VIDEO: Shkëlqyen në Eurovision/ Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca tregojnë si u takuan, flasin edhe për planet e përbashkëta

Dashuria për këngët e vjetra shkodrane bëri bashkë gjashtë vite më parë artistët Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, që u takuan në rrugët e Italisë për t’u rikthyer në qytetin e vendlindjes, ku përzgjodhën këngët e preferuara dhe duke ruajtur elementët autentikë, i risollën në një stil elektronik bashkëkohor, ashtu sikurse “Zjerm”, që i ngjiti në skenën e Festivalit Evropian të Këngës!

Në një intervistë për Top Channel kështu u përgjigjën kjo dyshe:

Kolë Laca, producent – Kur rritesh e kupton që janë moderne këto këngë, kanë 100 vite por janë shumë të freskëta. Mjafton të ndërrosh pak tingujt dhe kënga duket si e kompozuar dje.

Beatriçe Gjergjikëngëtare – Këngët shkodrane më kanë dhënë shumë frymëzim dhe më dukeshin në të njëjtin nivel me këngëtarë të mëdhenj RnB, janë gjëra të vështira por të bukura.

Artistët e Shkodra Elektronike rrëfejnë se pas këngës që na bëri krenarë në Eurovision, qëndronte dëshira për t’i kënduar njerëzve të thjeshtë dhe kjo sipas tyre ishte arsyeja e mbështetjes së madhe që morën nga shqiptarët gjatë gjithë këtij rrugëtimi unik.

Beatriçe Gjergji – Mendova të shkruaj një këngë për festival që fliste për gjëra të thjeshta… imagjino një minutë ku të gjithë gjërat shkojnë mirë, një ëndërr me sy hapur.

Kolë Laca – Njerëzit e kanë ndjerë këtë këngë, ndjenim se po shkonim të tërë bashkë në Eurosong. As ne nuk jemi ndjerë vetëm, ishim të tërë bashkë.

Performanca e Shkodrës Elektronike bëri që Eurosong të flasë shqip në çdo detaj, përfshirë fustanin e zjarrtë që simbolizoi trupin e Rozafës dhe qilimin që u shtrua në skenë.

Beatriçe Gjergji – Në janar mami nisi të qendisë tutën, e qëndisi krejt me dorë, më pas nisi pjesën tjetër. Fustani që i ka marrë më shumë kohë se çdo tjetër. Më pas stiloi kostumin e Kolës. Iu deshën gjashtë muaj. Edhe fustani me qilim lidhet me narrativën që donim të kishim, mami gjeti një qilim te shtëpia e gjyshes, i gjithë fustani imitonte shtëpinë e gjyshes. Ky ishte koncepti: Shqipëria është me ne.

Pa hatërmbetje për votat e jurisë, Beatriçe dhe Kola janë të mbushur me dashurinë e publikut, për të cilin kanë vetëm mirënjohje.

Kolë Laca – Njerëzit na interesojnë, çdo gjë që ka të bëjë me jurinë s’na intereson shumë.

Zjermin, që ngrohu zemrat e ndjekësve, nuk kanë ndërmend të shuajnë… artistët që ripunimin e këngëve të vjetra e cilësojnë një argëtim, zbulojnë projektet e reja e ndajnë momentet nga bashkëpunimi i veçantë me një grup isopolifonik nga Çorovoda.

Beatriçe Gjergji – Te ky disk që ka dalë kemi eksperimentuar me këngë nga pjesë të tjera të Shqipërisë.

Kolë Laca – Kemi xhiruar me një grup isopolifonik në Çorovodë…

Për Beatriçe Gjergjin dhe Kolë Lacën, ëndrrat po bëhen realitet dhe ky pasion duket se do i mbajë më shumë në atdhe, ku duan të vazhdojnë të krijojnë dhe dhurojnë emocione për publikun.

Shikojeni videon me përgjigjet e tyre:

ObserverKult


Lexo edhe: