Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ndau sot lajmin e trishtë të largimit nga jeta si pasojë e COVID-19 të profesionistit dhe personalitetit nga më të pikasurit në fushën e restaurimit dhe të trashëgimisë kulturore, Kliti Kallamata.
“Trishtim i thellë për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme për trashëgiminë kulturore shqiptare”, – shprehet IKTK.
Kallamata u diplomua arkitekt në Fakultetin e Inxhinierisë, Dega e Arkitekturës në Universitetin e Tiranës, 1979 dhe u postdiplomua për studimet Master, në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut, Greqi, ku mbrojti temën: “Mbrojtja, Ruajtja dhe Restaurimi i Monumenteve Arkitektonike”.
Tezën e doktoratës e mbrojti me temën: “Arkitektura dhe Arti i Kishave Post-Bizantine të Voskopojës dhe Vithkuqit”. Fusha e tij e kërkimit shkencor u bazua kryesisht tek Arti dhe Arkitektura Postbizantine në Shqipëri. Gjatë aktivitetit të tij shkencor, Kliti Kallamata publikoi një sërë veprash me rëndësi të veçanti, si: IKONA – Kuptimi dhe Simbolizmi. (IKONA – Kuptimi dhe simbolika e saj) Pallati i mençurisë K & P Sbilias, Athinë 1998. Aktiviteti i tij profesional e përfshiu aktivisht në një sërë punimesh, si në: Konservimin dhe restaurimin e monumenteve historike në Shqipëri, ku kontribuoi aktivisht në projekte, dhe realizime të punimeve. Nga aktiviteti i tij i gjerë profesional po shkëpusim kontributin e çmuar, dhënë nga viti 1981-1989, kur Kliti Kallamata punoi si Arkitekt dhe restaurues në Atelienë e Monumenteve të Kulturës, Korçë, degë e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Nga viti 1989-2006 drejtoi Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Korçë. Ndër restaurimet më të spikatura të Ark. Kallamatës përmendim Kishën e Shën Gjergjit në Shipckë, Manastirin e Shën Pjetrit e Pavlit në Vithkuq, fazën e parë e të dytë të restaurimit të Kishës së Ristozit në Mborje e shumë angazhime të tjera. Kliti Kallamata ishte Fitues i Çmimit të Bashkimit Evropian / Europa Nostra 2011, Amsterdam 2011, me projektin e restaurimit të Kishës së Shën Gjergjit në Shipckë”. Fituesi i Çmimit të Member Choice Award të EU / EN 2011, Amsterdam 2011, me projektin e restaurimit: “Kisha e Shën Gjergjit në Shipcka”.“The Best in Heritage” me Anëtarësim në “Klubin e Ekselencës” në “Kisha e Shën Gjergjit, Shipcka” Dubrovnik Shtator 2012./ATSH