Viktor Hygo: Ajo u rrëzua pa ndjenja mbi kalldrëm…

falim aq sa dashurojme viktor hygo
Ajo u rrëzua pa ndjenja mbi kalldrëm. Askush nuk kishte vënë re ende në galerinë e statujave të mbretërve, të skalitura bash nën harkun me qemer të portalit, një spektator të çuditshëm, i cili deri në atë çast kishte vëzhguar me kujdes gjithçka.

Ai qëndronte aq i palëvizur, e kishte zgjatur qafën aq shumë dhe e kishte fytyrën aq të shëmtuar, saqë, po të mos ishte i veshur me rroba gjysmë të kuqe, gjysmë vjollcë, të mund ta merrje për një nga ata përbindësha të gurtë prej grykës së të cilëve derdhin ujë ç’prej gjashtëqind vjetësh ullukët e gjatë të shiut të katedrales.

Syrit të atij spektatori nuk i kishte shpëtuar asgjë nga ato që patën ngjarë përpara portalit të katedrales së Shën Mërisë. Dhe qysh në minutën e parë, pa i rënë në sy askujt, ai kishte lidhur fort te njëra nga shtyllat e galerisë një tërkuzë të trashë e plot me nyje, maja tjetër e së cilës ishte hedhur te shkallët.


Pastaj ai kishte filluar të shikonte i qetë sheshin, duke fishkëllyer kohë me kohë kur i kalonte përpara ndonjë mëllenjë.

Papritmas në çastin kur ndihmësit e xhelatit do të zbatonin urdhrin e dhënë me gjakftohtësi nga motra Sharmoloy, ai njeri kapërceu parmakun e galerisë dhe e kapi tërkuzën me këmbë, me gjunjë dhe me duar pastaj rrëshqiti tatëpjetë fasadës së katedrales, si ajo pika e shiut që shket tatëpjetë një xhami, rendi te të dy ndihmësit e xhelatit me shkathtësinë e një maceje që bie nga çatia, i rrëzoi ata për dhe me dy grushtet e fuqishëm, rrëmbeu me njërën dorë cigaren, siç rrëmben një fëmijë kukullën, dhe pasi e ngriti vajzën përmbi kokën e tij, u sul në kishë duke sokëllitur me një zë buçitës: Strehim!

Kjo u bë me aq shpejtësi saqë po të kishte dashur natën të pranishmit mund ta kishin parë këtë skenë në dritën e një vetëtime të vetme. Strehim! Strehim! përsëriti turma dhe duartrokitjet e dhjetëmijë duarve e bënë syrin e vetëm të Kuazimodos të shndriste nga gëzimi dhe nga krenaria.

Kjo ngjarje e papritur e bëri të dënuarën të vinte në vete. Ajo hapi qepallat, vështroi Kuazimodon dhe i mbylli shpejt përsëri si e trembur nga shpëtimtari i saj. Sharmoloy, xhelatët dhe gjithë rojtarët shtangën në vend.

Brenda mureve të katedrales së Shën Mërisë, e dënuara ishte me të vërtetë e paprekshme. Katedralja ishte një strehë e sigurt dhe te pragu i saj i pritej hovi drejtësisë njerëzore…

*Fragment nga “Katedralja e Parisit”

LEXO EDHE: VIKTOR HYGO: NESËR QË PA GDHIRË DO NISEM TE TI…