reklamë

Vepra e humbur e Rembrandt van Rijn rikthehet në Rijksmuseum pas 60 vitesh

Një pikturë e humbur prej dekadash e mjeshtrit holandez të shekullit XVII, Rembrandt van Rijn, është rizbuluar pas një ekzaminimi dyvjeçar nga ekspertët në Rijksmuseum.

Vepra me titull “Vizioni i Zakarisë në Tempull”, e realizuar në vitin 1633, ishte përjashtuar nga katalogu i punimeve të njohura të artistit në vitin 1960. Një vit më pas, ajo u shit te një koleksionist privat dhe më pas humbi gjurmët për publikun dhe studiuesit.

Piktura u rikthye në vëmendje kur pronarët aktualë e paraqitën për analizë në Rijksmuseum. Sipas drejtorit të muzeut, momenti i parë kur e pa veprën gjatë restaurimit ishte mbresëlënës:

“Kur e pashë në studion tonë, u godita menjëherë nga fuqia e jashtëzakonshme që përcjell. E dinim se mund të kishim të bënim me diçka të veçantë”, u shpreh ai.

Ekspertët analizuan pigmentet e përdorura, teknikën e shtresëzimit dhe panelin prej druri, duke i krahasuar me vepra të tjera të hershme të Rembrandtit. Sipas muzeut, materialet dhe stili përputhen plotësisht me periudhën kur është realizuar piktura.

Firma në vepër rezulton origjinale, ndërsa analiza e materialeve, ngjashmëritë stilistike dhe cilësia e lartë artistike mbështesin përfundimin se bëhet fjalë për një punim autentik të mjeshtrit holandez.

Rembrandti ishte vetëm 27 vjeç kur realizoi këtë pikturë, e cila paraqet momentin biblik kur kryeprifti Zakaria njoftohet nga Kryeengjëlli Gabriel se, pavarësisht moshës së thyer, ai dhe bashkëshortja e tij do të bëhen prindër të Gjon Pagëzorit.

Sipas muzeut, artisti i ka dhënë rrëfimit një trajtim novator. Piktura tashmë është e ekspozuar për publikun në ambientet e Rijksmuseum në Amsterdam./euronews.al

ObserverKult


Lexo edhe:

Eqrem Çabej: Pse bota na quan Albania?/ Origjina e emrit Shqipëri…