Do ta filloj këtë vegim timin mbi poeteshën Ledia Dushi dhe poezinë e saj me një anekdotë të vitit 2000. Pra, para gati plot 22 vitesh. Shoqata Illyricumi nga Tuzi organizonim Javën e parë të Kulturës në Malësi. Në një mori aktivitetesh kishim paraparë edhe takimet poetike të autorëve shqiptarë, ku kishim ftuar poetë jo vetëm të Malësisë, të Krajës dhe të Ulqinit, por nuk donim ta anashkalonim as Shkodrën. Të bindur se kishim bërë një përzgjedhje të mirë, unë e publikova programin në internet, që sapo kishte filluar të njihej në anët tona. Në program ishte edhe lista e poetëve të ftuar. Pas disa ditësh në e-mailin tim fitova një shkresë në të cilën dërguesi na përgëzonte për veprimtarinë me një propozim që në përzgjedhjen e autorëve ta fusnim edhe Ledia Dushin që, sipas autorit të shkrimit ishte një poeteshë që po tejkalonte kufijtë poetikë shqiptarë. Propozimi mbante nënshkrimin e një autori, emrin e të cilit ma kishte përmendur Ali Podrimja, si përkthyes që pak kohë më parë e kishte prezantuar atë në gjermanisht. Letra e shkruar në një gegënishte të përkryer mbante emrin e Hans-Joachim Lankshit.
Nga Nikollë Berishaj
Të jem i sinqertë, Ledian nuk e njihnim, por vendosëm ta gjejmë dhe ta ftojmë. Madje, në manifestim edhe e angazhuam në jurinë për zgjedhjen e poezisë më të mirë të poetëve të rinj. Kështu i kujtohem njoftimit tonë.
Poetesha Ledia Dushi vjen nga një djerrinë poetike gati gjysmëshekullore ku më shpesh kultivoheshin hithat dhe ferrëlagëset që lartësonin kulte njerëzish dhe ngadhënjim idesh, sesa ndjenja, lule, flutura e shpendë… të vetëdijshme për bukurinë, por edhe kalueshmërinë e tyre. Që nga fillimet e saj ajo brumin e vet poetik nuk e kërkon jashtë vetes e vetëdijshme plotësisht se shoqëria në të cilën po i hidhte vargjet e para nuk ishte e lirë, por vetëm jetonte në iluzionin e lirisë “Jena t’shfrenuem/Shpirt/ Ahma!/s’jena t’lirë“, thotë ajo. Por thellë në atë djerrinë, dikur, para ardhjes së “njerëzve të rinj” shëtisnin dhe vargëzonin poezitë e veta ata që artit sublim të poezisë shqiptare e kishin hap vadat, e që shpesh po ata “njerëz të rinj” i kishin lënë qëllimisht të shterojnë duke i vlerësuar si dekadente.
Përmbledhjet e poezisë së Ledia Dushit nuk mund t’i shohim autonome njërën nga tjetra, por si vazhdimësi, si zhvillim e poetikës së saj, duke krijuar një harmoni e përhershme në mes të gjuhës dhe shprehjes së saj poetike. Poetika e saj ia përshkon trupin, ndjenjat dhe gjithsesi racion, për të mbledhur nga aty nektarin, të cilin aq mjeshtërisht e thur në vargje.
Ledia si poeteshë na paraqitet me gegënishten e saj si mjetin më sublim të shprehjes, e jo si kokëfortësi apo rebelim, që edhe do të ishte i arsyeshëm. Si shembull të mirë të përdorimit të gegënishtes, Ledia kishte vetëm Martin Camajn, që deri në vdekje i mbeti besnik asaj, duke e pasuruar dhe duke e standardizuar atë. Edhe pse poetika e Camajt është për t’u vlerësuar lart, Ledia nuk e kopjon atë por me poezinë e saj i bëhet krah i djathtë.
Ajo gegënishten, me sa e njoh unë, e përdor vetëm në poezi, aty ku futet më së thelli në shpirtin e saj dhe sikur prej tij nxjerr atë më të mirën, drithërimet e zemrës të shprehura në vargje. Poetika e saj tejkalon çastin dhe bëhet e gjithëkohshme, por edhe e pakohshme (jashtëkohshme). Ajo, madje nuk kufizohet me qytetin, rajonin e me atdheun, ajo nuk e pranon qendrën dhe periferinë, ajo i tejkalon të gjitha këto duke u gërryer në amshueshmërinë e kohës të futur në paskajshmërinë e universit të saj të brendshëm. E ai univers veçse zgjerohet, bëhet edhe më i pakufishëm pikërisht me përdorimin e fjalës së ëmbël, shpesh të harruar por domethënëse të gegënishtes.
Po për këtë gegënishten e saj edhe e kritikuan “skribomanët e kritikës letrare”, që për mendimin tim fatkeqësisht ka mbetur si relikt i keq i së shkuarës, kur poezia shkruhej me porosi dhe qëllim.
Përdorimin e gegënishtes në poezinë e saj e kundërshtoi shumë edhe njëra ndër penat më të etabluara në sistemin komunist, Dritëro Agolli, duke e quajtur mendim reaksionar dhe primitiv i këtij grupi në vogël, që ka për qëllim shkatërrimin e unitetit kombëtar shqiptar. Madje shkuan edhe më tej, duke e quajtur “spiune të Serbisë” poeten 20 vjeçare.
Por, edhe përkundër kësaj, ajo vazhdon, pa u përkulur, të na sjell margaritarë poetikë. “Ajo ia del me shkrue nji poezi të mirëfilltë moderne në idiomën letrare tradicionale pa u bâ moderne dhe pa ngec në modelet tradicionale”, shprehet për të Lankschi”.
Poezia e Ledia Dushit është poezi që lind në procesin krijues të vetmisë e meditimit, në thellësinë më të madhe të unit të saj, aty ku kufijtë nuk ekzistojnë, aty ku botët ndërthuren, ku koha ia lëshon vendin ndjenjës. Prej aty Ledia thith nektarin të cilin me mjeshtëri e thur dhe na e sjell të përpunuar deri në të pamundshmen e mundshme të vargut të saj. Në mes të Zanafillës dhe Qiellit, në atë hapësirën unike, (siç e quajnë ithtarët e meditimit transcendental), aty ku është e ruajtur memoria shekullore e të gjitha breznive paraardhëse, ajo shton një përvojë sublime të vetën që thërret, nganjëherë pisket
“Ndoshta
m’asht shformue
zemra…
(e unë s’e di)”,
sepse e ndjen vetën të relaksuar ndërmjet saj si krijuese të krijimit poetik dhe Krijuesit të gjithësisë.
Andaj, nuk çudit fakti se temën e vdekjes, të cilën e prek shpesh, e merr si një gjë që gjithmonë shoqëron jetën, që është pjesë e saj e zakonshme. Ajo nuk i frikësohet vdekjes. E përjeton atë si pjesë të natyrshme të vetes, ngase vetëm
“Dashnia e ndan të tanën veç me Vdekjen”, shprehet ajo në një vend.
Njohësit e mirë të fenomenologjisë së vdekjes thonë se më i frikshëm se vdekja është vetëm përfytyrimi i vdekjes. Por jo edhe për Ledian, e cila me vargun e vet sikur e sfidon atë.
Unë, fmij
luej
mbi vorrin tim.
Ajo, sipas meje, pajtohet plotësisht me thënien se “pavdekshmëria e vetme që ekziston është pavdekshmëria e vdekjes. Derisa të ekzistojmë me ne është edhe vdekja”, andaj edhe vargu i saj:
“flej shpirt, unë mbeta çuet dhe për vdekjen”,
sepse edhe kur
“me jetu s’mundem me dekë s’du”.
Asaj i shtihet Vdekja edhe syçilë, e ajo me te paraqitet pragmatike, sikur vetëm i duhet të përgatitet
“e ndoshta tash m`duhet me e shtrëngu
sepse zemrës heshtinë ia kam prishë…”,
por nuk ndihet e vetmuar aty, sepse
“ndoj shpirt ka me u ulë ndër prroje”.
Poetja sikur jeton në dy botë paralele, në atë të amshueshmen (uniken), ku për hir të së vërtetës nuk duket aq e ngushtuar sa në këtë botën që jeton pasi ta lëshojë lapsin prej dore.
“asgja nuk asht gjallimi as vaji i zhgrehun
as vdekja që mendjes m’del e m’hyn
birue m’ka t’tanën
kso lige të ndjellun që m’shtihet trishtim… “
Një prej elementeve interesante për mua është edhe heshtja, por jo e saj. Ajo kurrë nuk flet për heshtjen e vet, për heshtjen që do të shpërthente prej saj me fuqinë e një vargu. Heshtjen ua lë “tokave të zhdukuna, të ngjituna keq.”
“heshtja na i heqë sytë
e nuk na len me pa
si rrëshqitet n’bar”
Ledia nuk shkruan shumë, nuk është skribomane që dëshiron vetëm të rritë numrin e shënimeve në bibliografinë e saj. Madje në prodhimtarinë e saj poetike ajo bën një pauzë (por nuk hesht! Se, siç thotë:
“qyshkur nuk flej ma e di se kam me u kthye Atje”).
Kjo pauzë nuk është e zakonshme për poetët, veçanërisht jo për ata, të cilët që në fillimi bëhen laureatë të çmimeve më prestigjioze letrare, siç është rasti me përmbledhjen e parë të saj Ave Maria bahet lot, Tiranë 1997 për të cilën fitoi Penën e argjendtë më 1998.
Poetesha jonë është shumë e lidhur me vendlindjen, Shkodrën, por nuk e glorifikon atë, nuk mund ta quajë as djep i kulturës, e as metropol. Vendlindjen ajo e lidh me tërë zhvillimin e saj intelektual dhe njerëzor.
Ajo e di se djepi i thatë mbetet vetëm mjeshtërie marangozit, apo siç shprehet në një intervistë: “nëse njerëzit me aftësi të veçanta në fusha të ndryshme, do të evidentohen dhe do të kenë një prodhim real të përpjekjes. Vetëm atëherë, madje as atëherë, nuk di në do të mund ta përdor fjalën metropol. Por fjalët e mëdha thuhen atëherë kur s’ke asgjë”
Sa i përket përkthimit të poezisë së autores, frikohem se një gjeneratë e krijuar në shtetin amë, apo kohëve të fundit edhe jashtë e kanë vështirë të ballafaqohen me të gjitha ato fjalë, me qëllim të lëna pas dore të gegënishtes. Për fat të mirë, mund t’i ndihmojë shumë Fjalori i veprës letrare të Martin Camajt, i botuar vitin e kaluar në Prishtinë. Ndërsa ajo si përkthyese na paraqitet në të njëjtën mënyrë, ajo përkthen edhe në gegënisht.
Për mua si përkthyes Ledia është interesante dhe sfiduese. Para disa muajsh në revistën Fokalizator në Podgoricë poezinë e saj e përfshina, bashkë me tetë poetë të gjallë shqiptarë, për mua më reprezentativët. Parimi kryesor imi si përkthyes është të marr në veprat më të mira nga gjuha prej të cilës përkthej për t’ua prezantua lexuesve të gjuhës në të cilën përkthej. Ajo është sfidë mjaft e madhe për përkthyesin, por dobi e dyfishtë, si për njërën ashtu edhe për tjetrën letërsi. Në fund të fundit, a nuk është njerëzore që tjetrit t’i prezantohesh në dritën më të mirë të mundshme?
ObserverKult
Lexo edhe: