Vdes legjenda e muzikës, Tina Turner

tina turner

Këngëtarja Tina Turner, hitet klasike të së cilës, sikurse The Best dhe What’s Love Got to Do With It, e bënë atë një superyll, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.

Turner ka pasur një sërë problemesh shëndetësore viteve të fundit, përfshirë edhe kancer, një sulm dhe probleme me veshka.

Në një intervistë të dhënë më 2018, ajo ka thënë:

“Njerëzit mendojnë se jeta ime ka qenë e vështirë, mirëpo unë mendoj që kam pasur rrugëtim të mrekullueshëm. Me kalimin e viteve e kupton se nuk është e rëndësishme çfarë të ka ndodhur, por si e ke menaxhuar situatën”.

Ajo u bë e famshme së bashku me bashkëshortin e saj, Ike, në vitet ’60, me këngët sikurse Proud Mary dhe River Deep, Mountain High.

U nda nga Ike në vitin 1979 dhe korri edhe më shumë suksese si solo këngëtare në vitet ’80.

Tina Turner gjatë një koncerti në Bazel të Zvicrës më 1996.
Tina Turner gjatë një koncerti në Bazel të Zvicrës më 1996.

E cilësuar si Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it, Tina Turner ishte e famshme për performancat e saj të zjarrta dhe energjike, si dhe për vokalin e fuqishëm.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka fituar tetë çmime Grammy. Është futur në Rock ‘n’ Roll Hall of Fame më 2021 si solo këngëtare, pasi paraprakisht kishte qenë e përfshirë së bashku me Ike-n më 1991.

Hall of Fame kishte thënë se Turner “zgjeroi idenë, dikur të kufizuar, se si një grua me ngjyrë mund të pushtonte një skenë dhe të ishte një person i fuqishëm dhe shumëdimensional”.

Këngëtarët e rinj që kanë thënë se janë inspiruar nga Turner përfshijnë edhe Beyonce, Janet Jackson, Janelle Monae dhe Rihanna.

Tina Turner gjatë një performance me këngëtaren Beyonce në ndarjen e çmimeve Grammy më 2008.
Tina Turner gjatë një performance me këngëtaren Beyonce në ndarjen e çmimeve Grammy më 2008.

E lindur në Tenesi, ajo fillimisht kishte filluar të këndonte së bashku me grupin muzikor të bashkëshortit të saj të quajtur, The Kings of Rhythm. Më pas çifti vazhduan karrierën së bashku dhe shumë këngë të tyre u renditën në top-listat muzikore në fund të viteve ’60.

Në vitet ’70, këngëtarja ndryshoi emrin e saj të lindjes, Anna Mae Bullock, në Tina Turner.

Turner në vitin 2013, u martua me bashkëshortin e saj të dytë, Erwin Back. Çifti jetoi në Zvicër, dhe Turner kishte edhe shtetësinë zvicerane./rfe

ObserverKult

Kliko edhe:

“INTELIGJENCA ARTIFICIALE DO TA NDRYSHOJË MUZIKËN PËRGJITHMONË”

Lexo edhe:

ARDITA JATRU: NËNA IME KISHTE VETËM NJË FUSTAN

Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës.
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk desha të kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin me lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën me gërshërë
dhe mbusha xhepat.
Nëna heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prapë të njëjtin fustan
dhe i përsërisja vetes,
sa dua t’i ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm.
Fundja pse duhej të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë,
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe stinët e mia thinjen para pasqyrës.

ObserverKult