
Në Korroticë të Ulët të Drenasit është përuruar Shtëpia-Muze e shkrimtarit për fëmijë Ymer Elshani. Institucionet dhe familjarët e kanë cilësuar këtë projekt si përpjekje për ruajtjen e trashëgimisë letrare dhe kujtesës historike të autorit. Ymer Elshani, i cili u vra gjatë luftës në Kosovë, kujtohet si një nga figurat e rëndësishme të letërsisë për fëmijë.
Në Korroticë të Ulët është përuruar Shtëpia-Muze e Ymer Elshanit, një prej autorëve më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj. Objekti, i restauruar nga Ministria e Kulturës, ruan dorëshkrime, fotografi dhe kujtime nga jeta dhe krijimtaria e shkrimtarit, i cili u vra gjatë luftës në Kosovë. Në ceremoninë e përurimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ruajtja e trashëgimisë së Ymer Elshanit është një obligim institucional dhe kulturor për brezat e ardhshëm.
“Vrasja e familjes Elshanit, në njërën anë është dëshmi e gjenocidit të Serbisë që ka dashur ta shfaros popullin shqiptar dhe në anën tjetër që i ka synuar shkrimtarët intelektualët ata që i japin shpirt popullit, sikurse shkrimtari, poeti, Ymer Elshani që ishte për shkrimtarët e Kosovës. Falënderoj Teutën si e vetmja e mbijetuar e familjes Elshani që me shumë kujdes i ka ruajtur gjësendet në mënyrë që sot shtëpia e Ymer Elshanit u bë Muze dhe të vizitohet prej brezave të rinj, prej shqiptarëve anembanë, por edhe prej vizitorëve të huaj, prej turistëve të cilët do ta kujtojnë me fakte e me dëshmi materiale se çfarë çmimi të lartë ka paguar populli ynë që sot të jetë i lirë dhe ta ketë shtetin e vetë të pavarur, në Republikën Demokratike të Kosovës”, theksoi Kurti.
Në emër të familjes foli Rinora Elshani Zymeri. Ajo tha se përurimi i Shtëpisë-Muze është një moment me rëndësi jo vetëm për familjen Elshani, por edhe për kulturën dhe kujtesën kombëtare.
“Përurimi i Shtëpisë Muze Ymer Elshani, është një moment krenarie, jo vetëm për familjen tonë, por edhe për kulturën edhe kujtesën tonë kombëtare. Kjo shtëpi mund të mbetet një vend kujtese dhe frymëzimi duke ruajtuar dhe përcjellur brezave veprën dhe kontributin letrar e kulturor të Ymer Elshanit si dhe sakrificën e Ymerit dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës” , tha ajo.
Ymer Elshani konsiderohet një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe për fëmijë në Kosovë. Ai ishte autor i dhjetëra librave me poezi, tregime dhe romane. Jeta e tij u ndërpre më 17 prill të vitit 1999. Në Poklek të Drenasit, ai u vra nga forcat serbe bashkë me bashkëshorten, katër djemtë, nënën dhe shumë civilë të tjerë. Nga familja Elshani mbijetoi vetëm vajza e tij, Teuta Elshani./rtk
ObserverKult
Lexo edhe:






