Për ikjen nga kjo botë të aktorit të dashur Mirush Kabashit, reaguan dhe shprehën ngushëllime përmes rrjeteve sociale shumë kolegë të të ndjerit, personazhe të njohura dhe qytetarë.
Por gazetarja e këngëtarja, Ina Kollçaku, ka reaguar ashpër së fundmi lidhur me mesazhet ngushëlluese për të ndjerin, aktorin Kabashi, pasi që sipas saj, shumica nga ta nuk e kanë parë as edhe njëherë atë në teatër.
“Traditat tona pas vdekjes, vaji dhe zija më tmerrojnë aq sa më impresionojnë. Ndoshta katarsisi që kalojmë në atë proces është i nevojshëm aq sa edhe tronditës!
Gjithmonë më ka inatosur vetëm diçka. Sa të drejtë kanë këto njerëz të vajtojnë vdekjen e dikujt që nuk e deshën, vlerësuan apo përkrahën së gjalli. Asosacioni i sotëm për gjithë ata që mendojnë se kanë të drejtë të postojnë Mirush Kabashin dhe pse nuk e panë kurrë në teatër! Sa të drejtë morale kanë?”, shkruan e revoltuar ajo në Instagram.
Ndryshe, i ndjeri Kabashi ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare pas vuajtjeve për tre vjet nga një sëmundje e rëndë, derisa ditëve të fundit ka qenë edhe i intubuar. Ai la pas vetes gruan dhe dy vajza.
ObserverKult
Lexo edhe:
“CA PIKA SHIU RANË MBI QELQ”, POEZINË E ISMAIL KADARESË E INTERPRETON MIRUSH KABASHI
Ismail Kadare: Mall
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.
Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.
Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.
Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.
Poezinë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult