Vdiq në mjerim, vitet e ferrit për poetin Frederik Rreshpja/ Biseda në spital: Më ka ikur nuhatja për gjërat e kësaj bote! Ndjej vetëm aromat e dheut dhe të shirave

Frederik Rreshpja, portret nga Aleksandër Vreko

“Po shkoj dhe shirat po i le të kyçura”
(Frederik Rreshpja)

Nga ENVER KUSHI

Në vend të një sqarimi

Më 19 korrik të vitit 1935, lindi në Shkodër Frederik Rreshpja, një nga lirikët e shquar të letërsisë shqipe, por edhe prozator e publicist. Jeta e tij është një kalvar i tërë vuajtjesh dhe dhimbje. Ai vdiq në mjerim të plotë më 17 shkurt të vitit 2006. Mbaj mend, që gazeta “Drita”, kryeredaktor i së cilës ishte Zyhdi Morava, në “Dosier Frederik Rreshpja”, krahas jetëshkrimit, u botuan shkrime nga Myftar Gjana, Shpëtim Kelmendi, Granit Zela, si dhe poezi të zgjedhura nga Rreshpja.

Po u sjell lexuesve, një pjesë të shkrimit tim, në formë letre që u botua më 5 mars të po atij viti, në gazetën “Drita”, me titull “Përtej thirrjes njerëzore”, ku mes të tjerash nënvizoja: “Sa ishte gjallë, jeta e tij kaloi mes vorbullave dhe acareve të pashembullta. Ata që kërkuan t’i mbyllnin gojën dhe e burgosën, historia i ka zhvleftësuar. Ky poet i rrallë, i denjë për të qëndruar në krah të të mëdhenjve të letrave shqipe dhe asaj botërore, shkoi në mjerim dhe braktisje ekstreme. Sa ishte gjallë, ai i sfidoi të gjitha, duke na dhënë me poezinë e tij, por edhe me prozën e përrallat, shumë dritë, shumë dashuri, shumë ëmbëlsi, shumë gjelbërim jete, ylbere trishtimi e gëzimi, dhimbje njerëzore. Sa ishte gjallë, ai nuk kërkoi mëshirë. Frederik Rreshpja shkoi duke mos lënë, si në baladën e moçme shkodrane, një sy apo një krah jashtë. Rreshpja është i tëri mes nesh, më i gjallë se kurrë. Ai troket në ndërgjegjen e secilit, në ndërgjegjen e turbulluar shqiptare. Ai ecën rrugëve të Tiranës “me një trëndafil shiu në dorë”.

Nuk ndjej asgjë, – tha Frederiku, më ka ikur nuhatja për gjërat e kësaj bote. Nuk ndjej asnjë aromë… As aromat e luleve nuk i ndjej më… As aromën e grurit dhe të bukës. As aromat e jetës. Ndjej vetëm aromat e dheut e të shirave…

Këtë shënim e kam hedhur në një nga blloqet e mi, menjëherë pasi jam kthyer në zyrën e katit të tretë të Muzeut Historik Kombëtar. Duket nga shkrimi i keq, që fjalët e mësipërme i kam shkruar me nxitim, ndoshta për të riprodhuar me saktësi ato që më tha Frederik Rreshpja. Shënimi nuk ka datë të saktë. Sipër kam shkruar këto fjalë: “Mesditë. Dhjetor 2005”, ndërsa poshtë “Fjalët e Frederik Rreshpjes, teksa thithte cigaren ulur në një nga stolat e korridorit të katit të dytë, të pavionit të kardiologjisë, spitali Nr.1 ku kisha shkuar me Moikom Zeqon”.

Mbaj mend që atë ditë në Tiranë binte shi dhe në malin e Dajtit borë. Nuk e di pse nuk kam shkruar hollësira të tjera për atë ditë, kur Frederik Rreshpja u shtrua për herë të fundit në spital. Në bllokun tim nuk kam shënime as për takimet pas Vitit të Ri 2006, ku si gjithmonë kam shkuar me mikun tim Moikom Zeqo… Fjalët e sipërpërmendura janë të fundit që janë shkruar në bllokun tim… Më vjen keq që nuk kam hedhur asgjë me shkrim nga takimet dhe bisedat me të gjatë viteve 1992-1993 ose 1993-1996, por veçanërisht në vitet 2000- 2005. Sepse në vitet 1992-1996 ose më saktë në fundfillimvitet ’92-’93, kur unë provoja papunësinë dhe një vetmi që nuk do ta harroj kurrë, Moikom Zeqo i dha mikut të tij të vjetër Frederik Rreshpja për të lexuar tregimin tim “E hëna e vitit zero”. Dhe atë tregim Frederiku e botoi në numrin e parë të gazetës “Evropa”, botim i firmës me të njëjtin emër, që drejtohej nga poeti i madh… Nuk do ta harroj kurrë 10 janarin e vitit 1993. Ishte një ditë e ftohtë, por plot dritë dhe me një bardhësi ëndrre. Me gazetën në dorë, hyra në lokalin pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, ku gjeta Frederikun me Moikomin. I ndrojtur dhe me një ngazëllim të brendshëm u ula pranë tyre, duke dëgjuar, pas falënderimeve të mia, fjalët e Frederikut. Dhe po atë ditë, Rreshpja i madh më tha: “Tregimi ka shtratin e romanit. Shkruaje romanin se do ta botoj unë me shpenzimet e mia…” Unë i thashë se nuk kisha provuar të shkruaja ndonjëherë prozë të gjatë, se… Por ai ngulte këmbë dhe disa herë tha se romanin do ta botonte shtëpia botuese “Evropa”, se tregimi me gjarpërinj lodra ishte i goditur, se…

Pa dashur të futem në hollësira e të rrefej gjatë për emocionet e asaj ditëjanari me bardhësi ëndrre dhe të tjerat më pas, romani “Hëna e vitit zero” u shtyp në shtypshkronjën e shoqërisë “Evropa” sh.p.k. me adresën rruga “Muhamet Fortuzi” nr.46, me drejtor Frederik Rreshpen. Pas rrugës “Bardhyl”, në një apartament të vogël ku Fredi kishte nisur punën e më pas diku prapa ish-godinës së gazetës “Bashkimi”, adresa e mësipërme ose shtëpia e vjetër tiranase tek vendi i quajtur “Kodra e Kuqe”, ishte qendra e shoqërisë “Evropa” me shtypshkronjën, zyrën e pronarit të saj, Fredit, zyrat ku punonin redaktorët si dhe shtëpia ku edhe banonte poeti Rreshpja. E në këtë shtëpi, ku unë kam hyrë dhe dalë sa e sa herë, kam parë kulmin e shkëlqimit financiar të Rreshpjes, siç kam parë vite më vonë, veçanërisht në vitet 2000-2005, kulmin e varfërisë së tij, humbjen e çdo gjëje, revoltën ndaj atyre që e lanë me gisht në gojë, trokitjet e tij në kryeministri, ministri të ndryshme, telefonatat me politikanë, ministra, juristë. Pesë vitet e fundit përbëjnë epilogun tragjik të jetës së poetit. Dhe po t`i shtosh edhe sëmundjen e rëndë që e goditi fillimisht në zemër dhe më pas në tru, do të thosha pa hezitim, se Rreshpja po përjetonte çuditërisht vetminë dhe varfërinë e De Radës dhe udhëtimet haluçinante të Serembes, dy nga idhujt e talentit të papërsëritshëm nga Shkodra… Njëkohësisht në këto vite ferri të vërtetë për poetin e rrallë, kam parë nga afër edhe kujdesin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit dhe enciklopedistit Moikom Zeqo. Ky përkushtim i Moikom Zeqos i kalon kufijtë e atij që quhet humanizëm ose dashuri njerëzore dhe përbën një shembull të gjallë në marrëdhëniet mes krijuesve, ndoshta unikal në letrat shqipe. Moikom Zeqo i dha Frederik Rreshpes ngrohtësi njerëzore, dashuri, i lehtësoi dhimbjet duke e ndjekur kudo që poeti shkonte dhe duke ndjerë e ndarë edhe vetë shumë nga drama e poetit… Dhe falë miqësisë sime të kahëmoçme me Moikom Zeqon dhe disa rrethanave që i përshkrova më lart, shto këtu edhe punësimin tim në Muzeun Historik Kombëtar, aty nga vitit 2000, kam pasur fatin që edhe unë të kem qenë pranë Frederik Rreshpes, të rri me të, të shkëmbej mendime për letërsinë, të dëgjoj dhe përfitoj nga mençuria dhe thellësia e gjykimeve të tij, të ndjek bisedat mes tij dhe Moikomit apo edhe me krijues të tjerë… Delikat në sjellje dhe në të folur, i thellë dhe i qartë në gjykime, njohës i shkëlqyer i letërsisë botërore dhe asaj shqipe, nuhatës i talenteve të vërteta dhe me shije aristokrati në letërsi, i tillë ishte Frederik Rreshpja në biseda me kolegë.

Por vitet e fundit herë-herë ai ishte ndryshe, jo vetëm në pamjen e rrënuar dhe plakjen e parakohshme, ecjen nëpër rrugët e Tiranës duke i tërhequr këmbët zvarrë (ndoshta pas mesnatave të qeta e më hënë të plotë, rrugët dhe rrugicat pranë qendrës së kryeqytetit shqiptar, do të ndjejnë gjatë zvarritjen e këmbëve me ca këpucë të vjetra apo sandale pa rripa të poetit brilant Frederik Rreshpja). Frederik Rreshpja ishte ndryshe edhe me bisedat e tij haluçinante, të mjegullta, rrëfimet absurde, ngatërrimet të kohëve. Dhe që nga 17 shkurti i vitit 2006, kur ai ka shkuar për të mos u kthyer më fizikisht, kam kuptuar psenë e atyre bisedave të çuditshme, të denja për penën dhe fantazinë e Borhesit … Frederik Rreshpja të paktën që nga viti 2001, sapo binte muzgu, ashtu si në rrëfimet fantazmagorike ballkanase e shqiptare, shkonte në botëra të tjera, përtej asaj reales, dhe kthehej në botën e të gjallëve befas në mëngjes, para lindjes së diellit. Më besoni, isha i bindur se po ta pyesja Frederik Rreshpjen ku kishte qenë gjatë natës, do të përgjigjej lehtësisht: “Kam qenë në Kinë dhe jam kënaqur duke pirë raki orizi me Li Bonë… Kam qenë në Trojë, ku takova Homerin e verbër dhe bashkë me grekun e madh Kavafis, pashë kuajt e Akilit që qanin e qanin mbi kufomën e Patroklit… Tutje në Kalabri me De Radën e vetmuar, folëm për Shkodrën…”

Frederik Rreshpja e ndjente vetën mirë atje, në botën e vdektarëve të mëdhenj. Ndoshta atje ishte më i qetë, larg prapësirave, delireve, çmendurisë, ligësisë, thashethemeve, zhurmës mediatike, varfërisë ulëritëse, imoralitetit të politikanëve shqiptarë, etjes për para, para , para çekuilibrit dhe marrëzisë së botës reale…

Dua të sqaroj lexuesit, se nuk kam bërë pjesë në rrethin e miqve të Rreshpjes. Mbaj mend, që takimin e parë me të e kam bërë në Shkodër, në verë-vjeshtën e vitit 1971. Atëherë bënim zborin 5 mujor pas përfundimit të universitetit dhe Moikom Zeqo shkonte shpesh në shtëpinë e Fredit. Ishte Miokomi, që nguli këmbë që ta shoqëroja edhe unë një ditë atë te familja e Rreshpjes. Moikomin e pritën si mik të familjes. Ai i puthi duart nënës së Fredit dhe kur u ulëm, pyeti se kush isha unë. Moikomi tha emrin tim. Fredi më pa me vëmendje dhe siç më ka thënë më vonë, nuk e lidhte emrin tim me asgjë letrare. Siç nënvizova më lart, pas viteve ’90 u lidha ngushtë me këtë poet të rrallë.

Për poetin e madh, që siç shkruan Moikomi, Rreshpja është poet i lindur dhe jo poet i bërë, janë shkruar shkrime dhe botuar libra, ku do të veçoja atë të Petrit Palushit: “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”, ose janë ribotuar poezitë e tij në disa libra. Do të nënvizoja një nga botimet më serioze të titulluar “100 lirikat, Frederik Rreshpja”, përgatitur për shtyp nga Gazmend Krasniqi dhe Vjollca Osja (Albas 2023). Libri është shoqëruar me dy parathënie e Dr.Gazmend Krasniqi dhe e Prof.Vollca Osja. Janë parathënie të shkruara profesionalisht, shumë bukur, duke hyrë në thelbin e lirikës rreshpjane.

Duke kërkuar në arkivin tim modest e shumë të varfër, në ca copa letrash, me një shkujdesje të pafalshme, kam gjetur shënime të shkurtra, dialogë, fjalë të shkëputura, ndonjë mbresë të çastit hedhur me nxitim, herë me data, por në të shumtën e rasteve pa asnjë datë, që kanë të bëjnë më Frederik Rreshpjen.

Duke botuar shënimet e mëposhtme, shkruar nga unë, i bëj një homazh jetës dhe veprës së Frederik Rreshpjes.

Shënim i mbajtur në Shkodër

Shkodra të trishton në vetminë e saj. Braktisjen. Varfërinë. Jemi nisur me Moikomin herët në mëngjes, për qytetin e Shkodrës. Dita është gri dhe ftohtë, që ia shton trishtimin Shkodrës. Ndërsa shoh rrugët me gropa, suvatë e rëna të pallateve, nuk e di përse më vjen ndërmend një letër e shkurtër, që më ka dhënë miku im Sokol Kongoli e që mban datën 3 shkurt 2000: “Që prej dy ditësh na shoqëron një kohë e zymtë dhe pa qiell… Një shi i imët dhe i vazhdueshëm na shoqëron që nga momenti i mbërritjes sonë. Shkodra, duket krejt e drobitur, sido që nga stili i ndërtesave të vjetra dhe interesante, mbart në vetvete një botë të tërë, e cila të nxit ëndrra…”

Shkodra e drobitur, Shkodra e poetëve të mëdhenj, prej kohësh ka të drobitur një prej lirikëve më të mëdhenj të saj Frederik Rreshpjen. Ai dergjet në një dhomë të errët. Nuk ka drita. Pashka (motra e poetit) edhe ajo e sëmurë, përqafon Moikomin dhe pastaj mua. Gjovalini (i vëllai i Fredit) përpiqet të ndezë gjeneratorin. Kalojmë mes mobilieve të vjetra, vendosur rrëmujshëm në një dhomë të madhe, ku në një kënd të saj është i shtrirë Fredi mbuluar me batanije. Moikomi e përqafon, por poeti nuk flet. Vështrimin e ka të përhumbur. Duket shumë i dobësuar, me një fytyrë të parruar e të verdhë, duket si eremit. Moikomi ulet pranë tij, i vë dorën në ballë, i flet, por ai vetëm na vështron me sytë e përhumbur. Pastaj Moikomi ndez cigaren. E pi me nxitim, gat – gati, sikur e gëlltit duhanin e hidhur. Ndez edhe një tjetër… Mjeshtri i fjalës shqipe, ndoshta Deradiani i fundit i lirikës së dhimbjes shqipe, hesht me dhimbjen e tij, rrethuar nga këto mobilje të vjetra, në një dhomë pa drita e të ftohtë.

Tiranë. Azil. Viti 2001

Prapë me Moikomin në një nga kodrat më të bukura të Tiranës, diku mbi Tregun Elektrik. Azili privat është vendosur në një vilë trekatëshe, rrethuar me kangjella hekuri, ku sapo hyn brenda, befasohesh nga oborri me pemë dhe lule të shumta dhe tavolinat e bukura vendosur nën to. Këtu ka shumë diell, dritë, ajër të pastër dhe poezi. Fredi duket mirë dhe me humor. Na çon në dhomën e tij të mobiluar bukur, ku në një komodinë ka disa fletore dhe letra, të vendosur çrregullt. Është meritë prapë e Moikomit dhe ndërhyrja e tij, që poeti të strehohej në këtë vend kaq të bukur dhe të qetë.

Pa ditë dhe muaj. Stinë e nxehtë e vitit 2001

Ai është nën kujdesin e Prof. Pandeli Çinës. U desh ndërhyrja e menjëhershme e profesorit dhe këmbëngulja e Moikomit, që Fredi të shtrohej menjëherë në Pavijonin e Kardiologjisë. Dhoma ku është shtruar është e vogël dhe e gjejmë të mbledhur kruspull mbi krevat. Duket i zbehtë dhe i pafuqishëm. E megjithatë kërkon që të dalim jashtë. Zbresim ngadalë shkallët dhe ulemi në një tavolinë prej hekuri, të një lokali të shëmtuar, që ndodhej në oborrin e spitalit. Frederiku porosit konjak dhe i kërkon Moikomit cigare. Mos, i them unë. Janë të dëmshme për ty. Ai qesh dhe thërret kamarierin, duke i thënë: edhe një konjak për këtë zotërinë. Unë këmbëngul, që ai s’duhet të pijë konjak, ndërsa Fredi porosit për mua konjak, gotën e të cilit e lë pa e pirë. Kur rikthehemi në dhomën e tij, Moikomi i lë mbi tavolinë një qese me kanatjere, bluza pambuku dhe disa palë çorape. E falenderon Moikomin dhe para se të ikim, kërkon të na shoqërojë deri jashtë dhe kur ndahemi, ulet në lokalin e spitalit dhe porosit prapë konjak dhe ndez një cigare.

Tiranë. 2005. Zyra e Moikomit në Muzeun Historik Kombëtar

Është mëngjes dhe sapo hap zyrën time në katin e tretë, dëgjoj zilen e telefonit. Moikomi më kërkon të zbres menjëherë poshtë në zyrën e tij. Eja menjëherë, thotë ai. Zbres me nxitim shkallët dhe nuk e di pse mendja më shkon tek Frederik Rreshpja. Sapo futem në zyrën e Moikomit pyes jo pa shqetësim: Si është Fredi? Sapo fola me të, thotë Moikomi. Më telefonoi nga Kosova. Kërkon që t’i çoj makinën time në Kosovë. Më ka telefonuar edhe Rexhep Ferri, shton Moikomi. Më pas, kur Fredi kthehet në Tiranë, nga rrëfimi i tij marrim vesh se ç’ka ndodhur me të në Kosovë. Është takuar me shumë krijues atje. Rexhep Ferri e ka ndihmuar edhe për qëndrimin në hotel, edhe për ushqimin, edhe për udhëtimin nga Prishtina në Prizren e më pas në Kukës. Për Kukësin flet papushim dhe veçanërisht për shkrimtarin Petrit Palushi… Kam shkruar një roman i thotë Moikomit. E shkrova në Kosovë. E grisa, shton pastaj, e grisa… Kam shkuar në Ministrinë e Kulturës- thotë. Takova atje Ermir Nikën. Sa djalë i mirë, që është…

Në Tiranë. Hotel. Ndoshta fillimviti 2006

Hoteli është në katin e parë të një pallati të vjetër, në një rrugicë të ngushtë, diku pas ish hotel “Pezës”. Trokasim. Derën e hap një grua e moshuar. Është shtrirë Fredi, thotë ajo. Është pa qejf. E gjejmë në dhomën e vogël shtrirë, por sapo na sheh ngrihet dhe si gjithmonë i kërkon Moikomit cigare. Vërtet është shumë i sëmurë, por me një kurajë të çuditshme. Enver, më drejtohet mua. Mund të më blesh dy qirinj dhe dy paketa? Dal dhe në një market afër Ia kryej porosinë. Marr vesh, që i ka vdekur e motra në Shkodër dhe ai nuk ka paSur mundësi të shkojë në varrim. Me duart që i dridhen, ndez të dy qirinjtë dhe seç mërmërit nëpër dhëmbë. Ndoshta lutet për shpirtin e të motrës dhe me siguri edhe të nënës, që siç më ka thënë Moikomi, e ka dashur jashtë mase dhe i ka kushtuar një poezi, ndoshta antologjike, nëse një ditë do të botohej një e tillë për nënat… shënime të tjera

Dy vargje të De Radës:

Frye era e malit
dhe rrëzoi hijen e lisit.

Poshtë vargjeve një shënim i shkurtër: U rrëzua më në fund një
nga lisat e pyllit Deradian, liriku Frederik Rreshpja.
Nuk e di se në ç’kohë, por me siguri, pasi ky lis kaloi nga kjo jetë
e që quhet Frederik Rreshpja, kam hedhur këto vargje të marra nga librat e tij:

Shi i verbër,
Ti rend t’u kumtosh vetëtimave,
Mënxyrën e dhimbjes sime.
Ca vargje te tjera me një shkëlqim loti dhe dhimbje ulërirritëse:

Unë kam qenë trishtimi i botës,
O ajër i mbrëmjes, mbështillem,
Erdhi ora të vdes përsëri.

O ju shpirtërat e pyjeve,
Mbështjellur në dimrin e dhimbjes.
Tiranë – Shkodër, në ca kohë pa kohë, por në kohën e Lirikut
të Madh Frederik Rreshpja.

ObserverKult

Lexo edhe:

U nda nga jeta, kush ishte Ozzy Osbourne?