Vetëvendosje në Shqipëri, thirrje qeverisë: Nuk duhet të rrezikojmë nxjerrjen e Gjirokastrës nga UNESCO

Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë i ka drejtuar një thirrje autoriteteve që të ndalojnë punimet për ByPass-in Gjirokastër, pasi rrezikohet trashëgimia kulturore.

Përmes një reagimi të ndarë në rrjetet sociale, LVV shprehet se komiteti i UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore ka miratuar një rezolutë ku i kërkon qeverisë së Shqipërisë ndërprerjen urgjente të punimeve në bajpasin e Gjirokastrës, si shkak i ndikimit negativ që ka ky projekt, ndërsa qeveria e ka injoruar, duke vijuar punimet.
LVV shprehet se nuk duhet të rrezikojmë nxjerrjen e Gjirokastrës nga UNESCO.

Reagimi i LVV, Tiranë:

Të ndalet bajpasi në Gjirokastër, të shpëtohet trashëgimia jonë e përbashkët Ditën e djeshme, Komiteti i UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore ka miratuar një rezolutë ku i kërkon qeverisë së Shqipërisë ndërprerjen urgjente të punimeve në bajpasin e Gjirokastrës, si shkak i ndikimit negativ që ka ky projekt duke dëmtuar monumentet e trashëgimisë kulturore. Rezoluta i kërkon Republikës së Shqipërisë që të ftojë e të mirëpresë një mision zyrtar monitorimi i cili do të vlerësojë jo vetëm ndikimin e bajpasit në vlerat e trashëgimisë, por edhe të të gjitha projekteve të tjera në qytetin e Gjirokastrës.

Organizata të tjera ndërkombëtare si dhe Lëvizja VETËVENDOSJE!, bashkë me ish kandidatin për deputet në Gjirokastër, arkitektin Kreshnik Merxhani, e kanë paralajmëruar publikisht qeverinë mbi dëmet e këtij projekti dhe rrezikun për nxjerrjen e Gjirokastrës prej UNESCO-s si pjesë e trashëgimisë botërore. Megjithatë, qeveria, në kundërshtim me ruajtjen e vlerave kulturore e historike, rregullat e prokurimit publik dhe pa transparencë apo konsultim me banorët e zonës, ka vijuar me zbatimin e projektit të ndërtimit të bajpasit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bën thirrje qeverisë që të ndalë vrullin e mbrapshtë për të rrënuar trashëgiminë kulturore të vendit. Nuk mund të rrezikojmë nxjerrjen e Gjirokastrës nga UNESCO, prandaj ndërtimi i bajpasit duhet menjëherë të pezullohet për t’i dhënë kohën e nevojshme misionit ndërkombëtar të monitorimit që të kryejë vlerësimet e domosdoshme.