Ali Asllani: Koka bën e koka vuan

Ç’ke moj zemër që rënkon!

Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtatë sqepe!

Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotëria pinte verë,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e që të bluaj,
Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë
E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!

Na të urt’ e të mendafshtë s’qemë të zot të bënim zë
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetës të përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon ne gji të gjembit të këndoj’ një dallëndyshe?

Mirëpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!