Vdes këngëtarja e madhe Shahindere Bërlajolli

Mëngjesin e sotëm u nda nga jeta këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Shahindere Bërlajolli-Stafaj. Lajmin e hidhur e ka ndarë me ndjekësit në Facebook, këngëtarja Besiana Mehmeti, e cila është mike e familjes.

“Sot na la një prej zërave më origjinal të këngës shqipe Shahindere Bërlajolli- Stafaj e cila në çdo paraqitje reflektonte civilizim dhe kulturë. Nga Peja dhe familja e njohur Bërlajolli, në Gostivar për të mbetur gjithnjë energjike, kërkuese, motivuese.
Pas jetesës dhe sukseseve në Prishtinë, ajo në mes dy dashurive zgjodhi vendlindjen e bashkëshortit- muzicientit të mrekullueshëm me kujtimin e të cilit u shoqërua në dekadën e fundit!
Megjithë sfidat e jetës ajo në çdo bisedë reflektonte aq shumë pozitivitet, dashuri dhe krenari!Ngushëllime familjes Stafaj! Alban, Astrit dhe Ardit të jeni krenarë që mbartni traditën e një ikone të pakopjueshme dhe unike!
Muzika shqiptare sot është në zi, por kënga e pastër shqipe që kultivoi do jehojë kurdoherë bashkë me emrin e saj që historia e muzikës autoktone do ta shkruajë me shkronja të arta!”, ishin fjalët e saj.

Shahindere Bërlajolli që nga viti 1959, në moshën 13 vjeçe, mori pjesë aktivisht në jetën muzikore, duke u bërë solistja më e re profesioniste në muzikën artistike popullore.

Hitet e mëdha të Shahinderes sot përpunohen nga këngëtarë të ndryshme të estradës shqiptare. U martua me kompozitorin e njohur Enver Stafa nga Gostivari, me këngët e së cilit triumfoi 5 vite radhazi në festivalin e vetëm të asaj kohe Akordet e Kosovës.

Ky çift bashkëshortor lanë gjurmë të pashlyera në botën artistike muzikore kombëtare. Ky çift artistik solli në jetë tre djem, Albanin, dhe binjakët Arditin dhe Astritin që sot e kësaj dite vazhdojnë rrugëtimin e prindërve.

Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese./ ObserverKult