Varvara Hristia dhe poezia e saj

Nga Merita Paparisto

Me poezinë e poeteshës greke Varva Kristia, jam prezantuar së pari në një nga takimet poetike të Klubit të Poetëve të Jugut në Sarandë (Albania 2023), ku pata rastin dhe kënaqësinë të takoj edhe vetë poeten.

Por poezia e saj më erdhi në vëmëndje për të m’u ngulitur ashtu siç mund të nguliten vetëm poezitë e mira, nga libri “Dritare e verbër”, të cilin ma dhuroi përkthyesi i poezive, Dashamir Malo.

Leximi i poezive te Varvares sjellë mjeshtërisht në shqip nga Dashamiri ishin një kënaqësi e vërtetë.

Poezia e Varvarës karakterizohet nga një ndjeshmëri e thellë, simbolikë e pasur dhe një gjuhë që lëviz mes konkretes dhe abstraktes. Ajo ndërthur elemente të përditshmërisë me përsiatje filizofike dhe shpirtërore, duke krijuar një atmosferë poetike që është njëkohësisht intime dhe universale (po përdor fjalën “intime” edhe pse në një nga poezitë e saj autorja thotë:

/“Më thirrën poete.
Dhe të imagjinosh se në asnjë poezi timen
nuk e shkrova fjalën “intimitet”)./

Poetja e vendos poezinë e saj në vënde, relieve dhe stinë të ndryshme, por duke pasur gjithmonë të njëjtin këndvështrim të saj autentik. Ajo përdor gjuhë simbolike për të shprehur tema si jeta, ekzistenca, sakrifica, mungesa dhe dashuria.
Në poezinë e saj “Buka”, buka nuk është thjesht ushqim, por bëhet simbol i përpjekjes njerëzore, mbijetesës dhe shenjtërisë së jetës.

/Rrotulloi sytë
duke përthyer dy gishtat e sëmurë
numuroi kokat e të vdekurve.

Preu dhjetë feta bukë të përgjakura.
I vendosi një e nga një me nderim
në gojët e ngrira, gjysmë të hapura
të ushtarëve kundërshtarë.
Ngriti duart në qiell
dhe nxorri një klithmë që të këpuste shpirtin:
Bukë, vëllezërit e mi, bukë!/

Apo në poezinë tjetër të titulluar: “Ringjallje të vogla” ku kalohen si në sekuencat e një filmi gjithçka mbetet e stampuar në shpirt gjatë kohës që të gjithë ne vrapojmë në udhën e jetës me vështrimin ngulur në të ardhmen, por që më pas poetja ka aftësinë të ndalet, t’i rreshtojë dhe të na i rikthejë ne në vargjet e saj:

/Për ato ringjalljet e vogla do të flas

Të avllisë që kundërmon erë gëlqere,
të ciganes që kërcen në mes të shqotës,
të mirëmëngjeseve,
të faljeve,
të vështrimeve fëmijërore,
të atyre “të dua” që pëshpërit i dashuruari.

Të atyre që hënën e ngrënë e rrëmbejnë
dhe me një buzëqeshje e shndërrojnë në hënë të plotë.

Për ato ringjalljet e vogla do të flas,
që sado kryqëzime u paraprijnë
gjithmonë dhe pagabueshëm në kohë do të mbijetojnë./

Emocionet e shprehura në poezitë e Varvarës nuk janë ulëritëse apo të shprehura me patos, por janë tepër njerëzore dhe ngulitëse. Ajo e përçon ndjesinë tek lexuesi jo nëpërmes figuracioneve bombastike, por përmes mjeshtërisë së përdorjes së fjalëve të thjeshta dhe heshtjes mes tyre.
Në shumë poezi, fjalët e pakta mbartin pesha të mëdha emocionale – një teknikë që tregon mjeshtëri të lartë lirike.

Struktura e poezisë së Varvarës është e ndërtuar në vargje të lira, pa forma të komplikuara metrikore, por mbështetet tek forca e imazhit dhe ritmi i brendshëm i vargut, gjë që i jep poezisë saj një ndjenjë spontaniteti dhe përjetimi të vërtetë.
Vargjet e saj shpesh tingëllojnë si një lutje e brendeshme, si një bisedë e heshtur me vetveten apo me natyrën. Lidhjet e poezisë së saj me këtë të fundit ndjehen6 mjaft të forta. Lidhja e poezive të saj me qiellin, token, pemët, stinët, elementet – janë përdorur si pasqyrë e shpirtit shumë-dimensional të njeriut.

/Sa herë
u shtira si të isha hënë e plotë
le të ishte hëna ime e ngrënë./

Jo vetëm që poezitë e Varvarës edhe pse mund të duken “të forta” mbajnë në vetvete vulën e pa shlyeshme të feminitetit, por ajo shpesh, në poezitë e saj eksploron përvojën e të qënit grua, marrdhënien me trupin, me botën dhe me brendësinë shpirtërore.
Në një numur të konsiderueshëm të poezive të Varvarës ka vargje për vetminë si një gjëndje shpirtërore që të lidh me thelbin e qënies.

/Nuk flas më.
Mbaj vetëm klithmën e nxehtë
thellë rropullive të mia të tkurrura./

Në një vështrim të përmbledhur, ajo që do më mbetet në mendje gjithmonë sa herë që të kujtoj poezinë e Varvarës është fakti që poezitë e saj kanë një botë të gjallë dhe të lëvizëshme, ndjesi të thella, shprehur me një gjuhë të thjeshtë që t’i ngulit ato ç’ka thashë më sipër, në mëndje dhe në shpirt.

Dua të them gjithashtu edhe dy fjalë për përkthimin. Nëse libri do më jepej pa kopertinën dhe faqen e parë do kisha menduar që poezitë janë të shkruara në shqip. Ato rrjedhin shumë natyrshëm në gjuhën shqipe dhe përkthyesi ka arritur ta mbajë në të njëjtin nivel forcën e fjalës së poetes, duke përcjellë kështu botën dhe emocionin e poezisë.
Dhe dua ta mbyll këtë meditim timin mbi poezinë e Varvara Hristias me dy vargje të saj që më kanë pëlqyer shumë:

/Poeti ndonjëherë gënjen
Poezia, kurrë!/

ObseerverKult


Lexo edhe:

DASHAMIR MALO: SHUMË BURRA KALUAN PREJ SHTRATIT TË PENELOPËS