“Vigani i brishtë i Kosovës”, libri analitik për Ibrahim Rugovën

“Vigani i brishtë i Kosovës” erdhi i përkthyer nga Elvi Sidheri dhe e botoi SHB “Beqir Musliu”

Nga Sabit Rrustemi

I botuar në Francë qysh në vitin 1998, në vlugun e luftës për çlirimin e Kosovës, nga autorët Jean Yves Carlen, Steve Dushene dhe Joel Erhart, libri analitik për Ibrahim Rugovën dhe rezistencën e tij të padhunshme për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, me 23 vite vonesë, vjen dhe në gjuhën shqipe, falë Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.

“Vigani i brishtë i Kosovës”, pati ndikim të mjaftueshëm në qarqet franceze për senzibilizimin e publikut frances rreth çështjes së Kosovës dhe luftës së saj për liri e shtet në vete.

Personaliteti i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, si dhe në shtetet tjera të Perëndimit, edhe në Francë, jo veç çmohej por edhe respektohej, madje edhe nga nivelet më të larta shtetërore franceze.

“Vigani i brishtë i Kosovës”, libër analitik

Autorët në fjalë, të cilët identifikoheshin dhe angazhoheshin përmes shoqatës “Kosova asamble”, me veprimtaritë e tyre të parreshtura, veçmas gjatë viteve 1996 – 1999, dhanë kontribut të çmueshëm për një Kosovë të re dhe demokratike, madje edhe përmes këtij botimi, i përkthyer shqip në mënyrë solide nga Elvi Sidheri, si dhe me një parathënie meritore nga prof dr. Anton Nikë Berisha.

Opinioni kosovar e më gjerë, përmes këtij libri analitik, “Vigani i brishtë i Kosovës”, ka rastin t’i thellojë edhe më tej njohuritë e veta se sa shumë pati ndikim kjo lëvizje paqësore e shqiptarëve të Kosovës, në përpjekjet e tyre për liri, pavarësi e demokraci, që shkurt e shqip identifikohej përmes emrit të Ibrahim Rugovës… madje edhe të mburret.

“Vigani i brishtë i Kosovës” libër kushtuar Ibrahim Rugovës

—————————————————————————————-

LEXO EDHE: Ibrahim Rugova: …Vetëm jam në dhomë

(Pablo Neruda, 1904)

***
…Vetëm jam në dhomë. Diçka më ngroh, më nxit. Po. Më jep fuqi fryma e një burri të rryeshëm në jetë. Me afsh zë të flas me të, me shpirtin e tij, me veprën, me ne. I falem që me të flas për atë që mua më përshkon e s’mund ta them…Ziej kështu më vete. Ziej në mugëtirën e mbrëmjes dhe papandehur. Nga thellë e ndiej frymën e dalë tërë e një ashk:

,,Ne shkruajmë për njerëzit e rëndomtë. Për njerëzit që janë aqë të përvujtë, sa dendur s’dinë as të lexojnë. E poezia gjëllinte në tokë para shkrimit dhe fjalës së shtypur-ndaj e dimë se poezia. Ashtu si buka, duhet të jetë e të gjithëve, e mbarë vatrës sonë të madhe dhe tejet të bukur njerëzore”.

E posa t’i këndojmë këto fjalë të Pablo Nerudës, para nesh ngrihet një fytyrë e madhërishme poeti, i cili gjithë shpirtin e derdhi për të mirën e njerëzve të rëndomtë, për të mirën e atyre që përmbushin botën.

Dhe kur ta shijojmë veprën e tij poetike, kurrsesi s’mund t’i shqitemi, sepse është e jona. Kësodore na ngjet me poetët e hollë, me shpirtrat e mëdhenj. Me ata që të pushtojnë me çiltërtinë e tyre të kulluar.

Nuk u këndon himne, nuk u thur lavdi e kurorë

Shpirti i madh i Nerudës, prej se u bë të dijë për vete, edhe sot, rrahu furishëm e me plot guxim në fërtymën e lirisë, në fërtymën e jetës dhe të dashurisë, në fërtymën e të mirave më të ardhura të njeriut.

Ai këtyre nuk u këndon himne, nuk u thur lavdi e kurorë. Por i merr siç i marrin të gjithë: se pa to nuk ka të rrojtur, s’vlen që për tjetër të gazmohesh e të kërkosh dritë, pasi dritë është vetë.

Lirika nerudiane që në fillim zu t’i ëmbëlsojë njerëzit, që atëherë kur delte nga një zemër e pikëlluar me vesë rinoshe. Ajo u rrit dhe u përkye bashkë me kohën në të rëndomtën. Është ndër lirikat e rralla, që ndjeu aq fort tik-takun e kohës sonë. Këtë veti të poetit e hetoi shumë mirë Lorka, kur në Universitetin e Madridit. Duke e bërë të njohur tha se është:

,,Poet që kundërmon më shumë vdekje se sa filozofi, më shumë dhembje se sa mendje, më shumë gjak se sa ngjyrë”. Kjo do të thotë se ky është poet i tokës, e jo i shterzimeve të kota.