VIDEO-POEZI: Manjola Brahaj interpreton poezinë e saj “Anima”

Manjola Brahaj: Anima

As bardh, as zi nata që e ngulfatun shtrihet mes nesh.
As ujë, as dhé toka ku ne ecim shpindë për shpindë.
Veç nji puthje e vjedhun me krejt botën bjen ndesh
e trupat tanë tash veç vetun me ndejtë dinë.

As poshtë, as nalt nuk dihet ku jem’ në ç’kohë!
Në ç’qiej shkojnë lutjet e ankthit tonë t’egër,
pa dashtë e pa ditë si kurrë mos me u pasë njohë,
shkruejmë fatin tonë letrash me sy t’verbër.

Mbledhim erën me duer t’mpime dimnash t’shkyem.
Pijmë kaltrinë e qiellnave t’pambërrimë.
Kujtojmë dikur nji frut me t’cilin parajsën e fyem
dhe e duem dhénë bashkë me pemët që na mbijnë.

As zjerm, as ngricë skuta ku bujtin shpirtnat.
Veç Frymë e Dritë ajri që pijnë sytë.
Kthejmë ku kem’ qenë e i duem t’ikunat,
qiellnash t’pakapshëm njisoj si Perënditë.

Provojmë gjakun n’ashtin e dheut,
e ndiejmë kangën që rana këndon për ne.
Puthemi buzë më buzë jetojmë tehut,
pa u rrxue, gjymtyrësh tue u pre.

I jepemi ujit me dashni bishash,
me kryeneçësi prej burgut s’domë me dalë.
Krejt e tashmja na rrëshet gishtash,
pa mujtë me folë as me falë.

Me nji kujtesë kohësh t’shkapetun copë,
biem kryekëput si me qenë termekë.
N’kupa religjionesh t’rrëzueme për tokë,
pa ditë ku jem’ t’gjallë as ku kem’ me vdekë!

ObserverKult