Mbrëmja poetike kushtuar poetit dhe veprimtarit të njohur të shek.XX, Ali Asllani u ndoq me interes nga publiku në teatrin “Petro Marko” të Vlorës. Aktorët Rozeta Feri, Yllka Mujo, Viktor Zhusti dhe Artan Islami intepretuan me mjeshtri poezitë e jashtëzakonshme të Asllanit.
Nën tingujt e muzikës, vargjet e poetit të dashurisë, Ali Asllani erdhën më bukur se kurrë në skenën e teatrit “Petro Marko”.
Poezitë u interpretuan nga aktorët e njohur Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Rozeta Feri dhe Artan Islami. Në piano Aulon Naçi, shoqëruar nga kuarteti i harqeve dhe sopranoja Suada Gjergji.
Nëpërmjet vargjeve, natyrës dhe zemrës, Ali Asllani sjell përshkrimin e shpirtit të Kombit. Një poet sa kompleks, aq edhe i thjeshtë. Sensi i humorit dhe ironia e hollë e bëjnë poezinë e tij të veçantë dhe autentike.
“Ali Asllani e ka shenjuar historinë e Vlorës, e ka dashur Vlorën si Ai! E ka ngritur në piedestal figurën e gruas”, tha Rozeta Feri, aktore dhe njeherësh organizatore e këtij eventi.
“Ajo që nuk thuhet shpesh për Ali Asllanin është lirizmi dhe erosi”, tha Driada Dervishi, regjisore.
Viktor Zhusti shprehet se “mbrëmjen e së enjtes festuam në Vlorë, në vendin që e ka frymëzuar poetin”. Ndërsa Yllka Mujo e krahason poezinë e tij me ujin e burimit.
Mbrëmja poetike “Ah ky mall, ky mall i çmendur!” kushtuar poetit dhe intelektualit të njohur vlonjat të viteve ’20-’30 në shek. XX, u ndoq me interes nga artdashësit që duartrotikën çdo performancë të artistëve.
Mbështetës i zjarrtë i Ismail Qemalit, Ali Asllani ka qene bashkëthemelues i shtetit shqiptar, diplomat karriere, kryebashkiak i qytetit të Vlorës për shumë vite dhe ndër themeluesit e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve./shqiptarja.com
ObserverKult
Videon mund ta shihni duke klikuar më poshtë:
Lexo edhe: