Vetëm përqafomë, sepse sot… kam shumë nevojë për ty

Përqafomë… tregim nga Aturo Huerta

Përqafomë! Lëri krahët e tu të ma heqin të ftohtin, lërmë të dëgjoj rrahjet e zemrës tënde! Përqafomë që të më iki frika, që ngrohtësia e trupit tënd t’i jap forcë qenies time të dobët!

Përqafomë! Vetëm një çast, vetëm për disa sekonda, se ashtu iluzionet e mia do të gjejnë strehë te shpirti yt, se ashtu dashuria ime nuk do të ndihet e humbur, se ashtu do të kem arsye ta mbush qenien time me gëzim.

Përqafomë, me përqafimin tënd të ngrohtë, të madh, dhe do ta ndjej se koha ka ndaluar për disa sekonda, sekonda ku do të jemi të përjetshëm, ku e qara ndalet, ku sytë shkëlqejnë nga lumturia, ku lodhja e pritjes zhduket.

Përqafomë me vrullin e shpirtrave tanë dhe zemrave tona, ku një frymëmarrje të jetë jeta jonë, ku një fërtymë të jetë mirëpritja që buzët tona do t’i bëjnë njëri-tjetrit, përqafomë!… Vetëm përqafomë! Përqafomë dhe ta dish se, me të ndjerë praninë tënde, do të jem shumë e sigurt, sepse duke të ndjerë aq pranë, do të të njoh vërtet! Përqafomë, se dua të të ndiej afër, shumë afër!

Përqafomë! Vetëm përqafomë, sepse sot… kam shumë nevojë për ty!
Përqafomë!

(Në shqip: Bajram Karabolli)

Bajram Karabolli

ObserverKult

————————–

LEXO EDHE:

Bajram Karabolli: I shajtuar nga pandemia

Ngaqë kapuçin e veladonit e mbante shumë të ulur, nuk munda t’ia shikoja fytyrën. Veladoni i saj, aq i përmendur, nuk m’u duk i zi. Seç kishte një ngjyrë të çuditshme që nuk e përcaktoja dot. Ama, jo vetëm veladoni, por gjithçka tek ajo, përfshi edhe trupin e saj të hollë e të gjatë, – me siguri, në sytë e mi të megosur, realiteti kishte filluar të tjetërsohej, – ishte aq shumë joshëse sa nuk e hiqje dot vështrimin prej saj.
Nuk më kapi fare për dore, jo më të më rrëmbente, siç thonë. Jo, aspak. Ajo vetëm ecte përpara, ndërsa unë, i tërhequr nga njëfarë ngashënjimi, shkoja pas saj, si një qengj i urtë.

Kësisoj, më çoi në ca vise të habitshme, po, gjithsesi, të shpifura. Në vend të barit kishte një llosh të murrmë dhe ferra pa gjethe, vetëm me gjemba. Gjithandej sundonte një zbehtësi që sa vinte dhe zmadhohej dhe që të kujtonte ngjyrën e meitit. Edhe pse në dukje me dy këmbë, ajo nuk ecte siç ecin njerëzit. Ajo branisej, duke lënë mbrapa një vazhdë përzhitjeje.

Aty për aty, ndërkohë që shikimi im sa vinte dhe mekej më shumë, dallova se veladoni i saj me ngjyrë të pangjashme po bëhej i errët. Ndjeva të më merrej fryma. Këmbët po më priteshin dhe ndalova. Atëherë veladoni, tashmë i zi, u kthye mbrapsht dhe u sos para hundës time…