Akademia e Shkencave të Shqipërisë promovoi së fundmi librin “Antonio Gramshi”, me autor dr. Jaup Zenunin. ASHSH e cilëson librin si një përpjekje shkencore për të sjellë para lexuesit shqiptar një pasqyrë të përmbledhur të jetës së Antonio Gramshit, të kontributeve të tij si revolucionar dhe mendimtar i shquar i përparimtar i shekullit të 20-të; si paraprirës i eurokomunizmit; si figurë e mirënjohur e qëndresës ndaj represionit fashist dhe për jetën e tij si i burgosur politik.
Nëpër faqet e këtij libri, lexuesi do të gjejë përgjigje për pyetje të tilla si: cila ishte fëmijëria e Gramshit, cilat janë rrënjët e origjinës së tij, si u lidh ai me të majtën, çfarë kontributesh dha ai gjatë kohës që jetoi në Torino si student dhe si aktivist revolucionar, si e lidhi ai veprimtarinë e tij si gazetar me lëvizjen revolucionare, si evoluoi mendimi i tij teorik, si u bë ai njëri prej drejtuesve të socialistëve italianë dhe më vonë dhe udhëheqës i komunistëve të vendit të tij dhe anëtar i Kominternit, çfarë kontributesh teorike solli Gramshi në pasurimin e teorive të majta, çfarë është neogramshizmi në spektrin e sotëm të mendimit.
Nga sa është shkruar për Gramshin si mendimtar, si teoricien, si filozof, si estet, si sociolog, si veprimtar politik, si kritik arti dhe kulture dhe si njohës i mirë i edukimit dhe arsimit, tregon se kemi të bëjmë me një nga kolosët e mendimit të shekullit të 20-të, me një figurë poliedrike që nuk i takon vetëm një epoke. Ai do të jetë edhe në të ardhmen një pikë referimi për këdo që do të kërkojë përgjigje për mjaft çështje politike, ideologjike, filozofike, të organizimit të shoqërisë, artit e kulturës, gazetarisë, edukimit dhe arsimit.
Akademia e Shkencave shprehet se, kombi shqiptar duhet të ndjehet krenar që një njeri kaq i madh është me rrënjë shqiptare. Por Antonio Gramshi në vendin tonë nuk ka zënë ende vendin që meriton. Trashëgimia publicistike, letrare dhe politike e Gramshit përbëhet nga 54 vëllime. Në periudhën 1926- 1935, gjatë kohës që ishte në burg, ai shkroi veprat e tij më të bukura, që e bëjnë të pavdekshëm. Gjatë viteve 1926-1935, kur regjimi fashist e burgosi me qëllim që ai të ndërpriste aktivitetin antifashist, ai shkroi 33 “Fletoret e burgut” (prej të cilave 29 ishin fletore tematike dhe 4 ishin kryesisht përkthime), me rreth 3000 fletë. Shkrimet e periudhës së paraburgut janë më shumë politike, kurse ato të periudhës së burgut janë më tepër të karakterit historik dhe teorik. Pjesa më e madhe e krijimtarisë tij është botuar pas vdekjes.
Mendimi i tij teorik filloi të njihej dhe të përhapej jashtë Italisë dhe jashtë kontinentit evropian në vitet 1970, falë ruajtjes me fanatizëm të fletoreve të burgut dhe punëve të tjera të Gramshit nga ana e Tatiana Schucht dhe kujdesit që tregoi Palmiro Togliatti për grumbullimin dhe botimin e tyre. Antonio Gramshi, arbëreshi intelektual erudit me kulturë të gjithanshme, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan Sartrit, Bertolt Brehtit e të mjaft personaliteteve të tjerë të shquar të kohës. Ai u nda nga jeta 87 vjet më parë, pikërisht me 27 prill të vitit 1937. Arbëreshi Gramshi ishte një nga figurat më të rëndësishme të politikës dhe të kulturës në Itali. Ai ka shkruar 54 vëllime me shkrime filozofike, sociale, estetike etj.
Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e politikës”, etj.. Personaliteti i Gramshit ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve. Ai ka dhënë kontribut me vlerë edhe në trajtimin e një varg çështjesh teorike të letërsisë dhe të artit në përgjithësi. Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër Itali, është e pamundur që të mos jetë përballur ne dyqanet e shitjes së librit me emrin e Antonio Gramshit, të këtij njeriu të madh italian me prejardhje shqiptare, që nderohet dhe respektohet shumë sot në mbarë Italinë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë.
Që tek mbiemri “Gramshi” ai tek çdo shqiptar zgjon një ndjenjë disi të veçantë, atë të një qyteti në Shqipërinë e mesme, të një fshati në Skrapar nga është edhe kryerakitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasëmi, të një fshati tjetër në Myzeqe apo të një batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të partizanëve të Mehmet Shehut. Në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simboli i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit. Ai luftoi për të shembur përgjithmonë kufirin e urrejtjes midis njerëzve e urrejtjes midis njerëzve.
Muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua nga fashistët me cilësinë e deputetit të parlamentit italian, e me cilësinë e demokratit të shquar dhe të progresistit poliedrik. Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë, ku provoi lagështirën dhe neverinë e tmerrshme të qelive të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikes etj, duke u ballafaquar kështu jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjen dhe të këqijat, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj./panorama.com.al
ObserverKult
Lexo edhe:
ARBËRESHËT NË ITALI PRANUAN NDARJEN DHE IZOLIMIN E EGËR, MENDUAN SE “DO KTHEHEN SHPEJT NË SHTËPI”