“Varri i Ashikut”: Bukuria dhe Faqebardhi, një tragjedi dashurie shqiptare si “Romeo e Zhuljeta”

“Varri i Ashikut”, simbol i sakrificës për dashurinë, është historia tragjike e dy të rinjve të dashuruar nga Ndroqi, që lanë pas një legjendë.

Ky varr gjendet në të djathtë të rrugës automobilistike Tiranë-Durrës, jo shumë larg Ndroqit. Është një vend i qetë buzë Erzenit. Mbulohet nga gjelbërimi dhe hija e rrapit të lashtë.

Fabula flet për dy të rinjtë, Bukurien, bijën e Selman Agës dhe Faqebardhin nga fshati Bozanxhije i Ndroqit të Tiranës. Ishin shumë të dashuruar. Prandaj zgjodhën të vdesin më mirë se të braktisin njëri-tjetrin.

Me pak fjalë historia është kjo:

“Një djalë i ri punonte si hyzmeqar tek një bojar Ai kur dikton se ky i dashuronte vajzën e tij e fejon të bijën me një djalë tjetër.
Kur hyzmeqari merr vesh se e dashura e tij po martohej i shfaq bojarit dashurinë për të bijën. I kërkon dorën e saj. Bojari refuzoi dhe e dëboi hyzmeqarin. Kjo përkundër paralajmërimit se nuk ndaheshin nga njëri-tjetri edhe sikur të vdisnin.


Kur erdhi dita e dasmës dhe krushqit morën nusen, gjatë rrugës u shfaq djali i dashuruar. Ai u thotë krushqve: “O krushq të mirë. Nusja që keni në kalë është e dashura ime. Ne i kemi dhënë besën njëri-tjetrit të mos ndahemi kurrë”.

Nusja ngre duvakun. Bërtet me të madhe.

O burra trima. Unë nuk jam nusja juaj por e këtij çunit trim. Krushqit mbetën të habitur por nuk u tërhoqën. Zakoni e donte që ta shpinin nusen me doemos në shtëpinë e dhëndrit. Atje kishte filluar dasma.

Por kur krushqit u nisën, djaloshi qëlloi mbi nusen e cila ra e vdekur në tokë. Pastaj djaloshi tha: “Tani na martoni të dyve bashkë këtu”. Pas kësaj fjale i qëlloi vetes.

Krushqit i varrosën të dy bashkë në të njëjtin varr.

Të vjetrit mbajnë mend se pranë këtij rrapit ishte veçanërisht një varr i lartë sa një njeri. Ishte ndërtuar me gurë të rëndë e të nxirë në vite.

Varri iu kishte rezistuar mjaft luftërave shkatërrimtare dhe fenomeneve të natyrës. Në Luftën II Botërore ishte restauruar nga ushtarët italianë. E ruajtën italianët, por e shkatërruan shqiptarët!

Nuk dihet si u tret e humbi ai varr. Por legjenda ka mbetur.  Për këtë histori është folur shpesh, madje për të është shkruar jo rrallë në shtypin e përditshëm. Janë bërë dokumentarë dhe emisione të shkurtër televizivë.

Shkrimtari dhe publicist i ndjerë Riza Lahi, i frymëzuar nga hstoria tragjike e dy të rinjve, shkroi një roman të tërë.

Varri është vizituar dhe është përshkruar që në vitin 1863 nga albanologu i shquar gjerman, Johan von Hahn në udhëtimet e tij në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Veriut.

Ja çka shkruan ndër të tjera ai:

“Ne iu afruam gjithnjë e më tepër malit të pjerrët shkëmbor, në krye të të cilit ndodhej një kështjellë e vjetër. Ky mal u shpalos para syve tanë që kur hymë në luginën e ngushtë dhe sapo filloi të bjerë muzgu.

Pak para shtëpive të para të Ndërrenjës, ne mbërritëm te një varr turk, i rrethuar nga pemë të larta, që ndodhej në të djathtë të rrugës dhe që mbante emrin poetik “Varri i Ashikut”.


Këtu, sipas legjendës, është varrosur një djalë i ri së bashku me të dashurën e tij, të cilën e kishte grabitur, mbasi ajo rridhte nga një fis me të cilin ai ishte në armiqësi. I ndjekur dhe i rrethuar, duke parë që nuk kishte asnjë rrugëdalje, ai vrau më parë vajzën dhe mandej veten.

Kur u afruan ndjekësit, djali rronte akoma dhe iu lut atyre që t’i varrosnin të dy së bashku me vajzën, në të njëjtin varr. Kërkesa e tij u plotësua.

Ne do të kishim pasur dëshirë të mësonim hollësira të tjera lidhur me kohën e kësaj ngjarjeje, emrat e dashnorëve dhe të fiseve të tyre, mirëpo jehona e kësaj ndodhie ishte shuar me kohë.

Ndaj për pyetjet e bëra lidhur me të unë mora këtë përgjigje: “më tepër se kaq nuk na është treguar nga ana e baballarëve tanë. Për këtë arsye, as ata nuk duhet të kenë ditur më tepër.”

Nga fillimi i shekullit të 20-të, babai i Dhimitër Shuteriqit, Simon Shuteriqi, i frymëzuar nga kjo histori e rrallë, botoi një “romancë të bukur”, siç thoshte vetë, me titullin “Vorri i Ashikut”.

Ja se si e nis ai rrëfimin:

“Ku kemi për të pushuem?”, pyesin të lodhun e të kapitun udhëtarët që shkojnë prej Tirane në Durrës, a prej Durrësi në Tiranë. Ke “Vorri i Ashikut”, përgjigjen menjiherë kalorët.

E me të vërtetë, kësaj udhe që thamë, ndodhet prej kohësh, në hijen e nji rrapi shumë të vjetër, nji vorr i madh, që thohet  “Vorri i Ashikut”. Vendi, aty përqark, asht që ta ketë anda shpirti, gjithë bar të njomë.

Nga len ka nji han, nga perendon nji teqe, nga anë e veriut ara që s’kanë të mbaruem e nga an’e jugës, udhën. E ç’vend asht ky pra, që rrinë e shplodhen e marrin frymë njerëzit nji copë herë, e si do të ketë qenë puna e këtij vorri të gjatë këtu?”

Dhe pastaj, nis e shpalos historinë e legjendës me të njëjtin emër që rrëfehet prej dhjetëra e dhjetëra brezash në zonën e Ndroqit. 

Janë shumë interesante, sidomos detajet që jep autori për marrëdhëniet midis dy të rinjve: “…dita kur djali e shpëton vajzën nga vdekja e sigurt në valët e rrëmbyera të Erzenit, takimet e mëpastajme të tyre natën me hënë nëpër kopshtijet e fshatit, apo buzë lumit.

Por kjo dashuri e sinqertë do të fikej një ditë tragjikisht. Selman Aga nuk pranoi që vajza e tij, Bukurie, të lidhte jetën me Faqebardhin. I rënë në këtë dëshpërim, djali shigjeton mbi trupin e vajzës në ditën e martesës së saj. Pastaj me një tjetër mbi veten e tij, duke mbetur të dy të vdekur dhe më pas të varrosur, pikërisht në vendin që edhe sot mban emrin “Varri i Ashikut”.

Historiani Kristo Frashërit ka thënë se për historinë e Varrit të Ashikut ka shkruar një tregim në greqisht edhe një qytetar tiranas nga bashkësia ortodokse, i quajtur Naum P. Voilla. Tregimi është botuar në vitin 1885 me titull “Varri i Ashikëve.

“Varri i Dashnorëve”, shkruan ai, ndodhet në rrugën që të shpie nga Durrësi në Tiranë. Është një shesh i vogël i gjelbëruar. Në mes të tij ndodhet një lapidar varri mbi të cilin lëshon hije një rrap madhështor. Pranë varrit ndodhet nga lindja një han përdhesë. Nga perëndimi një teqe bektashiane. Nga veriu një fushë e gjerë, kurse nga jugu rruga publike“.

Për të mësuar më hollësisht ngjarjen, ka thënë Kristo Frashëri, ai qëndroi disa ditë në fshatrat rreth e rrotull. E pasuroi historinë e dashnorëve me doket e zakonet e banorëve të kësaj treve.

Në llojin e saj, ajo mund të krahasohet vetëm me “Romeon e Zhulietën” e Shekspirit.

Ashtu si në Veronë të Italisë, ku prej motesh ngrihet tempulli i këtyre dy dashnorëve tragjik, varri i prishur, mbeti simbol i dashurisë së përjetshme.

Përgatiti T.K/ ObserverKult

Lexo edhe:

KËTO JANË LLOJET E TORTURAVE TË USHTRUARA NDAJ DEPUTETËVE GJATË KOMUNIZMIT