha fuqitë e ushtrisë e të qytetit të madh i kishte rrëzuar një kalë i drunjtë, që gabimisht ishte pranuar si dhuratë. E si mundet pra Hekuba, duke qenë e vejë, pa pushtet, pa fëmijë, e pa asgjë në jetë, ta mbrojë veten?! Ajo, ndonëse është e pambrojtur, nuk ka frikë. Ngaqë, është vetë emri i Hektorit ai që e mban të gjallë lavdinë.

Pastaj Nioba, e cila në motivacionin poetik të Linditës është ndjellakeqe. Ajo paralajmëron vdekjen, e cila duket aq afër shtëpisë së “zonjës plakë”. Ajo e ndjell fatin që e ka djegur atë më së shumëti. Atë fat që, të gjithë, herët a vonë, do ta ndiejnë nën lëkurë. Aresi, në anën tjetër, është i motivuar si zot i të keqes, që vret e pret pa mëshirë. Pastaj Erida, e cila shthurë tërë mirëqenien e njerëzve, me atë mollën e saj të sherrit, të cilën ajo do t’ua qesë me pahir. Mandej Prozerpina, e cila në “Vallen e rëndë”, korrikun e shpallë prill. Çdo gjë përreth në ambientin e saj është simulakër, siç do ta quante Bodriari. Dhe kësisoj, asgjë nuk e ka shijen e vet.

Referenca e dytë, nga e cila Lindita i kodifikon poezitë e veta, është tradita popullore shqiptare. Shpeshherë nga tradita popullore trashëgohen vetëm toponimet, duke ndërkryer kështu bartjen e nocioneve të njohura gjerësisht në popull. E nganjëherë vjen edhe si motivacion i drejtpërdrejt, siç është rastin për shembull me “dheun e Atës”.

Toponim kryesor popullor është “Oda e burrave”, me të cilin emërtim titullohet njëra nga poezitë. Në odën e burrave kuvendohet për fatin e ardhshëm, i cili medoemos do ta ndërrojë ngjyrën, nga e kaltërta në të kuqe. Pra, lufta dhe gjakderdhja janë të pashmangshme. Pastaj, paraqitja e imazhit të kreshnikut Mujë, dhe të zanës e cila bëhet gati t’ia lajë sytë Omerit të ri. Pastaj Skënderbeu, që me figurën e sinekdotës paraqitet mbyllja e Europës në varrin e tij. Motivi i pushtimit është gjithashtu i inspiruar nga kënga popullore, në të cilën i këndohet gjendjes së mjerimit, vuajtjes e robërisë. Vetë përballja e njerëzve me gospodarë e poreznikë, e kujton atë klimë të mjerimit të pushtimit, e cila i zgjat popullit tonë thuajse prej kur i fillon ekzistenca.

Kurse, referenca më e dukshme dhe më e përgjithshme është ajo letrare. Ka një numër të konsiderueshem toponimesh, emrash të autorëve, ngjarjeve apo frazeologjive të cila rimerren nga poezia e Linditës dhe rikontekstualizohen. Këto vërehen me shumë kujdes, prandaj kemi potencuar se poezia e Linditës është poezi që duhet të lexohet me shumë vëmendje. Njëra ndër poezitë, që duket sikur e ka diskursin më të thjeshtë poetik, është poezia “Ku më mbetën çelësat”. Duke përshkruar një situatë të rëndomtë të humbjes së çelësave, kuptimi bartet metaforikisht te kompleti i Kadaresë, saktësisht te “Kështjella”, ku gjenden çelësat e saj. Në këtë rast, ashtu si në shumë raste të poezisë së Linditës, kuptimi është ambig. Çelësat janë pasuria, interesimi, e vetë kuptimi i jetës. Kjo e bën të ndërlidhur motivacionin letrar akoma më tepër, me një vepër të njohur gjithandej të një shkrimtari poaq të njohur.

Intertekstualisht, bartet një thënie nga David Herbert Laërence, e cila i jep drejtim vetë motivit të poezisë. Rënia e dritës së hënës mbi Demin që rri ulur, ndërlidhet pastaj me një referencë tjetër letrare shekspiriane, dilemë të cilës askush ende s’ia ka dhënë shpjegimin: me klenë a mos me klenë. Dhe më pas, mund të shquajmë edhe referenca të natyrave tjera, si toponimet: si Golgotha, Danajt; figurat si: Kali i Trojës; vargu naimian: “Të digjem e të përvëlohem”, e kështu me radhë.

Mbretëresha Metaforë

Ashtu siç mund të shohim, diskursi metaforik i poezisë së Linditës është i motivuar nga aspekte të ndryshme jetësore. Në poezinë e saj, gjërat nuk e kanë vetëm një emër apo një efekt. Pothuajse në secilin emër duhet shikuar kuptimi i dytë, e që mund të jetë lehtësimi më i madh në rrugën drejt dekodifikimit të tekstit. E po ashtu, edhe efekti nuk është përherë i njëjtë. Kulla njihet si objekt i lashtë i trimërisë, bujarisë e mikpritjes. Ndërsa, në gjuhën poetike të Linditës ajo bëhet simbol i vetmisë, i angështisë, i mërzisë e i dhembjes. Ajo mban në brendësinë e saj vetëm kujtime, të cilat përveçqë nuk e kthejnë kohën prapa, i vrasin shpresat për të ardhmen.

Poezia imazhiste e Linditës është hermetike, ngase nuk e duron leximin sipërfaqësor. Pa kaluar nëpër tehun e mprehtë të metaforës, nuk mund të dalë askush në fushën e kuptimit. E kjo është imanencë për poeten, dhe vetëdije për lexuesin. Ai, duke shquar në poezi figura të shumëta antike, popullore e letrare, arrin ta kuptojë më thellë shkallën e kreacionit, në të cilën vepra letrare ndërtohet mbi përvojën e një vepre tjetër letrare.

Për fund, Lindita Ahmeti ishte poete e cila artin e saj kreativ e ngriste në nivel të lartë, duke e përsosur atë stilistikisht e semantikisht. Motivacioni poetik, dimensioni gjuhësor, relacioni konceptual me referenca nga letërsia e botës, si dhe unikaliteti i poetes që sublimon afinitetin letrar të saj, e bëjnë atë poete të shquar, e të veçantë në letërsinë shqipe. Ishte fat që letërsia shqipe kishte një poete si Lindita Ahmetin. Dhe fatkeqësi njëherësh, që pena e saj e aftë u shua herët. Por, ja që poetët dhe tragjizmi shpesh janë më të përngjitur sesa që duhet mes vete. Kurrë pa e ditur se cili prej tyre do të dominojë. Kurrë pa e kuptuar pse ata jetojnë si të humbur, e njihen vetëm pasi që të vdesin.   

ObserverKult


Lexo edhe:

Lindita Ahmeti: Gështenja