Vendoset busti i Anton Çetës në Klinë

Në qendër të qytetit të Klinës është bërë zbulimi i bustit të atdhetarit e pajtimtarit, profesor Anton Çetës. Kjo në nder të 31-vjetorit të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, organizimi u bë nga Komuna se Klinës, Asociacioni i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” dhe Këshilli i Donatorëve nga Diaspora- Zvicër.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj tha se Anton Çeta e atdhetarët tjerë filluan misionin jetësor, pajtimin e shqiptarëve, duke trasuar rrugën e bashkimit të shqiptarëve kundër armikut shekullor dhe lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“31 vite më parë, me nismën e profesorit, shkrimtarit e njeriut të urtë, Anton Çetës, kishte filluar në gjithë Kosovën një aksion fisnik, humanitar e kombëtar për pajtimin e gjaqeve e ndaljen e vëllavrasjes. Në këtë kohë, kur pushtuesi serb kishte filluar marrjen e masave represive, atdhetarët shqiptarë filluan ngritjen e vetëdijes kombëtare. Viti 1990 bëri bashkë intelektualë, akademikë, studentë, fshatarë e aktivistë, me një mision jetësor e kombëtar, pajtimin e shqiptarëve e ndaljen e hasmërive”.

“Pikërisht kur pushtuesi synonte të na përçante e të na sundonte, Anton Çeta e atdhetarët tjerë, filluan misionin jetësor, pajtimin e shqiptarëve, duke trasuar rrugën e bashkimit kundër armikut shekullor, lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës. 31 vite pas kësaj ngjarje që bashkoi popullin shqiptar e dha një ndihmesë jashtëzakonisht të madhe në ngjarjet e mëvonshme, Anton Çeta po na bashkon prapë në Klinë”, ka thënë Elezaj, transmeton Klan Kosova.

LEXO EDHE: Anton Çeta, intelektuali që çrrënjosi gjakmarrjen