Vdiq dirigjentja e parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi

Dirigjentja e parë shqiptare Rozmari Jorganxhi u shua në moshën 83-vjeçare. Ajo është edhe nëna e këngëtarit të njohur Gjergj Leka.

“Më ike e nuk të dhashë puthjen e fundit, mezi po prisje të bashkoheshe me babin dhe pikërisht dje, në ditëlindjen e tij, u ngjite lart. Mi bëj hallall gjithë fajet”, shkruan këngëtari Gjergj Leka.

Ajo u lind në Korçë. Ka kryer studimet në Mosk, si dirigjente kori dhe mexosoprano. Ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike në TKOB. Si soliste lirike, ka realizuar më shumë sukses një galeri të madhe personazhesh nga operat shqiptare dhe të huaja. Nga viti 1967-1984, ajo ka dirigjuar korin e TKOB, duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni, transmeton ‘koha.net’.

Repertori solistik i Rozmari Jorganxhi është i pasur, i larmishëm dhe përfshin krijime të të gjitha gjinive. Ky repertor është interpretuar në mjaft koncerte dhe shfaqje operash brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si dirigjente e korit, Jorganxhi ka përgatitur dhe ka vënë në skenë dhjetëra vepra shqiptare dhe të huaja. Rozmari Jorganxhi ka dhënë kontribut edhe në fushën e pedagogjisë, ku nën drejtimin e saj janë diplomuar shumë student, që sot vazhdojnë aktivitetin e tyre brenda e jashtë vendit. Ka interpretuar për 10 vjet rresht në Teatrin Giuseppe Verdi të Triestes. Në vitin 2017, ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”.