Nga Antonia Storace
– “Armando, ma jep çokollatën ma të mirë të zezë që ke: m’duhet me ja çu grues seme”.
– “Kjo asht e mirë, Mario. Nantëdhjetë e nantë për qind e errët”, u përgjigj baristi, tuj i dhanë tabletën ndërsa po printonte faturën e kafes seme.
– “Mos u ban merak, asht shumë e mirë, ta garantoj. Unë jam një adhuruese e madhe e çokollatës së zezë” shtova instinktivisht.
– “A e din zojush unë dhe grueja jeme çdo mbramje mbas darke ndezim oxhakun dhe ndajmë një çokollatë. Marrim nga një katror secili. Do kohë ma parë hanim ato kafe xhepi (pocket Coffee) me liker mandej vendosëm me ndryshu”.
– “Ke ba shumë mirë, a keni shumë kohë bashkë?”
– “Katërdhjetë e shtatë vjet” – shpjegoi ai, tuj i shoqënu fjalët me gjestin e dorës dhe me një buzëqeshje kënaqësie në buzë.
– “Si ja keni mbërritë me ndejtë bashkë për katërdhjetë e shtatë vjet?”
– “Me dashni. Atë të vërtetën veç. E cila asht gja e rrallë. Njerëzit martohen për arsye të gabume. Grueja jeme nuk merr pension, dhe unë marr një gja sa me thanë, katër cent mezi më teprojnë në fund të mujit.
Do vite ma parë më këshillune me kërku ndamjen, vetëm formalisht, që të paguhesha pesëqind euro ma tepër, por veç mendimi, me shku te gjykatësi që më jep një copë letër, dhe me lexu fjalën “i ndamë”, më krijoi dhimbje zemre. E dua shumë gruen teme, nuk munda me ba diçka të tillë.”
Unë shpërtheva në lot dhe ai, me sytë e tij të kaltër që shkëlqenin si dy pellgje uji, vazhdoi: “Unë dhe grueja jeme flemë në një jastëk të vetëm. Kur u martuem, muaji i mjaltit ishte i paarritshëm për xhepat tonë, por me rastin e njëzet e pesë vjetorit të martesës shkova në një agjensi dhe prenotova një lundrim me anije, kërkova një dhomë me dritare, doja me pa detin tuj u zgju pranë saj, a e din sa e lumtun ishte ajo , habitej me gjithçka, edhe me ma të voglën gja”.
– “A keni fëmijë?”
– “Po. Njëni prej tyre u divorcua nga partnerja e tij mbas tetë vitesh me dy fëmijë. Ishte një dhimbje e madhe, e megjithatë, në pamje të dytë, mendoj se asht në rregull. Grueja jeme e kuptoi menjëherë që ata nuk ishin të destinuem për të ndejtë bashkë. edhe me kishte thane. “Mario e ndjej qe nuk janë për njeni – tjetrin”. Por djali jem donte të martohej prandaj ne nuk i penguem, i ndihmuem në çdo gja. Ne fund të fundit gjanat shkuen si deshtën”.
E pyeta nëse mund ta përqafoja. “Ndoshta më sjell pak fat,” i thashë. E la veten të cekej nga kripa që më rridhte ndër faqe.
– “Të uroj tana të mirat zojushë.”
– “Përshëndete gruen tande. Unë quhem Antonia”.
– “Unë jam Mario “.
– “Shpresoj të shihemi prapë Mario. Vij shpesh këtu me pi kafe”.
– “Unë do të doja shumë. Herën tjetër do t’ju qeras unë”.
Falemnderës Univers për mundësinë e takimit me z. Mario.
Përshtati në shqip Arjola Zadrima
ObserverKult
Lexo edhe:
ARJOLA ZADRIMA, PJESË E ANTOLOGJISË SË POETEVE SHQIPTARE “MAGMA”
Arjola Zadrima është pjesë e Antologjisë së poeteve shqiptare “Magma”, përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci dhe botuar nga SHB “Littera”, Prishtinë.
adrima u lind në Shkodër më 1979. Ka botuar: “A ban me m`lshue pak rrugë”, poezi, 2016; “Carpe Diem”, poezi dhe fotografi, 2018, “Po të due unë”, poezi , 2022. Ka ndjekur studimet për Gjuhë Letërsi në Universitetin Luigj Gurakuqi.
Punon si gazetare në Radio Shkodra. Arjola ka fituar disa çmime letrare. Ndër to edhe çmimin Penda e Kristalte, në Munchen të Gjermanise nga International Institute for the Protection of Cultural Gege and Toske.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult