Këshilli i Prindërve në Prishtinë ka reaguar lidhur me bojkotimin për të katërtën ditë radhazi të mësimit nga disa arsimtarë që kanë pakënaqësi lidhur me emërimin e një drejtori të ri.
“Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë. Por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mosmbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme!”, thuhet ndër të tjera në reagim, transmeton ‘gazeta metro’.
Këtu keni reagimin e plotë:
Reagim për bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë
Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh pakënaqësinë e papranueshmërinë e plotë me bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë – tashmë për të katërtën ditë.
Arsyeja përse një grup arsimtarësh atje po shkaktojnë bojkotimin e plotë të procesit mësimor, për shkak të pakënaqësive me përzgjedhjen e drejtorit të ri. Në procedura të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse të arsimit, është krejtësisht e pajustifikueshme, kur këtë çështje duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse.
Vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë, në sy të të gjitha institucioneve shtetërore. Përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë (e edhe rrezikimit fizik të tyre nga shprehjet e pakontrolluara të pakënaqësisë), shfaq dhe tregon për prezencën dhe ndikimin që kanë strukturat joformale nëpër shkolla tona. Dhe të cilat tentojnë të imponojnë me mjete joligjore vendimet e tyre krejt njëanshëm e jashtë rrugëve intitucionale.
Në asnjë kontratë, udhëzim, rregullore a ligj nuk ekziston baza juridike që arsimtarët të bojkotojnë mësimin për çështje që fare nuk kanë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes.
Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit. Që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mosmbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit.
Kjo është e pashembullt dhe e turpshme! Iu bëjmë thirrje institucioneve vendimmarrëse për arsimin në kryeqytet: Komunën e Prishtinës, Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit që pa asnjë vonesë të marrin masa që bojkotimi të ndërpritet dhe fillimi të rifillojë.
LEXO EDHE: “U KËRCËNOVA ME JETË, JAM E PADËSHIRUAR VEÇ PSE JAM FEMËR”, FLET DREJTORESHA E “SAMI FRASHËRIT”