Vdiq profesor Llambro Filo i cili dha kontribut të shquar në fushën e historisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit të historisë, Llambro Filo për shkak të koronavirusit.

“Një tjetër lajm i trishtë më hidhëroi sot, ndarja nga jeta e njërit prej Profesorëve të mi të dashur, Llambro Filo, pedagogut veteran të Departamentit të Historisë”- theksoi Meta.

“Si ish-student i tij ruaj respektin më të thellë për komunikimin e ngrohtë dhe njerëzor si mësimdhënës, për aftësitë e spikatura pedagogjike, por edhe si një intelektual me vlera të larta shoqërore dhe qytetare, me kontribut të shquar në fushën e Historisë, së cilës i kushtoi gjithë jetën e tij”, u shpreh Meta.

“Duke ndarë dhimbjen me familjen Filo, të afërmit, komunitetin e nderuar të historianëve dhe të gjithë studentët e shumtë të Tij, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta! Lamtumirë i dashur Profesor! I paharruar kujtimi!” – thekson Presidenti Meta.