Në rolin e parë do të duhej të qante, por aktrimi do të ishte një nga gëzimet më të mëdha në jetën e aktores me një galeri të pasur rolesh, si në skenë dhe në ekran. Në një intervistë dhënë kohë më parë për emisionin “Përballë” të autores Ornela Islami, i transmetuar në “Dixhitalb”, Yllka Mujo rrëfen momentet më të rëndësishme që kanë shënjuar rrugëtimin artistik.
Kontakti i parë me skenën për Yllka Mujon ka nisur që në moshën 8-vjeçare, moment kur ajo thotë se u pranua nga Tonin Harapi, si soliste dhe këngëtare në Pallatin e Pionierëve.
Ëndrra e saj për t’u bërë aktore u nxit dhe nga babai saj, i cili në rininë e hershme kishte dashur edhe vetë që të bëhej aktor, por nuk mundi. Ëndrrën e parealizuar, babai e nxiti tek e bija, e cila e realizoi duke u bërë jo vetëm një aktore, por një nga më të suksesshmet në Shqipëri.
Në rrëfimin e saj, Yllka Mujo tregon lidhjen me skenën, kontaktin e parë me një sheshxhirim, daljen e parë përpara kamerës, peripecitë për të arritur suksesin, luajtjen përkrahë vëllait të saj në filmin “Malet me blerim mbuluar”, si dhe lidhjen personale me Donaldin, aktorin që luan rolin e Taulantit te filmi “Taulanti kërkon një motër”.
FAMILJA DHE KONTAKTI I PARË ME SKENËN:
“Unë vij nga dy prindër nga krahinat e Veriut, babai im ka lindur në Tuz të Malit të Zi, ndërsa nëna ka lindur në Shkodër. Babai im në rininë e tij të hershme është marrë me trupat amatore të teatrove dhe ka qenë aktor në rininë e tij. Kjo ka qenë edhe ëndrra e tij, por që nuk u kurorëzua.
Kështu që kënaqësia e prindërve të mi ishte ajo që ata nuk arritën dot në jetë ta realizonte fëmija e tyre. Babai im ishte një person me një temperament të jashtëzakonshëm dhe kur ne ishim të vegjël na ushqente me përralla. Mirëpo nuk ishte vetëm efekti i përrallës, por ishte dhe efekti i fantazisë, kështu që unë jam rritur në këtë ambient përralle.
Nëna ime kishte një zë të mrekullueshëm dhe herë pas here e dëgjoja që këndonte, ishte në ëndrrat e saj kjo gjë, nuk ishte profesioni i saj. Ajo ishte rrobaqepëse shumë e talentuar. Unë aktivitetin tim e kam filluar në moshën 8 vjeçe, por deri në atë moshë më pëlqente shumë kënga. Kënga ishte motivi i jetës sime. Një mësuese muzike në shkollën “Petro Nini”, kur unë isha në 8 vjeçare, më rekomandoi të shkoja në Pallatin e Pionierëve dhe të takoja profesor Tonin Harapin.
Mua nuk m’u desh më shumë se kaq dhe një mbasdreke nisem për në Pallatin e Pionierëve. Hyra në një botë të re që nuk e kisha njohur më parë, por që menjëherë e kuptova se ajo ishte bota ime. Kështu takova profesor Toninin, i cili më mori dhe më tha: “Çfarë di të këndosh?”.
Unë i thashë: “Santa Luçian”, një këngë të cilën e këndoja nga filmat kryesisht. Filloi t’i binte pianos dhe unë fillova të këndoja, pashë një entuziazëm shumë të madh në sytë e tij, po shumë të madh dhe më tha: “Paske një zë të mrekullueshëm e këtej e tutje do të jesh një nga këngëtaret soliste të Pallatit të Pionierëve.
Kështu filloi rrugëtimi im dhe në njëfarë mënyre, kjo vendosi vulën për të ardhmen time. Unë e ndjeva që në moshën 8 vjeç se jeta ime do të ishte kënga dhe do të ishte skena. Në atë kohë u zhvillua dhe festivali i parë për fëmijë dhe pionierë dhe unë mora çmimin e parë. Më pas në të gjitha festivalet që u zhvilluan në Tiranë mora çmimin e parë. Por problemi im nuk ishte te çmimet, por te ëndrra ime”.
FILMI I PARË: SI U PËRZGJODH NGA VIKTOR GJIKA PËR FILMIN “I TRETI NË BRONZ”
Pasi u shkëputa nga Pallati i Pionierëve, unë konkurrova në Liceun Artistik dhe fitova. Pastaj, në semestrin e dytë të vitit të parë në Liceun Artistik u propozova të luaja një film. Isha në Pallatin e Kulturës dhe shikoja një festival fëmijësh. Aty ishte një operator, i cili kalonte të gjithë fëmijët dhe vetëm mua nuk më filmonte. Mbaroi festivali dhe tamam në dalje të shkallëve të Pallatit të Kulturës, takoj Aurikën, gruan e Ilia Tërpinit, që kishte qenë udhëheqësja ime e pionierit te shkolla “Petro Nini Luarasi”.
Ndërkohë që afrohet Ilia Tërpini, që ishte pikërisht ky kameramani, dhe thotë: “Po kjo qenka shumë interesante si portret dhe si tip”. Më merr më hedh dorën në qafë dhe më thotë: “A do të ishe ti e lumtur që të luaje në një film?”. Nuk e di, por në atë mbasdite me shi, tamam në atë moment, m’u duk sikur doli dielli. Edhe thashë: “Po, sigurisht që po, dua të luaj film!”.
Kjo ishte një ëndërr që shumë ndoshta shumë herë me veten time e kam ëndërruar, kur shikoja këto filmat italofrancezë me këto aktoret e mëdha dhe të bukura. Vjen në shkollë dhe “Ti,- i thotë Zana Shuteriqit,-së bashku me Teuta Matin, hajde dhe ti Yllka”, tha në fund. Shkuam në Kinostudio, vjen regjisori i filmit Viktor Gjika, kryqëzon duart dhe i kthehet Ilia dhe i thotë:
“Mirë këto të dyja, po ç’ma ke sjellë këtë picirruken këtu”. Pasi mbarova setin e fotografive, më thotë Viktori se do të më lajmëronin nëse do të fitoja. Kthehesha nga Shkodra, tek ura e vogël e Lanës takoj Lili Teshon, e cila më thotë: “A e di do të të jap një lajm, ke fituar rolin tek ‘I treti në bronz’”. E kapa Lilin hopa dhe e kam rrotulluar aty në rrugë, nuk e di se sa rrathë kam bërë me një “aaaaaaa” të madhe. Ishte në lumturi e jashtëzakonshme.”
XHIRIMET E PARA, DITA MË E “FRIKSHME” NË JETËN E YLLKA MUJOS
“Dita e parë e xhirimit ka qenë dita më e frikshme në jetën time. U përballa me aktorë vërtet të mëdhenj. U futa në një rreth njerëzish që ishin shumë më të rritur se unë. Viktori me duart e lidhura kryq rrinte dhe më shikonte. Sigurisht, isha më e paragjykuara nga të gjithë, pasi nuk dija asgjë nga filmi.
Por nuk ishte dita më e keqe. Ishte një moment kur Sandër Prosi vjen dhe loz me atë zogun te kafazi dhe kemi një skenë ku unë dhe vëllai im duhet të thoshim dy-tri batuta. Nuk po i bëja mirë, Viktori u përpoq një herë, dy herë, tri herë dhe më në fund e ngriti zërin fort. M’u mbushën sytë me lot dhe fillova të më rigonin lotët.
Në atë moment Sandri më shikon, hedh vështrimin nga Viktori dhe më merr mënjanë dhe më thotë: “Çfarë ke?”. Më vjen keq që nuk po arrij atë që duhet të bëj dhe nga ana tjetër jam e mërzitur dhe e tronditur se ai më bërtiti shumë fort”, i thashë unë. Më thotë Sandri: “Je e vogël, është hera e parë, ai e ngre zërin dhe na bërtet edhe neve që jemi aktorë që kemi përvojë.
“Mos u mërzit fare! Tani fshiji ato lotët nga syçkat e bukura dhe futu menjëherë në xhirim sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet të përballesh me këto gjëra dhe të kuptosh se kjo është jeta e një artisti. Dhe unë ëndërroj që ti të bëhesh një artiste, pasi i ke të gjitha parametrat për t’u bërë një aktore e shkëlqyer nesër”. Më ngrohu kjo gjë dhe pastaj ditët e xhirimit vazhduan./aktoret.com
——————–
Lexo edhe:
JETA PA VANGJUSH FURXHIN, BASHKËSHORTJA E TIJ TREGON MUNGESËN E MADHE
ObserverKult